Të dielën e 15 marsit Laçi U19 dhe Bylisi U19 u përballën në stadiumin e Laçit, në kuadër të raundit të 21-të të kampionatit të kësaj grupmoshe. Ky duel përfundoi në barazimin 0-0, por nuk munguan incidentet.
Ballshiotët akuzojnë dy zyrtarët e klubit kurbinas, Naim Halilaj dhe Kleo Laska se kanë goditur dy futbollistët e Bylisit, nigerianin Ahmed Ibrahim Adepoju dhe Mirlind Bahaj, duke i ofenduar dhe akuzuar se 'luajnë për Partizanin'.
Ky reagim vjen pasi ndeshja u mbyll me rezultatin 0-0 ndërsa kurbinasit pozicionohen në vendin e parë me 27 pikë, Partizani U19 me 25 pikë në të dytin dhe në vendin e tretë renditet Bylisi me 17 pikë.
"FK Bylis dënon incidentin e ndodhur në Laç gjatë ndeshjes së kampionatit U-19, Laçi-Bylis. Gjatë gjithë lojës ka pasur tension, por sapo ka përfunduar ndeshja, dy zyrtarët e klubit kurbinas, Naim Halilaj dhe Kleo Laska, kur lojtarët po futeshin në tunelin e dhomave të zhveshjes kanë goditur, nigerianin Ahmed Ibrahim Adepoju dhe shqiptarin Mirlind Bahaj, duke i ofenduar dhe akuzuar se luajmë për Partizanin.
Si klub dënojmë aktin e rëndë, sidomos kur ndodh në një kampionat moshash dhe ne, as nuk shitemi, e as blihemi, pasi jemi në garë. Faza “Play-Off”” sapo ka nisur dhe jemi brenda objektivit, kemi shanset tona dhe do të luftojmë deri në fund të garës", shkruan FK Bylisi në kanalet e komunikimit.
Komente










