Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dënoi sot me gjobën e majme prej 500 mijë lekësh (të rinj) klubin e Egnatias, për tërheqjen e tyre nga fusha për disa minuta në shenjë proteste për gjykimin gjatë barazimit 0-0 kundër Vllaznisë. Si të mos mjaftonte gjoba, diçka që Disiplina e aplikon në masë, kampionët në fuqi të Superligës panë edhe nëntë dënime individuale.

Për gjashtë muajt në vazhdim Egnatia do jetë pa trajnerin Edlir Tetova në stol, pesë ndeshje pezullim për kapitenin Albano Aleksi dhe plot shtatë zyrtarë të klubit janë dënuar po me pesë ndeshje pezullim.

Nëse Disiplina e ka menduar të arsyeshme këtë vendim, fakt është se dy muaj më parë për të njëjtën shkelje, KF Tirana dhe Vora u dënuan vetëm me gjoba. KF Tirana, në shenjë proteste për arbitrimin braktisi për disa minuta fushën në ndeshjet kundër Teutës (në Durrës) dhe AF Elbasanit në 'Selman Stërmasi'. Edhe Vora u gjobit për të njëjtën arsye, por nuk pati dënime ekstreme.

Kështu, në harkun e dy muajve Disiplina e FSHF-së ka dhënë vendime me dy standarde për të njëjtat shkelje. Ose diçka ka ndryshuar me Disiplinën, ose FSHF e pa të udhës që të bënte 'zap' klubet dhe zyrtarët që fenomeni i protestës me braktisje të ndeshjes të shuhej.