Ndryshimet në terminologjinë ligjore të organeve të diktaturës komuniste, saktësimi i statusit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit si institucion i pavarur që raporton në Kuvend, si edhe rregullimi i mënyrës së shpërblimit të drejtuesve të tij, janë thelbi i projektligjit të ri të paraqitur në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën nga deputetja Ina Zhupa.

“Është një projektligj i dalë si nevojë e dëgjesave që kemi bërë në këtë komision dhe i ngërçit që është krijuar në punën e institutit. Ndryshimet janë vetëm në katër nene dhe kanë si objektiv kryesor përmirësimin e përkufizimeve ligjore, saktësimin e statusit institucional dhe përcaktimin e mënyrës së shpërblimit të kryetarit dhe anëtarëve të bordit.”, tha Zhupa.

Sipas projektligjit, emërtimet e përdorura deri më tani në ligj, si “forcat kufitare” dhe “repartet e ndjekjes”, zëvendësohen me terminologjinë zyrtare të dokumenteve arkivore të periudhës komuniste, me synimin për ta bërë ligjin më të saktë dhe më të zbatueshëm në kërkimet shkencore. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu heqjen e cilësimit “institucion qendror”, duke saktësuar se ISKK është një institucion i pavarur që raporton drejtpërdrejt në Kuvend.

“Ndryshimi synon të unifikojë terminologjinë ligjore me atë arkivore dhe historike, duke e bërë ligjin më të saktë, më të verifikueshëm dhe më të përdorshëm në kërkimin shkencor.”, vijoi deputetja Ina Zhupa.

Projektligji parashikon gjithashtu që shpërblimi i kryetarit dhe anëtarëve të bordit të ISKK-së të harmonizohet me skemën që zbatohet për institucionet e tjera të pavarura që raportojnë në Kuvend. Sipas propozueses Zhupa ndryshimet nuk krijojnë kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi do të mbulohen nga fondet ekzistuese të Institutit.

Komisioni vendosi që projektligji t’i dërgohet për mendim qeverisë, për të verifikuar aspektin financiar të nismës, përpara se të rikthehet për shqyrtim dhe miratim përfundimtar.