Ditëlindja e Çelentanos,
Ministria dy javë me vonesë

Ditëlindja e Çelentanos, <br />Ministria dy javë me vonesë
Adriano Çelentano e ka pasur ditëlindjen në 5 janar, ku shënon edhe jubileun e 75-vjetorit të tij. Normalisht të nesërmen mediat italiane, por dhe ato shqiptare nuk e harruan pa e përmendur duke risjellë në kujtesë karrierën e tij të jashtëzakonshme. Çelentanon shqiptarët e adhurojnë dhe e kanë adhuruar edhe në kohën e diktaturës, kur arti perëndimor ishte i ndaluar në Shqipëri.

Ndaj prej vitesh për nder të tij është ngritur një shoqatë që mban emrin "Miqtë e Çelentanos". Kjo shoqatë ka deklaruar se prej vitesh po bënë përpjekje, duke i bërë shumë ftesa dhe lutje që të vijë në Shqipëri. Kryetari i kësaj shoqate është ankuar pikërisht dje se "Çelentano ende s'i është përgjigjur kësaj ftese". A do t'i dukej vallë një ftesë serioze vetë Adriano Çelentanos, kur kjo shoqatë dhe institucioni i Ministrisë së Kulturës ia festojnë 14 ditë me vonesë ditëlindjen. Por siç ndodh shpesh me mungesën e korrektesës dhe përgjegjësisë së institucioneve të kulturës vitet e fundit, MTKRS-ja, pa e gjykuar gjatë motivin e aktivitetit, i jep sallën e institucionit kësaj shoqate për një ditëlindje që ka kaluar plot 14 ditë nga koha e saj.

"Për OJQ-të nuk është bërë e udhës të jenë shumë serioze në Shqipëri, por drejtoritë kulturore të një institucioni si ai Ministrisë së Kulturës duhet të ishin të përpikta dhe ta dinin ditëlindjen para se të jepnin sallën për aktivitetin", shprehet një nga fansat, i cili thotë se "nuk është normale të festohet ditëlindja pas 14 ditësh", duke ironizuar se "kështu i ndryshojnë edhe shenjën e horoskopit". Pra, edhe pse në këtë datë mund ta ketë ditëlindjes ndonjë gjeni tjetër i artit botëror, 14 ditë me vonesë, MTKRS-ja dhe shoqata shqiptare "Miqtë e Çelentano-s" organizoi një aktivitet festiv dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës me rastin e 75- vjetorit të lindjes së këngëtarit të njohur italian, por dhe shumë të adhuruar nga shqiptarët, Adriano Çelentano.

Fansat shqiptarë shprehen për Çelentanon
Anëtarë të shoqatës, artistë të kinematografisë shqiptare, gazetarë, por edhe fansa të Çelentanos, ishin pjesë e këtij aktiviteti (të vonuar) për t'i uruar edhe 100 vite të tjera artistit të madh dhe për të kujtuar magjinë që arti i tij ka sjellë në Shqipëri me këngët dhe filmat që ka luajtur gjatë karrierës së gjatë. Aktori Bujar Kapexhiu dhe sociologia Entela Binjaku, anëtarë të shoqatës "Miqtë e Celentano-s" vlerësuan talentin e veçantë të artistit, ndërsa risollën në vëmendje ditët kur rinia shqiptare e viteve '60 "çmendej" duke dëgjuar në fshehtësi këngët e Adriano Çelentanos, pasi pushteti komunist i asaj kohe nuk i lejonte shqiptarët të dëgjonin muzikë të huaj.

Shoqata "Miqtë e Çelentanos" bëri të ditur se ka publikuar edhe një libër në gjuhën shqipe "që përmbledh gjithë karrierën e artistit në muzikë dhe kinema". 75-vjetori i Çelentanos vjen pas një viti të gjatë suksesesh, nga pjesëmarrja në Sanremo, albumi i fundit "Le të bëjmë sikur është e vërtetë" dhe koncerti live në Arenën e Veronës, i cili u ndoq nga 9 milionë telespektatorë. Të gjithë fansat shqiptarë, pothuajse mbi të 40-at, janë shprehur dje se janë adhurues të këngëtarit dhe kanë ndarë së bashku kujtime nga koha kur Çelentano shoqëronte vitet e rinisë së tyre. "Këngën "24 mila baçi" (24 mijë të puthura) e kam dëgjuar brenda një dollapi të shtrembër në shtëpi, me një radio po aq të shtrembër, që mezi i ndizej zëri dhe me të cilën e dëgjonim në këmbë fitoren e Adrianos në Sanremo.

Me atë këngë pastaj ne vazhduam rininë tonë dhe nuk është e çuditshme që dhe sot në pleqërinë tonë ne e dëgjojmë po me aq dëshirë", tha Bujar Kapexhiu, anëtar i shoqatës "Adriano Celentano". Me rastin e 75-vjetorit të djeshëm u kujtua edhe një libër në gjuhën shqipe kushtuar Çelentanos nga Aldo Fitante. Në titullin "Questa e la storia" libri përshkruan jetën e Adriano Çelentanos në muzikë dhe kinema. Këngëtari dhe aktori i famshëm italian Adriano Çelentano ka mbushur 75 vjet më 5 janar 2013. Suksesin e parë Çelentano e arriti në moshën 23-vjeçare me këngën "24 mijë të puthura", kënduar në Festivalin e Sanremos, sot me mbi 2500 këngë, është shembulli tipik i artistit, që preferohet nga të gjitha moshat.

Për këngën "Kush nuk punon, nuk bën dashuri" e viteve '70, shkroi atëherë edhe shtypi shqiptar, i kuadratizuar nga ideologjia komuniste. Kënga pati jehonë jo vetëm për tingullin, por edhe për fjalët e saj. Çelentano tërhoqi vëmendjen edhe të producentëve të filmave, duke interpretuar nga "Emigranti", "Zonja e Bujtinës", "Yuppi du", ku është edhe regjisor, e që në Festivalin e Kanës zuri vendin e dytë. Ditëlindja e tij është festuar edhe në Tiranë, por me një entuziazëm të munguar, sepse u kujtua të festohej me vonesë nga shoqata "Miqtë e Çelentanos" në ambientet e Ministrisë së Kulturës Tiranë...

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com, 20 janar 2013
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det! Do i vendosnin tritol anijes së 'Finikas Lines', ishin konkurentë të linjës Sarandë-Korfuz

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det! Do i vendosnin tritol anijes së 'Finikas Lines', ishin konkurentë të linjës Sarandë-Korfuz