Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit vijon që të veprojë me dorë të hekurt ndaj klubeve për incidentet e regjistruara duke mbushur arkën nga java në javë. Dënimet e radhës nga Disiplina ka qenë për Tiranën, Bylisin, Partizanin, Skënderbeun dhe Teutën. Ndërsa Flamurtari dhe Laçi janë paralajmëruar.

Bylis  dhe Tirana për dështime në përmbushjen e përgjegjësive për sjelljen e spektatorëve të tyre  dënohen secila me nga 50.000 mijë lekë  gjobë. Partizani për sjellje të gabuar të tifozerisë dënohet me gjobë 50.000 mijë lekë. Skënderbeu dhe Teuta për sjellje të gabuar të tifozerisë dënohen me gjobë prej  50.000 mijë lekë secili.

Laçi për sjellje të gabuar të tifozëve të në ndeshjen e Kupës me Skënderbeu paralajmërohet se në rast përsëritje do të jetë subjekt i ndëshkimeve. Edhe Flamurtari për sjellje të gabuar të tifozëve paralajmërohet se në rast përsëritje do të jetë subjekt i ndëshkimeve që parashikon Kodi i Disiplinës.

Zëvendës tranjeri Flamurtarit, Johan Driza, për protesta ndaj vendimeve të gjyqtarit dhe gjeste e fjalë ofenduese dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Përsa i përket kërkesës së Bylisit, Komisioni i Disiplinës vlerëson se kërkesa nuk është në kompetencë të Komisionit të Disiplinës  për tu shprehur në lidhje me këtë çështje, palët duhet ti drejtohen Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve” këto kanë qenë një pjesë e vendimeve.

Nishani pajis 4 kosovarë me pasaportë
Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të furnizohet me lojtarë kosovarë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i ka dekretuar me shtetësi shqiptare 4 talentet kosovarë: Ardit Humollin (Rapid Vien), Endrit Graincën (Ferizaj), Heroid Gjoshin(Grasshoper) dhe Agim Zekën (Prishtina).

Nga ky moment trajneri i ekipit kombëtar U-17 të Shqipërisë, Dzemal Mustedanagic mund të llogarisë kosovarët. Kombëtarja U-17 është kualifikuar në fazën “Elite Round”, dhe pritet të zhvilloj ndeshjet në datat, 26, 28 dhe 31 mars të këtij viti. Shqipëria është në grup me Anglinë, Italinë dhe Çekinë.

Kombëtarja U-17 është përfaqësuesja e vetme shqiptare që ka zhvilluar një edicion shumë të mirë nën drejtimin e trajnerit Mustedanagic duke kaluar në “Elite Round”, pavarësisht se përballë do të ketë disa nga kombëtaret më të mëdha të Evropës dhe kalimi në turin tjetër duket se do të jetë tepër i vështirë, e rëndësishme është pjesëmarrja në një eveniment të tillë.
 
Kampionati, Sampaio: Vllaznia sfide deçizive për Partizanin
“Vllaznia rezulton një përballje tepër e rëndësishme për ecurinë. Çdo ndeshje është e rëndësishme, shpresoj që edhe këtë javë të ruajmë ritmin duke dalë me një rezultat pozitiv nga ky 90 minutësh. Respektojmë Vllazninë por ne jemi Partizani dhe do të luajmë të gjitha shanset tona për ta fituar ndeshjen.

Jam i vetëdijshëm që 2 javë janë të pamjaftueshme për të arritur shumë shpejt te ajo paraqitje që presin të gjithë. Unë besoj tek projekti i Klubit dhe ky fakt më bën mjaft optimist dhe më motivon edhe më shumë të jap maksimumin tim në këtë skuadër’ deklaroi trajneri portugez i Partizanit para ndeshjes.
 

Kosova, Fadil Vokrri apel tifozëve: Kujdes me Haitin
Presidenti i FFK, Fadil Vokrri apel tifozëve para ndeshjes me Haitin të jenë të kujdesshëm pasi një gabim i vogël mund të i kushtoj Kosovës shumë, shumë shtrenjtë. "U bëj apel shikuesve se duhet të jenë sa më vigjilent, dhe të mos bëjnë gjeste te pahijshme që do të i bënin keq Republikës së Kosovës.

Prandaj unë dua që të kemi një lojë shumë të bukur, pa ndonjë gjë negative, t'i befasojmë të gjithë, dhe të tregojmë se çfarë mund të bëjmë, ndërsa shpresoj që do te hyjmë në FIFA me të gjitha të drejtat që i meritojmë", tha Vokrri. Federata ka nxjerrë edhe biletat për ndeshjen miqësore të cilat janë: 10 euro, 7  dhe 5 euro.
 
Miqësorja me Maltën, zbardhen çmimet e biletave
Kombëtarja Shqiptare e futbollit me 5 mars pritet të zhvilloj miqësore me Maltën. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës me fillim nga ora 18.00. Stadiumi ka kapacitet prej 12 mijë ulëseve dhe do të shërbej për ndeshjet miqësore që Shqipëria pritet t’i luaj në shtëpi, meqë stadiumi i Elbasanit po përgatitet për eliminatoret e “Euro 2016″.

Çmimet e biletave variojnë nga 1000 mijë lekë në tribunën qendrore, tribuna përballë 600 lekë deri 200 lekë në tribunat pas portave. Ndeshja pritet që të jetë mjaft e rëndësishme për elementët e rinj që pritet të debutojnë me Shqipërinë përballë Maltës.


Dylber Balla/Shqiptarja.com