TIRANË, 8 Korrik /ATSH/- Komisioni për Veprimtarine Prodhuese diskutoi sot projektligjin per koncencionet.
Ndryshimi në ligjin për konçesionet i propozuar nga qeveria konsiston në përjashtimin nga proçedurat e zakonshme, të cilat kërkojnë më shumë kohë në dispozicion të dhënies me konçension të rrugëve nacionale dhe atyre që konsiderohen të një rëndësie të veçantë.
"Mungon sinjalistika, rrugët janë në ndërtim. Për këtë kërkohet përshpejtimi i proçedurave", ka deklaruar zv/ministrja e Zhvillimit Urban, Brunilda Paskali.
Ndersa përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve tha se një nga akset e para që pritet të jepet me konçesion tek privatët është Milot-Kukës, pjesë e Rrugës së Kombit.
Përpjekja e parë për dhënien me konçesion të mirëmbajtjes së këtij aksi dështoi për shkak të mungesës së interesit dhe pamundësisë për të kryer një studim të saktë të fizibilitetit dhe përllogaritur një kosto të saktë të mirëmbajtjes.
"Ligji ekzistues kërkon një studim fizibiliteti të detajuar. Në kushtet që jemi, me të dhënat që kemi nuk mund t'i bëjmë një analizë cilësore për të vendosur nëse shtetit i intereson ta bëjë vetë punën apo t'ia japë dikujt tjetër duke ndarë fitimin. Nëse ka fitim, sepse sipas llogaritjeve nuk ka fitim", ka thënë Eduard Seitaj, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Transporteve.
Deputetët kërkuan një përcaktim më të qartë të rrugëve që do të jepen me konçesion tek privatët dhe asaj çfarë do të cilësohet si vepër e rëndësisë së veçantë. e.xh/a.ke/