Një e drejtë e re për botimet që lidhet me fushën digjitale dhe zgjeron mbrojtjen e krijimtarisë letrare pritet t’i shtohet ligjit për të drejtat e autorit. Projektligji adreson kontratat e botimit dhe regjistrimin e tyre në drejtorinë e të drejtës së autorit. Sipas tij, kontrata e botimit, e cila vihet në dispozicion, garanton zbatimin e ligjit për të drejtat ekskluzive të autorit, mënyrën se si ia kalon shtëpisë botuese, territorin dhe afatin për të cilin do të shfrytëzohet vepra.

“Projektligji vendos detyrimin për regjistrimin e kontratave të botimit pranë Drejtorisë së Të Drejtës së Autorit, ku përcaktohet ekskluziviteti, territori dhe afati.”, tha Borana Ajazi, drejtore e Drejtorisë së të Drejtave të Autorit.

“Krijojmë një të drejtë të lidhur të re për botuesit e shtypit mbi përdorimin dixhital, si dhe garancitë për licencimin e veprave jofunksionale apo jashtë qarkullimit tregtar.”, tha Esmeralda Demiraj, këshilltare në Ministrinë e Kulturës.

Shqetësimi kryesor i anëtarëve të komisionit dhe autorëve mbetet pamundësia për të verifikuar tirazhin real të librave që printohen dhe shiten nga shtëpitë botuese.

Deputeti Loer Kume propozoi kornizën ligjore për gjurmueshmërinë dixhitale përmes një numri unik për çdo kopje.

“Mënyra e vetme për transparencë mes autorit, botuesit dhe shtypshkronjës është lëshimi i një numri unik universal dixhital për çdo kopje libri. Pa këtë mekanizëm kontrolli, autori nuk verifikon dot tirazhin real.”, tha Kume.

“Mbrojtja nga Inteligjenca Artificiale kërkon me ligj zbatimin e tre parimeve bazë: pëlqimin e autorit, transparencën e përdorimit të veprës dhe shpërblimin e drejtë financiar.”, vërejti Ina Zhupa, kryetare e Komisionit.

“Pas hyrjes në fuqi të ligjit, Ministria e Kulturës ka detyrimin ligjor të miratojë ‘kontratën tip’ mes autorit dhe botuesit, ku do të detajojmë gjurmueshmërinë e shitjeve.”, tha këshilltarja Demiraj.

Projektligji përcakton gjithashtu shpërblimin e përshtatshëm proporcional për krijuesit dhe të drejtën e revokimit të licencës nëse vepra nuk shfrytëzohet. Amendamentet pritet të kalojnë për votim nen për nen.