
Kryedemokrati Sali Berisha, pas mbledhjes së grupit parlamentar, komentoi gjithashtu dhe humbjen e thellë të marrë nga vendoret e pjesshme të 9 nëntorit në bashkitë, Vlorë, Mat, Berat, Tepelenë dhe Cërrik.
Kryedemokrati e justifikoi mospjesëmarrjen me logon e PD, por thjeshtë me një mbështetje të dhënë kandidatëve të pavarur me faktin se zgjedhjet në Shqipëri janë një farsë.
“Falenderoj përzemërsisht kandidatët e pavarur për guximin e treguar dhe kjo faktoi se Shqipëria është në farsë elektorale, diktaturë totalitare dhe Shqipëria po njihet e tillë. Qytetarët dhe të gjithë e panë, ishte vetëm farsë elektorale. Ne nuk ishim në zgjedhje, në ishim në mbështetje të tyre, dhe ky nuk ishte bojkot nga ana jonë, jo.
Ne bëmë thirrje për qytetarët që të votonin dhe mbështetëm kandidatët e pavarur. Ishin disa veprime të studiuara mirë se kjo qeveri zgjedhje nuk bën dhe kjo e provoi. Unë mendoj se farsa duhet luftuar, se në farsë nuk ka zgjedhje”, tha Berisha.












