Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka njoftuar se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një ankim lidhur me ligjin që prek zonën e Pishë-Poro-Nartës dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ndërtimit në këtë territor.

Pas daljes nga Gjykata Kushtetuese, Zhupa tha se dokumentet e paraqitura nga opozita tregojnë, sipas saj, se mbrojtja e zonës është ndryshuar në disa etapa, duke krijuar më pas mundësinë për ndërtime.

"Sapo dorëzuam një ankimim kushtetues në lidhje me VKM 596 të Këshillit të Ministrave që në fakt është VKM që përcakton zonën e mbrojtur Pishë Poro Nartë. Ne e kemi ndjekur çështjen e ligjit të zonave të mbrojtura 21/2024 në gjykatë dhe kemi kërkuar që të shpallet antikushtetues dhe të rrëzohej nga GJK. Gjykata, në një nga argumentet, tha se ligji është abstrakt në vetvete dhe ju nuk na vërtetoni se këta do ta cenojnë zonën e mbrojtur por në rast se do të keni raste konkrete të vendimmarrjes së qeverisë që cenohet zona e mbrojtur silleni dhe ne do t’i gjykojmë. Gjë që i jep mundësinë GJK që të rishikojë edhe vetë vendimmarrjen e ligjit 21/2024, që në atë kohë u nda 4 me 4", deklaroi Zhupa.

Ajo u ndal te ndryshimet e mëtejshme në statusin dhe zonimin e territorit, duke argumentuar se edhe pas kalimit në kategorinë e pestë, një pjesë e konsiderueshme e zonës vijonte të kishte kufizime për ndërtimin.

“VKM që kemi sjellë është një VKM që tregon se si ulet mbrojtja e Pishë Poro-Nartë, që është edhe Zvërneci, nga kategoria 4, një rezervat natyror kalohet në kategorinë e 5, në një peisazh të mbrojtur. Dhe më pas nga kategoria 5, që ulet 5551 hektarë, më pas sipas ligjit të kohës para se të ndryshonte 21/2024, edhe peisazhi i mbrojtur kishte një zonë qendrore ku nuk mund të ndërtoje dhe zona të tjera. Dhe 43% e peisazhit të mbrojtur ishte zonë e mbrojtur Pishë Poro Nartë ishte zonë qëndrore ku s'mund të ndërhyje dhe bëje asgjë. Pra, me këtë VKM, jo vetëm që kategoria 4 u ul në 5, por iu hoqën edhe zonat, që do të thotë se kudo në Pishë Poro mund të ndërtosh, duke cenuar një zonë të mbrojtur.”, tha ajo.