TIRANE- Vepra penale e vjedhjes së energjisë elektrike nuk do të amnistohet për askënd. Këtë fakt e bëri publik ministri i Drejtësisë Nasip Naço në Komisionin e Ligjeve, teksa diskutohej në lidhje me buxhetin e institucionit që ai drejton.

"Dëmi i shkaktuar në Buxhetin e Shtetit nga vjedhje apo humbja në rrjet e energjisë elektrike është mbi 150 mln euro dhe sigurisht që e deklaroj njëherë nga Ministria e Drejtësisë nuk do të këtë amnisti për vjedhësit e energjisë elektrike", tha ministri.

Më tej Naço sqaroi se dhe pse ka një problem me mbipopullimin në paraburgime, ajo do të normalizohet shumë shpejt me hapjen e burgut të Beratit.
 
“Të them të drejtën nuk më vjen mirë që në Shqipëri ne vazhdojmë hapim burgje të reja ndërkohë që mund të kishte një politikë tjetër penale sidomos për trajtimin e të miturve të cilët janë problemi”, tha Naço.
 
Për deputeten e partisë socialiste Vasilika Hysi, mbipopullimi mbetet shqetësim teksa kërkoi nga Naço nëse është planifikuar apo jo në buxhet Qendra e Riedukimit për të mitur, e cila sipas saj do të ishte më mirë se sa të ndërtohej një burg.
 
“Në lidhje me të miturit unë besoj që gati mbi 30 milionë euro parashikon buxheti i shtetit shkojnë vetëm për sistemin, po të ishte për kërkesat dhe nevojat që ka Ministria e Drejtësisë do duheshin dhe nja 19 milionë euro të tjera, sigurisht që kaq kanë qenë mundësitë për vitin 2015 nga gjendja që trashëguam nga viti 2013 dhe 2014”, tha Naço.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)