Kryebashkiaku i Mariupolit: Luftimet në qendër të qytetit! Presidenti kinez i drejtohet Biden: Lufta s' është në interesin tonë! Putin: Zbatojmë planet tona

Sot është dita e 23 e luftës që kur Rusia pushtoi Ukrainën, ndërsa ende nuk ka një zgjidhje diplomatike ndërmjet dy shteteve. Bombardimet nga ushtria ruse kanë vijuar gjatë natës. Sipas raportimeve tre shpërthime të forta kanë ndodhur në zonën e aeroportit të Lviv.

Këshilltari i Byrosë së Ukrainës, Oleksiy Arestovych, tha se faza aktive e luftës pritet të përfundojë pas 2-3 javësh, në mes ose në fund të prillit. Ndërsa negociatori rus u shpreh se marrëveshja me Kievin për neutralitetin e Ukrainës është shumë afër. Megjithatë këto deklarata u mohuan nga Kievi që deklaroi se ato i qëndrojnë kërkesave të tyre për tërheqjen e plotë të trupave ruse, duke shtuar se deklaratat e Moskës kërkojnë të provokojnë tensione.

Në përvjetorin e tetë të aneksimit të Krimesë, Vladimir Putin i foli kombit nga stadiumi Luzniki në Moskë, ku tha me bindje se Rusia do të vijojë me planin e saj.

Nga ana tjetër Presidenti i SHBA, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë me homologun kinez, Xi Jinping. Ky i fundit, sipas mediave të huaja, ka deklaruar se marrëdhëniet mes vendeve nuk duhet të arrijnë në një pikë përplasje, pasi një gjë e tillë nuk është në interesin e askujt. Këto deklarata pasojnë njoftimet e SHBA për një mbështetje të mundshme të Kinës për Rusinë.

Ndërkohë, ofensiva tokësore nga rusët duket se ka ngecur, teksa diplomacia është 'në punë' për gjetjen e zgjidhje për konfliktin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:49
Pushtimi nga Ukraina, Skocia gati të presë 3000 refugjatë

Qeveria skoceze është ofruar si sponsor për ukrainasit që ikin nga lufta, referuar shkrimit të The Guardian. Duke cituar kryeministrin e qeverisë së Edinburgut, Nicola Sturgeon, Skocia është gati të mirëpresë menjëherë 3000 njerëz. 

Sipas planit, ukrainasit do të mund të kenë strehim të përkohshëm ndërkohë do të kërkojnë dhe strehim afatgjatë. 

“Për ukrainasit që vijnë në vendin tonë, unë u them, ne do t'ju trajtojmë me dhembshuri, dinjitet dhe respekt. Ju mirëpres ngrohtësisht në Skoci, në shtëpinë tonë dhe për aq kohë sa keni nevojë, edhe në tuajën', shprehet kryeministri i Skocisë.

Ora 22:48
FOTO/ Imazhet satelitore tregojnë shkatërrim nga bombardimet ruse në Ukrainë

Imazhet e reja satelitore, të publikuara nga Maxar Technologies me bazë në SHBA, tregojnë dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore dhe artileria ruse në qytete të ndryshme të Ukrainës.

Ora 22:40
Media ukrainase: Rusia nuk po i merr, trupat e ushtarëve rus dekompozohen në qese plastike

“Dhjetra trupa të ushtarëve rusë të rënë në zonën e Nikolaevit dekompozohen në qese plastike, sepse Rusia nuk ka ndërmend t'i rimarrë”, sipas deklaratës së agjencisë së lajmeve ukrainase UNIAN, shkruajnë mediat ukrainase.

Sipas të njëjtit burim, bëhet fjalë për ushtarë shumë të rinj, rreth 20 vjeç, siç dëshmohet edhe nga dokumentet. Dëshmitarët okularë tregojnë se më 9 mars në Chaplynka, në kufirin administrativ me Krimenë, trupat e rreth 50 ushtarëve rusë të vrarë në rajonin Kherson dhe Nikolaev u hodhën në një gropë dhe u dogjën mëngjesin tjetër. 

UNIAN flet gjithashtu për një dokument të Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse, të datës 26 shkurt dhe të nënshkruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes Alexei Kryvoruchko, në të cilin urdhërohet të shkatërrohen trupat e ushtarëve të saj të vrarë në Ukrainë.

Ora 22:25
Lufta në Ukrainë, rreth 40 milionë njerëz rrezikohen të preken nga varfëria ekstreme

Pushtimi rus i Ukrainës mund të shtyjë mbi 40 milionë njerëz në varfëri ekstreme për shkak të rritjes së kostove të ushqimit dhe energjisë, sipas një analize nga Qendra për Zhvillim Global.

Sipas institutit amerikan, që nga fillimi i konfliktit, çmimet e mallrave agro-ushqimore janë rritur mbi nivelet e regjistruara në 2007 dhe 2010. Studiuesit thonë se vendet më të rrezikuara për momentin janë ato që blejnë drithëra direkt nga Ukraina dhe Rusia, të cilat së bashku përbëjnë më shumë se një të katërtën e eksporteve botërore.

Këtu përfshihen: Egjipti, Indonezia, Bangladeshi, Pakistani, Azerbajxhani dhe Turqia

Ora 22:19
SHBA ndalon rreth 100 avionëve rusë, mes tyre edhe i oligarkut Abramovich

Gati 100 avionë të kompanive ruse ose të lidhura me Rusinë u ndaluan nga Shtetet e Bashkuara si një përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës. 

Sipas raportimit të BBC-së mes avionëve të ndaluar është edhe një nga avionët privatë të miliarderit Roman Abramovich. Departamenti Amerikan i Tregtisë ka paralajmëruar se ofrimi i shërbimeve për këta avionë kudo në botë, përfshirë Rusinë, mund të sjellë gjoba të rënda deri në burgim. 

Avionët në listën e zezë janë pothuajse të gjithë Boeing, të kompanive ruse dhe të linjës ajrore kombëtare Aeroflot si dhe areoplanë transportues të bjellorusë. 

Përjashtimi i vetëm është avioni Gulfstream në pronësi të Abramovich, oligarku dhe pronari i klubit të futbollit Chelsea, i cili gjithashtu tashmë është goditur nga sanksione të rënda nga Britania e Madhe për lidhjet e tij të ngushta me Vladimir Putin.

Ora 22:13
Lufta në Ukrainë, bien sirenat e alarmit në Kiev

Sonte sirenat e alarmit po bien ende në Kiev, shkruan Corriere. Lufta është në një fazë pasigurie me ushtrinë ruse në telashe, por frika është se më e keqja mund të vijë ende.

Ora 22:03
Të frikuar nga lufta, ushtarët rus godasin veten në këmbë për të mos shkuar në fushëbetejë kundër ukrainasve

Morali është aq i ulët në mesin e forcave pushtuese ruse në Ukrainë sa ushtarët thuhet se kanë qëlluar në këmbë veten për të shmangur luftimet duke përdorur municione ukrainase, për ta bërë të duket se janë goditur nga kundërshtarët.

Sipas një bisede të përgjuar nga media bjelloruse opozitare NEXTA, thuhet se trupat ruse gjerësisht janë demoralizuar nga pushtimi, i cili tashmë i ka marrë jetën deri në 14,000 prej tyre sipas të dhënave të fundit nga qeveria ukrainase. Qëllimi i tyre i vetëm tani është të mbijetojnë.

“Ata po qëllojnë mbi ne për 14 ditë. Ne jemi të frikësuar. Ne po vjedhim ushqime, po hyjmë nëpër shtëpi. Po vrasim civilë...këtë do t'jua them në konfidencë... Ne donim t'i gjuanim njëri-tjetrit në këmbë me plumba ukrainas 7.62 dhe të ktheheshim në spitalin këtu në Budenovsk...  ”, thonë ndër të tjerat ushtarët në përgjimet e publikuara.

Ora 21:58
Kryeprokurori i Gjykatës Penale në Hagë shkon në Ukrainë: Arsye për të besuar se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë! Po mbledhim informacione në terren

Ka “arsye bindëse” për të besuar se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë. Këtë e thotë nga Lviv, ku ka mbërritur dje, kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë, Karim Khan, duke sqaruar se ka shkuar në territorin ukrainas për të mbledhur më shumë informacion në kuadër të hetimeve të hapura më 3 mars. Fjalët e tij pasojnë deklaratën e Joe Biden dje që e quajti Vladimir Putin "një kriminel lufte".

Jo vetëm presidenti amerikan ka bërë një akuzë të tillë ndaj Moskës.

"Autorët e krimeve të luftës të kryera në Ukrainë do të duhet të japin llogari para drejtësisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të jashtëm të G7 që u takuan gjatë ditës në Bruksel.

Duke nënvizuar veçanërisht "përdorimin e armëve kundër civilëve", për të cilin Rusia u akuzua vazhdimisht gjatë pushtimit, ministrat e jashtëm të G7 mirëpritën hetimin e kryer nga Gjykata e Hagës.

"Ka prova shumë, shumë të forta që janë kryer krime lufte dhe se Vladimir Putin qëndron pas këtyre krimeve. Në fund do të jetë në dorën e gjykatës që të vendosë se kush është kriminel lufte, por ndërkohë na takon ne që të japim provat”, tha Ministrja e Jashtme britanike Liz Truss.

Ora 21:57
Sa forca ajrore të Ukrainës janë ende aktive për të zhvilluar operacione?

Raketat ruse sot në mëngjes goditën një fabrikë riparimi avionësh në Lviv, në Ukrainën perëndimore, sipas forcave ajrore ukrainase, shkruan BBC.

Kryetari i bashkisë së Lviv tha se raketat ruse kishin goditur zonën pranë aeroportit, duke goditur një ndërtesë të fabrikës së riparimit të avionëve, por jo vetë aeroportin. Fabrika kishte pushuar së punuari dhe askush nuk u lëndua, tha ai.

Siç tregon grafiku i mëposhtëm, forcat ajrore të Ukrainës janë goditur rëndë nga pushtimi rus.

Ndërsa humbjet ushtarake janë të vështira për t'u llogaritur, Pentagoni ka thënë se pak më shumë se gjysma e avionëve luftarakë të Ukrainës janë ende operacionale në krahasim me totalin e tij të paraluftës.

Ora 21:52
Bombardimet në Ukrainë, riparohen linjat e energjisë në centralin bërthamor Zaporizhzhia

Linjat e energjisë elektrike në centralin bërthamor Zaporizhzhia janë riparuar, ka raportuar agjencia ukrainase e lajmeve Interfax.

Vendi ishte pjesë e bombardimeve të rënda javën e kaluar teksa forcat ruse hynë për të kapur uzinën, e cila është më e madhja në Evropë.

Më herët gjatë javës, energjia u rivendos në Çernobil, në veri të Ukrainës, pasi forcat ruse e hoqën atë nga rrjeti, që do të thotë se pajisjet e monitorimit për vendin u fikën.

Ora 21:45
Lufta në Ukrainë, falë korridoreve humanitare evakuohen 9145 persona

Sipas raportimit nga nënkryetari i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, sot janë evakuuar 9145 persona falë korridoreve humanitare. 4972 prej tyre janë banorë të Mariupolit, duke përfshirë 1124 fëmijë, të vendosur në Zaporizhzhia.

500 persona janë evakuuar me autobus nga Zaporizhzhia në Berdyansk, e ndërsa 4173 të tjerë u evakuuan nga rajoni Sumy.

Ora 21:41
Pushtimi i Ukrainës, Rusët pritet të transferojë trupa nga Armenia

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njofton se Rusia synon të transferojë trupa në Ukrainë nga baza ushtarake 102 e vendosur në Gyumri në Armeni, rreth 100 km nga kryeqyteti Lerevan, shkruan The Kyiv Independent.

Ora 21:21
Pushtimi i Rusisë në Ukrainë, Polonia zyrtarisht do t'i propozojë NATO-s një mision paqeruajtës

Polonia synon t'i propozojë NATO-s një mision paqeruajtës në Ukrainë. 

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki u tha gazetarëve, siapas raportimi të tij në CNN se:

Në samitin e ardhshëm të NATO-s do të paraqitet zyrtarisht propozimi për një mision paqeruajtës në Ukrainë”. Për ata që e pyetën se çfarë mendonin aleatët për këtë hipotezë, kryeministri polak u tha se “Polonia është shumë aktive në këtë forum, si në NATO, ashtu edhe në Bashkimin Europian dhe jemi ne ata që po i bëjmë thirrje që të ndërmarrin këto veprime”

“Me bombat që bien gjithnjë e më afër kufirit polak, natyrisht, do ta përdorim këtë si argument”, tha Morawiecki.

Ora 21:13
Kërcënimet e Moskës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Në Kiev kemi dërguar vetëm armë mbrojtëse

Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki asnjë nga armët e dërguara nga SHBA në Ukrainë nuk mund të përdoret për të nisur një sulm ndaj një vendi tjetër, duke iu referuar gjithashtu kërcënimit të Moskës për të goditur autokolonat e ndihmës ushtarake të huaj.

Ora 21:09
SHBA: Rusia ka lëshuar më shumë se 1080 raketa që nga fillimi i pushtimit

Forcat ruse kanë lëshuar më shumë se 1080 raketa që nga fillimi i pushtimit të tyre në Ukrainë, tha të premten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

Raportet për sulmet me raketa në pjesën perëndimore të Ukrainës në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar Lviv duket të jenë të sakta, tha zyrtari.

Zyrtari nuk kishte informacion shtesë se nga ishin origjina e sulmeve me raketa në pjesën perëndimore të Ukrainës dhe sa dëme shkaktuan ato në këtë moment, shkruan CNN.

Ora 21:02
Pas bisedimeve Biden-Xi Jinping, SHBA ende e shqetësuar për ndihmën nga Kina për Rusinë

Shtëpia e Bardhë është ende e shqetësuar se Kina mund të ofrojë ndihmë ushtarake për Rusinë dhe do të monitorojë se çfarë do të ndodhë. 

Zëdhënësja Jen Psaki tha se lëvizja e Pekinit për t'u lidhur me Moskën do të jetë pjesë e diskutimit që Joe Biden do të ketë me aleatët në udhëtimin e tij në Evropë javën e ardhshme.
 

Ora 20:45
Rusët qëllojnë mbi ekipet e shpëtimit në Ukrainë, 1 i vdekur dhe 5 të plagosur

Në Natalivka të rajonit Zaporizhzhia, forcat ruse thuhet se qëlluan mbi ekipet e shërbimit emergjent që ishin në vend për të vlerësuar situatën pas sulmeve të mëparshme. 
La Repubblica shkruan se siç raporton Ukrainska Pravda, Departamenti i Shërbimit Emergjent njofton se, një person ka mbetur i vdekur dhe pesë të plagosur.  

Ora 20:02
Konfirmohet nga kryebashkiaku i Mariupolit: Trupat ruse kanë arritur në qendër të qytetit

Trupat ruse kanë arritur në qendër të qytetit të Mariupol. Kryebashkiaku Vadym Boichenko tha për BBC, duke konfirmuar atë që ishte njoftuar më parë nga ushtria e Moskës.

"Rusët ishin shumë aktivë sot. Beteja me tanke dhe mitralozë vazhdon. Qendra e qytetit nuk u kursye. Nuk ka as një copë tokë të qytetit që të mos ketë shenja lufte”, deklaroi ai. 

Boichenko shtoi se popullsia u strehua në bunkerë për t'i shpëtuar betejës.

Ora 19:57
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Italia përgatitet të pranojë 175,000 refugjatë

Italia po përgatitet të pranojë deri në 175,000 refugjatë. Rreth 53,000 ukrainas, mes tyre 27,000 gra dhe 21,600 fëmijë, kanë mbërritur në Itali deri më tani pas pushtimit rus të vendit të tyre më 24 shkurt.

Ora 19:19
"Russia Today" i bën thirrje Britanisë së Madhe të heqë licencën e "BBC-së"

Ofcom, rregullatori i medias në Mbretërinë e Bashkuar, sot vendosi të pezullojë licencën e Russia Today për të transmetuar në MB.

Këtë pasdite, Ambasada Ruse në Londër ka reaguar, duke thënë se Ofcom duhet të hetojë media të tjera të sponsorizuara nga shteti në Mbretëria e Bashkuar, si BBC. Ajo kërkon që gjithashtu t'i tërhiqet licenca e kësaj të fundit.

Gjithsesi, RT ishte jashtë transmetimit, pasi sanksionet e BE-së bënë që sateliti i përdorur për ta transmetuar atë në Mbretërinë e Bashkuar ishte fikur.

"Nëse #Ofcom është me të vërtetë e shqetësuar me sasinë e ankesave kundër #RT , duhet të jetë në përputhje me vendimmarrjen e saj dhe të hetojë tërësisht ankesat e shumta kundër mediave të sponsorizuara nga shteti në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, #BBC dhe, ndoshta, të shqyrtojë anulimin e licencës së saj", shkruan në Twitter ambasada ruse në Britaninë e Madhe.

Ora 19:08
Lufta në Ukrainë, OKB: Kriza ushqimore mund të prekë 50 vende

Vëmendja botërore ndaj Ukrainës është shumë e lartë, por nuk duhet lënë pas dore dhe pasojat që kjo luftë mund të sjellë, e nisur tre javë më parë. Kështu deklaroi Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se 50 vende, duke përfshirë më së shumti vendet më pak të zhvilluara të cilat varen nga Rusia dhe Ukraina për të paktën 30% ose më shumë të furnizimeve të tyre me drithëra, janë veçanërisht të cenueshme nga situata.

Ora 18:58
Kievi mohon deklaratat ruse: Janë vetëm kërkesat e tyre, provokojnë tensione

"Deklaratat e palës ruse janë vetëm kërkesa e tyre. Të gjitha deklaratat synojnë, ndër të tjera, të provokojnë tensione në media. Qëndrimet tona mbeten të njëjta: Armëpushim, tërheqje trupash dhe garanci të rrepta sigurie me formula specifike". 

Kështu shkruan në Twitter këshilltari i presidentit Zelensky dhe njëkohësisht kreu i negociatorëve ukrainas, Mykhailo Podoliak, duke komentuar deklaratat e zyrtarit rus, Medinsky, për çmilitarizimin dhe neutralitetin e Ukrainës.

Ora 18:51
Me vendim të koordinuar, shtetet baltike dëbojnë 10 diplomatë rusë

Letonia, Lituania dhe Estonia kanë dëbuar 10 diplomatë rusë, sipas deklaratave nga ministritë e tyre të jashtme. Në një postim në Twitter të premten , Ministri i Jashtëm Letonez, Edgars Rinkēvičs konfirmoi se vendimi "është koordinuar me Lituaninë dhe Estoninë". Lituania shpalli persona non grata katër punonjës të Ambasadës Ruse, ndërsa Letonia dhe Estonia kanë bërë të njëjtën gjë për tre punonjës të Ambasadës Ruse.

“Aktivitetet aktuale të atyre personave nën mbulim diplomatik janë të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik dhe po i shkaktojnë dëm Republikës së Letonisë”, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Letonisë në një deklaratë të premten.

“Personat që i nënshtrohen dëbimit duhet të largohen nga Republika e Letonisë deri në orën 23:59 të datës 23 mars”, vazhdoi deklarata.

Lituania urdhëroi gjithashtu katër persona nga personeli diplomatik të largoheshin nga vendi brenda pesë ditëve, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj.

“Shërbimet speciale ruse janë të përfshira në mënyrë aktive në planifikimin dhe ekzekutimin e pushtimit ushtarak të Ukrainës, duke kërcënuar jo vetëm sigurinë e Ukrainës, por edhe atë të Lituanisë”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Lituanisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Estonisë shtoi se të tre anëtarët e stafit të Ambasadës Ruse "kanë minuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive sigurinë e Estonisë dhe kanë përhapur propagandë që justifikon veprimin ushtarak të Rusisë".

“Aktiviteti i personave në fjalë ka qenë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe për këtë arsye ata duhet të largohen nga Estonia brenda 72 orëve”, shtoi ministria estoneze.

Ora 18:50
Putin telefonatë me Macron: Po bëjmë gjithçka që mundemi për të mos goditur civilët

Trupat e Moskës po bëjnë "çdo gjë të mundshme" për të mos goditur civilët në Ukrainë, duke përfshirë "krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e tyre" , nënvizoi Presidenti rus Vladimir Putin në bisedën e tij të re telefonike me Emmanuel Macron. 

Putin akuzoi gjithashtu Ukrainën si përgjegjëse për "krime të shumta lufte", duke iu referuar veçanërisht "forcave të sigurisë dhe nacionalistëve", shkruan La Repubblica.

Ora 18:36
Lufta në Ukrainë, Greqia gati të rindërtojë maternitetin e Mariupolit

Greqia është "gati të rindërtojë" një maternitet që u shkatërrua nga bombardimet në qytetin jugor, Mariupol, siç konfirmon kryeministri Kyriakos Mitsotakis, shkruan BBC.

Reagimi i tij vjen vetëm një ditë pasi tha ministri italian i kulturës, Dario FranceschiniItalia ishte “gati të rindërtonte” teatrin e qytetit.

Ora 18:09
Pas presidentit Joe Biden, edhe ministri britanik e cilëson Putinin kriminel lufte

Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid e ka quajtur presidentin Putin "një kriminel lufte", duke i bërë jehonë fjalëve të presidentit amerikan Joe Biden.

Në Forumin e Pranverës Konservatore, Javid foli për "retë e stuhisë së luftës" në Evropë dhe zemërimin e pikëllimin e tij kur dëgjoi "raportet për varreza masive në Mariupol dhe vrasjen e grave shtatzëna".

“Të mos gabojmë, Vladimir Putin është një kriminel lufte. Ai është një kërcënim për njerëzit e lirë kudo dhe ai do të jetë përgjegjës”, tha Javid.

Të enjten, ministrat e tjerë të kabinetit, Liz Truss dhe James Cleverly, u shfaqën ngurrues për të përdorur termin kriminel lufte kur i referoheshin Putinit.

Kremlini e ka quajtur përdorimin e frazës nga Biden si "retorikë e pafalshme".

Ora 18:03
OKB: 6.5 milionë persona të zhvendosur në Ukrainë, 3.2 milionë të larguar jashtë vendit

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Migracionin vlerëson se rreth 6.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës, përveç 3.2 milionë refugjatëve që tashmë janë larguar nga vendi.
 

Ora 17:57
Rusia së shpejti pritet të bllokojë edhe YouTube-n

Rusia mund të bllokojë YouTube në ditët në vijim.

Lajmi është raportuar nga agjencia ruse Ria Novosti, duke cituar një burim të afërt me Roskomnadzor, rregullatorit rus të telekomit.

“Me shumë gjasa deri në fund të javës që vjen YouTube do të jetë tashmë i bllokuar”, pohon burimi, sipas të cilit YouTube, që është në pronësi të Google, duhet të ishte bllokuar tashmë ditët e fundit, por masat ndaj Metës, me bllokimin e Instagramit, i kanë imponuar një shtyrje për të mos bllokuar gjithçka menjëherë.
 

Ora 17:39
FOTO/ Bombardimet ruse u morën jetën 109 fëmijëve, aktvistët ukrainas mbushin me karroca bosh qendrën e Lviv

Viktimat në pushtimin rus të Ukrainës janë në rritje. Në qendër të Lviv, aktivistët dhe autoritetet vendase vendosën 109 karroca bosh, në shenjë solidarizimi për fëmijët që janë vrarë gjatë pushtimit rus.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, 109 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës.

Ora 17:35
Zyrtari ukrainas: Rusët drejt humbjes, lufta do të përfundojë pas 2-3 javësh

Faza aktive e luftës pritet të përfundojë pas 2-3 javësh. Këshilltari i Byrosë së Ukrainës, Oleksiy Arestovych, shkroi në kanalin e tij Telegram se faza aktive pothuajse ka përfunduar pranë Kievit, Kharkivit, Sumy-t dhe Chernihiv-it. 

"Edhe nëse rusët do të shtonin disa rezerva për të shkuar në ofensivë, përsëri do të përfundojë me humbjen e tyre. Fundi është këtu, humbën strategjikisht, humbën dhe shpejt. Mendoj se në mes ose në fund të prillit, banorët e Kievit që janë larguar do të mund të kthehen në shtëpi," shtoi më tej ai.

Ora 17:33
Zelensky bisedë telefonike me Von der Leyen: Kërkesa e Ukrainës për anëtarësimin në BE mund të miratohet brenda muajsh

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur zhvilluar një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen

Zelensky thotë pret përparim në aplikimin e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE.

Sipas tij Von der Leyen "premtoi se do të bënte gjithçka që ishte e mundur për të shpejtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE".

"Ne do të bëhemi një anëtar i plotë i BE-së," thotë ai.

"Proceset burokratike që normalisht zgjasin vite do të përshpejtohen dhe do të shkurtohen me muaj dhe javë."

Ora 17:26
Zelensky: Qindra njerëz janë ende nën rrënojat e teatrit në Mariupol (VIDEO)

"Qindra njerëz janë ende nën rrënojat e teatrit të Mariupol". 

Kështu u shpreh presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në video-mesazhin e tij të fundit, në të cilin premton se rusët do të paguajnë për "mijëra zemra të cilave kjo luftë i ka ndaluar rrahjet". 

Zelensky akuzoi forcat ruse se "bënë gjithçka për të parandaluar" hyrjen e ndihmave humanitare në qytetin e rrethuar të Mariupolit. 

“Megjithë bombardimet, me gjithë vështirësitë, ne do të vazhdojmë operacionet e shpëtimit”, siguroi presidenti.

 

Ora 17:16
Shefi i inteligjencës së mbrojtjes britanike: Rusia nuk arriti të përmbushte objektivat në Ukrainë!

Rusia po përdor pa dallime fuqinë e saj pasi nuk arriti të përmbushë objektivat në Ukrainë, paralajmëroi shefi i inteligjencës së mbrojtjes britanike.

Gjeneral Sir Jim Hockenhull tha se përdorimi "i pamatur dhe pa dallim" i fuqisë nga forcat ruse do të çonte në mënyrë të pashmangshme në më shumë viktima civile dhe një krizë humanitare të përkeqësuar.

"Kremlini deri më tani ka dështuar në arritjen e objektivave të tij fillestarë. Ai është befasuar nga përmasat dhe egërsia e rezistencës ukrainase dhe është mashtruar nga problemet e krijuara nga vetë ai," tha ai në një deklaratë.

"Operacionet ruse kanë ndryshuar. Rusia tani po ndjek një strategji të gërryerjes. Kjo do të përfshijë përdorimin e pamatur dhe pa dallim të fuqisë së armëve."

Strategjia, paralajmëroi ai, do të rezultojë në rritje të viktimave civile, një ndërprerje të infrastrukturës ukrainase dhe do të intensifikojë krizën humanitare.

Në të njëjtën kohë, gjenerali tha se Presidenti Vladimir Putin po forconte kontrollin e tij mbi mediat vendase ruse në një përpjekje për të maskuar problemet me të cilat përballet fushata e tij.

Ai tha: "Kremlini po përpiqet të kontrollojë narrativën, të fshehë problemet operacionale dhe të fshehë numrin e lartë të viktimave nga populli rus."

Ora 17:04
Negociatori rus: Shumë afër arritjes së marrëveshjes me Kievin për neutralitetin e Ukrainës

Negociatat mes Moskës dhe Kievit për statusin neutral të Ukrainës dhe që ajo të mos hyjë në NATO janë shumë afër. Kështu u tha gazetarëve kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky. “Çështja e statusit neutral dhe mos-anëtarësimit të Ukrainës në NATO është një nga pikat kyçe të bisedimeve, kjo është pika në të cilën qëndrimet e të dy palëve u afruan sa më shumë”, shpjegoi Medinsky.

Ora 16:59
Rusia: Takimi Putin-Zelensky, vetëm pas marrëveshjes mes palëve

Rusia përsëriti se për një takim të mundshëm mes presidentëve Putin dhe Vladimir Zelensky do të mund të flitet vetëm pas miratimit të tekstit të marrëveshjes mes Moskës dhe Kievit. Kështu deklaroi kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, cituar nga Ria Novosti.

“Do të them vetëm se para se të flasim për takimin mes liderëve, është e nevojshme që negociatorët të përgatisin dhe të bien dakord për tekstin e traktatit, i cili sipas propozimeve tona duhet të nënshkruhet nga ministrat e jashtëm.

Më pas traktati do të të miratohet nga qeveritë dhe vetëm më vonë do të ketë kuptim të flasim për një samit të krerëve të shteteve”, shpjegoi Medinsky.

Ora 16:46
Sulm me raketa në Ukrainë, raportohet për viktima masive në Mykolaiv

Sipas BBC në Ukrainë po raportohet për viktima masive pas një sulmi me raketa në një kazermë të ushtrisë ukrainase në qytetin jugor të Mykolaiv. Një raport thotë se të paktën 45 persona kanë vdekur, shkruan BBC. Korrespondenti Andrew Harding, në Odesa, thotë se të paktën dy raketa kanë goditur kazermat e ushtrisë në periferi veriore të qytetit.

Harding thotë se kazermat po përdoreshin për të trajnuar ushtarët lokalë në qytetin që ka frenuar një ofensivë të madhe ruse përgjatë bregut të Detit të Zi.

"Mykolaiv ka përjetuar javë bombardimesh intensive, pasi trupat ruse u larguan nga qyteti," thotë ai.

Ora 16:39
Përfundon telefonata e presidentit Biden me homologun e Kinës, Xi Jinping

Telefonata e presidentit të SHBA Joe Biden me presidentin kinez Xi Jinping përfundoi, tha Shtëpia e Bardhë.

Telefonata mes liderëve zgjati një orë e 50 minuta.

Sipas medias shtetërore kineze CCTV, Xi i tha Bidenit se "konflikti dhe konfrontimi nuk janë në interesin e askujt" dhe "Kina dhe SHBA kanë përgjegjësi të punojnë për paqen".

Ora 16:32
Media ukrainase: Vritet një tjetër komandant i rëndësishëm rus

Një tjetër komandant rus, koloneli Sergey Sukharev , u vra në luftën në Ukrainë. Ai drejtoi regjimentin 331 të ajrit dhe u bë i famshëm në 2014 për masakrën pranë Ilowajsko, ku trupat ruse u përball në një betejë të përgjakshme me ukrainasit. 

Kyiv Post raporton se kjo është "një goditje të rëndë në moralin e ushtrisë ruse". 

"Konfirmohet: Sukharev u vra në luftime, ai u eliminua në Ukrainë. Ai ishte drejtpërdrejt përgjegjës për masakrën e Ilovaisk të vitit 2014”, raportojnë mediat ukrainase duke publikuar një foto të komandantit rus.

Ora 16:22
Zhduket gazetarja në Ukrainë, mendohet se ndodhet në duart e rusëve

Gazetarja ukrainase Victoria Roshchina nga Hromadske është zhdukur në Kherson dhe thuhet se është e burgosur e ushtrisë ruse, shkruan Corriere.

Kjo u raportua nga Hromadske.ua, gazeta online për të cilën punon reporterja.

"Më 11 mars, Victoria u nis në rrugën e saj nga Energodar në Mariupol. Lidhja ishte e dobët dhe nuk mundëm të flisnim me të. Ne e dimë nga disa dëshmitarë se më 12 mars ai ishte në Berdyansk të pushtuar. Dhe më 16 mars mësuam se ajo ishte ndaluar, ndoshta që në datën 15, nga shërbimet ruse të sigurisë. Nuk e dimë se ku është tani”. 

Për dy ditë "ne bëmë kërkime pa bërë publike se çfarë ndodhi, përfundon gazeta, por tani i kërkojmë shoqatës gazetareske ukrainase dhe ndërkombëtare të bëjnë gjithçka për ta çliruar atë".

Ora 16:07
Bullgaria shpall "Non-Grata" 10 diplomatë rusë, i urdhëron të largohen nga vendi

Bullgaria ka shpallur “persona non grata” 10 diplomatë rusë dhe u ka dhënë atyre 72 orë kohë që të largohen nga vendi ballkanik. Ai tha se aktivitetet e tyre konsideroheshin të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik.

Kjo është vala e dytë e dëbimeve të diplomatëve rusë nga Bullgaria, ku më 2 mars mes akuzave se ata ishin të përfshirë në spiunazh, kishte dëbuar dy diplomatë të tjerë. Bullgaria ishte aleati më i afërt i Moskës gjatë Luftës së Ftohtë, por tani një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ajo ka dënuar pushtimin e Ukrainës.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, Ministria e Jashtme tha se kryeministri Kiril Petkov ishte konsultuar për dëbimet dhe ambasadori rus në Sofje ishte informuar.  Ambasada ruse në vend e quajti atë një "vendim armiqësor" që do të dëmtonte marrëdhëniet midis dy kombeve.

Ora 15:39
Xi Jinping i drejtohet presidentit Biden: Konflikti nuk është në interesin e askujt

"Një konflikt nuk është në interesin e askujt". Presidenti kinez Xi Jinping ia tha këtë presidentit amerikan Joe Biden gjatë bisedës së tyre telefonike sot, siç raporton televizioni kinez, shkruan Corriere.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së nuk mund të arrijnë në fazën e konfrontimit, gjë që nuk është në interesin e askujt. Kështu deklaroi presidenti kinez, Xi Jinping, gjatë intervistës në bisedës me homologun e tij amerikan, Joe Biden, në lidhje me krizën në Ukrainë. 

"Kriza e Ukrainës është diçka që ne nuk duam ta shohim," tha Xi, duke cituar nga People's Daily, gazeta e Partisë Komuniste Kineze.

“Ngjarjet tregojnë edhe një herë se marrëdhëniet mes shteteve nuk mund të arrijnë pikën e konfrontimit. Konflikti dhe konfrontimi nuk janë në interesin e askujt”, tha presidenti kinez, duke shtuar se “paqja dhe siguria janë thesaret më të çmuara të bashkësisë ndërkombëtare”.

Ora 15:33
5 arsyet pse telefonata mes Biden dhe Xi Jinping është kaq e rëndësishme

Arsyet përse është e rëndësishme në mes të gjithë stuhisë së vazhdueshme të diplomacisë, telefonata midis presidentit të SHBA, Joe Biden, dhe presidentit kinez, Xi Jinping.

-Vjen në një moment kritik në luftën Rusi-Ukrainë: Sipas zyrtarëve amerikanë, Kina po mendon nëse do t'i japë ndihmë ushtarake apo financiare Rusisë, e cila e ka kërkuar atë pasi ushtria e saj po pëson humbje të mëdha në Ukrainë. Nëse Kina bie dakord, ajo mund të zbehë marrëdhëniet e saj me Perëndimin për dekadat e ardhshme.

-Kina mund t'i ofrojë Rusisë një sërë mbështetjesh: Në bisedën e tyre telefonike, Biden shpreson t'i bëjë të qartë Xi-t anët negative të ndihmës në luftën e Rusisë, qoftë nëpërmjet ndihmës ushtarake apo financiare.

-SHBA duhet të menaxhojë një partneritet "gjakftohtë": Edhe para se Rusia të pushtonte Ukrainën, zyrtarët amerikanë po shikonin me kujdes teksa lideri rus Vladimir Putin dhe Xi po afroheshin më shumë. 

-Aleatët amerikanë në Azi po vëzhgojnë nga afër: Pushtimi i Rusisë ka krijuar ankth në mbarë botën. Një vend që shikon nga afër është Tajvani. Pekini kohët e fundit ka rritur fluturimet ushtarake pranë ishullit duke dalë kundër mbështetjes amerikane.

-Biden dhe Xi kanë botëkuptime shumë të ndryshme: Para konfliktit në Ukrainë, Biden dukej se synonte të ripërqendronte politikën e jashtme amerikane drejt Azisë, ku ai e sheh konkurrencën midis SHBA-së dhe Kinës si një sfidë përcaktuese të shekullit të ardhshëm. Dhe ndërsa kriza e Ukrainës ka shqetësuar Shtëpinë e Bardhë javët e fundit, zyrtarët këmbëngulin se janë ende në gjendje të ruajnë vizionin e tyre mbizotërues.

Ora 15:07
'Zi' në televizionin shtetëror rus, ndërpritet fjalimi i Putin

Televizioni shtetëror rus papritur ndërpreu fjalimin e Presidentit Vladimir Putin në stadiumin Luzhniki në Moskë, ku foli për përvjetorin e aneksimit të Krimesë që është sot.

Ndërprerja e fjalimit të presidentit ukrainas u pasua nga thirrjet patriotike.

"Për një rastësi të pastër, fillimi i operacionit special ishte ditëlindja e ...", ky ishte edhe momenti që iu ndërpre fjala.

Ende nuk është bërë e qartë se çfarë ka ndodhur. 

Ora 14:52
Ende 1300 njerëz nën teatrin e bombarduar para disa ditësh në Mariupol

Në bodrumin e teatrit Mariupol ka ende 1300 njerëz. Komisionerja për të drejtat e njeriut në parlamentin ukrainas, Lyudmyla Denisova, e bëri të ditur këtë duke folur në televizion, sipas raporteve të BBC , duke siguruar se ndihma është duke u zhvilluar dhe duke kujtuar se dje 130 njerëz u shpëtuan nga rrënojat.

Ora 14:51
Kiev: Rusët qëllojnë drejt spitalit në rajonin e Luhanskut

Në Lysychansk, në rajonin e Luhansk, rusët hapën zjarr ndaj një spitali. Kjo u denoncua nga kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, Serhiy Haidai. “Gjithsej kanë qëlluar dhjetë plumba. Spitali dhe ndërtesat fqinje të banimit kanë mbetur pa dritare. Në strukturë po punohet për shpëtim”, shpjegoi ai.

Ora 14:50
Putini: Operacion special për të ndalur gjenocidin në Donbas

Vladimir Putin gjatë një fjalimi në Moskë, i cili festoi përvjetorin e tetë të aneksimit të Krimesë tha se një Donbas po zhvillohet një operacion special për të ndaluar gjenocidin.

“Janë banorët e Krimesë që kanë bërë zgjedhjen e duhur, i kanë vënë pengesë nacionalizmit dhe nazizmit, që vazhdon të ekzistojë në Donbass, me operacionet ndëshkuese të kësaj popullate. Ata kanë qenë viktima të sulmeve ajrore dhe kjo është ajo që ne e quajmë gjenocid. Shmangia e tij është qëllimi i operacionit tonë ushtarak në Ukrainë”, tha Putin në fjalimin e tij, përfundoi me një citim nga Bibla: "Nuk ka dashuri më të madhe se sa të japësh shpirtin për miqtë."

Ora 14:20
Kryebashkiaku Lviv: Putini është si Hitleri! Perëndimi të na sigurojë armë si të Izraelit

Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi tha se Putin është Hitleri, duke shtuar se kjo është edhe arsyeja që ai sulmoi teatrin e Mariupolit.

"Ju më pyesni pse e goditi Rusia atëherë? Pra, pse goditi teatrin e Mariupolit, pse goditi civilët? Sepse ai është si Hitleri,", tha ai.

Sadovyi tha se edhe Lviv është në sulmet ruse, por se ata janë mjaft të përgatitur.


"Edhe ne jemi nën sulm, por jemi të përgatitur, kemi një sistem reagimi të shpejtë dhe një armë kundërajrore", u shpreh ai.

Ai përmes fjalës së tij i ka bërë thirrje Perëndimit që t'i siguroi Ukrainës një sistem të pakësimit të raketave si të Izraelit.

Ora 14:07
U shtrua në spital, por nuk i mbijetoi plagëve, humb jetën nga bombardimet ruse balerini i Operas në Ukrainë

Balerini i Operës Kombëtare të Ukrainës, Artem Datsishin u vra nga bombardimet ruse në Kiev.

Ai u shtrua në spital pasi u plagos ditët e fundit nga bombardimet ruse, por nuk arriti t'i mbijetonte dëmtimeve.

Ora 13:47
Ukraina: Vriten 222 persona në Kiev

222 persona janë vrarë në Kiev që nga fillimi i luftës, thonë zyrtarët lokalë Administrata e qytetit të Kievit ka njoftuar se numri i përgjithshëm i të vrarëve në kryeqytet është 222. Këtu përfshihen 60 civilë dhe katër fëmijë. Kryeqyteti u godit nga sulmet e mëngjesit të sotëm.

Ora 13:33
Qan dhe grindet, vogëlushi s'pranon t'i japë lamtumirën e fundit babait të tij që do t'i ribashkohet luftës në Ukrainë (VIDEO)

 

Lamtumirat janë gjithmonë të vështira, sidomos kur në sfond dëgjohen bombardimet ruse.

Në një video e cila është bërë virale orët e fundit një bebush i vogël qan dhe grindet, teksa babai i tij ushtar përpiqet ta përqafojë. Kjo mbase do të jetë puthja e tyre e fundit, pasi i vogli, nëna dhe vëllai i tij  do të largohen nga Irpin drejt një vendi më të sigurt, ndërsa babi do të qëndrojë në Ukrainë për të luftuar.

E qara e të voglin po thyen zemrat e shikuesit.

Ora 11:41
Lavrov: Çdo dërgesë armësh në Ukrainë do të jetë një objektiv

"Çdo ngarkesë që transporton armë në Ukrainë do të bëhet një objektiv legjitim për Rusinë" tha Ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov në një intervistë për "Russia Today".

Për sa i përket mbrojtjes raketore, kreu i diplomacisë ruse theksoi se ukrainasit “për arsye pragmatike po mendojnë t'u kërkojnë anëtarëve të NATO-s që kanë sisteme të mbrojtjes ajrore sovjetike t'i ndajnë ato me ta. Dëshiroj t'u kujtoj vendeve në fjalë se sistemet e mbrojtjes raketore sovjetike dhe ruse ose ndonjë qëllim tjetër janë atje në bazë të marrëveshjeve dhe kontratave ndërqeveritare që përfshijnë certifikatën e përdoruesit përfundimtar, e cila nuk na lejon të dërgojmë armë në asnjë vend të tretë. pa pëlqimin tonë.. Ky është një detyrim ligjor” tha Lavrov.

Ora 11:27
Klitschko tregon Kievin e shkatërruar: Rusët kanë sulmuar shtëpi, kopshte dhe shkolla

"Armiku vazhdon të sulmojë kryeqytetin. Sot në mëngjes zona e banimit në lagjen Podolsk u bombardua nga orkët të cilët goditën gjashtë shtëpi, kopshte dhe një shkollë.", kjo ishte deklarata e kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Një person vdiq, 19 u plagosën, përfshirë katër fëmijë. Lajmin e dha  kryebashkiaku i Kievit përmes një vidoeje të postuar në Telegram në të cilën, i veshur me një jelek antiplumb, tregon ndërtesat e shkatërruara nga sulmet.

Ora 11:01
Putin telefonat me Scholz: Propozimet e Kievit absurde, duan vetëm të bllokojnë negociatat, Rusia gati për zgjidhje

Në një telefonatë të zhvilluar këtë mëngjes, presidenti rus Vladimir Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz se Kievi po përpiqet të bllokojë bisedimet e paqes me Rusinë, por se Moska është ende e interesuar për vazhdimin e negociatave. 

“Ne kemi vënë re se regjimi i Kievit po përpiqet në çdo mënyrë të vonojë procesin e negociatave, duke bërë propozime gjithnjë e më joreale”, tha Kremlini.

Ai tha se pala ruse është e gatshme të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje në përputhje me parimet e njohura të saj.

Ora 10:47
Lufta në Ukrainë, Papa Françesku: Njerëzimi po kërcënohet sërish nga abuzimi me pushtetin, po goditen njerëzit e pambrojtur

Papa Françesku tha se njerëzimi po kërcënohet nga abuzimi i pushtetit, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

"Edhe një herë njerëzimi kërcënohet nga një abuzim i pushtetit dhe interesave partiake, i cili i dënon njerëzit e pambrojtur të vuajnë të gjitha format e dhunës brutale”, u shpreh ai.

Papa Françesku e shkruan këtë në një mesazh drejtuar Imzot Gintaras Grusas, kryepeshkop i Vilniusit.

Ora 10:32
Raketa në Donbas, goditen shtëpi dhe zyra, të paktën 2 viktima

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 6 të tjerë janë plagosur nga një sul në Kramators. Ky është qyteti më i rëndësishëm i rajonit të  Donbasit.

Sipas raportimeve nga mediat mësohet se forcat ruse kanë goditur shtëpi dhe zyra.

Ora 09:52
Lajme të rreme për luftën, Anglia heq licencën e televizionit shtetëror rus

Autoriteti rregullator për industrinë e transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar (Ofcom) ka hequr licencën e televizionit shtetëror rus “Russia Today”. Kjo do të thotë se do të ndërpritet transmetimi i televizionit rus në Mbretërinë e Bashkuar.

Rregullatori tha se beson se RT është “i pa përshtatshëm” për të mbajtur një licencë transmetimi në Mbretërinë e Bashkuar, pas një hetimi mbi paanshmërinë e mbulimit të lajmeve të pushtimit rus të Ukrainës,  

“Liria e shprehjes është diçka që ne e ruajmë me çdo kusht në këtë vend,” tha Ofcom.

Ora 09:36
Kryebashkiaku i Kievit paralajmëron një sulm të ashpër në qytet

 

Kryebashkiaku i Kievit ka paralajmëruar një sulm të ashpër në qytet. Vitali Klitschko po ashtu vuri në dukje dëmin pas tij dhe tha se ka të ngjarë të ishte shkaktuar nga një raketë.

‘Gjashtë ndërtesa duke përfshirë një shkollë u dëmtuan në sulm’,- tha ai. Sulmi kishte shënjestruar një zonë banimi pa bazë ushtarake, tha zoti Klitschko. I pyetur se çfarë priste të ndodhte më pas në Kiev, ai tha se beson se do të ketë një sulm të ngjashëm me atë të parë në Mariupol dhe Kharkiv.

Të dy qytetet janë rrethuar nga forcat ruse dhe janë përballur me bombardime pothuajse të vazhdueshme. Situata është veçanërisht e rëndë në Mariupol, ku banorët janë të bllokuar në qytet me akses të kufizuar në ushqim, ujë të rrjedhshëm dhe energji elektrike.

Ora 09:23
Historia mbrapa buzëqeshjes së ngrirë të Valerias në kopertinën e 'The Times', 5-vjeçares që humbi jetën në luftë (VIDEO)

 

Mijëra fëmijë kanë humbur buzëqeshjen dhe qindra të tjerë jetën nga bombardimet e pamëshirshme ruse në Ukrainë.

Mes fëmijëve të vrarë është edhe Valeria, vajza e vogël 5-vjeçare nga Kryvyi Rih.

Sytë e pafajshëm dhe buzëqeshja që do të mbetet përjetësisht në kujtimet tona ka zbukuruar kopertinën e "The Times" në nder të të gjithë fëmijëve që kanë humbur jetën në luftë. Në luftën të cilën nuk e zgjodhën!

Ora 09:23
Ukraina: 14,200 ushtarë rusë të vrarë prej nisjes së luftës

Në ditën e 23-të të luftës, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e fundit se 14,200 ushtarë rusë janë vrarë prej shpërthimit të konfliktit. Si Ukraina, ashtu edhe Rusia prezantojnë të dhëna të ndryshme për fitoret dhe humbjet e palës tjetër. Rusia ka pretenduar më 3 mars, se 498 trupa të saj janë vrarë në luftime, mirëpo prej atëherë nuk ka përditësuar të dhënat.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë të enjten se numri i viktimave ruse mund të jetë mbi 7,000 dhe i të plagosurve mbi 14,000. Ukraina po ashtu ka pretenduar se ka shkatërruar 450 tanke ruse, 93 aeroplanë, 112 helikopterë dhe ka dëmtuar 43 sisteme kundërajrore.

Ora 09:18
Mbi 1000 të evakuuar nga Kievi gjatë natës

Vazhdon evakuimi i civilëve nga rajoni i Kievit. Mbi një mijë ukrainas u transportuan jashtë rajonit gjatë natës me autobusë dhe makina, thanë zyrtarët e Shërbimit të Emergjencave, duke deklaruar se këta njerëz tani janë në një "vend të sigurt".

Ora 09:16
Burger King refuzon të mbyllet në Rusi

Menaxheri i 800 dyqaneve Burger King në Rusi “refuzoi” mbylljen e tyre pas pushtimit të Ukrainës. Kështu ka raportuar pronari i zinxhirit të ushqimit të shpejtë të cituar nga BBC.  Burger King shpjegoi se i kishte kërkuar partnerit të tij lokal Alexander Kolobov të mbyllej, por ai "refuzoi ta bënte këtë".

Ora 09:13
Raketat ruse godasin një pallat në Kiev, një i vdekur

Një person është vrarë dhe katër janë plagosur pasi ushtria ruse bombardoi një ndërtesë banimi në pjesën veriore të Kievit, thonë shërbimet e urgjencës. Shërbimet thonë se 12 persona u shpëtuan dhe 98 u evakuuan nga ndërtesa pesëkatëshe në lagjen Podilskyi. Fotot e shpërndara nga Anton Gerashenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës, tregojnë zjarrfikësit që po luftojnë për të kontrolluar një flakë, mes ndërtesave të dëmtuara, automjeteve të djegura dhe një krateri të madh. Përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar, thotë Gerashenko.

Ora 09:13
300 anije me grurë nisen për në BE, ndalohen nga Rusia

Rreth 300 anije që transportojnë grurë për eksport nga Rusia dhe Ukraina në Evropë janë bllokuar në Detin e Zi nga autoritetet ruse. Aktualisht nuk eksportohet më grurë nga portet e Ukrainës, ndërsa shumë pak vjen nga Rusia, duke ngjallur alarmin në tregun ndërkombëtar të lëndëve të para për përdorim ushqimor.

Ora 09:10
Bombardohet qendra tregtare në Kharkiv, një i vdekur

Një zjarrfikës vdiq dhe një tjetër u plagos gjatë bombardimeve ruse në një nga qendrat më të mëdha tregtare të Kharkiv.   

Zjarr masiv në qendrën tregtare në Kharkiv
Ora 08:51
Mariupoli nuk gjen qetësi, 'plasin' luftimet ne qëndër të qytetit

Në qendër të Mariupolit po zhvillohen luftime. Kështu pretendon zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, Igor Konashenkov.

"Njësitë e Republikës Popullore të Donetskut, me mbështetjen e forcave të armatosura ruse, po forcojnë rrethimin dhe po luftojnë kundër nacionalistëve në qendër të Mariupolit", tha ai.

Ora 08:28
Rusia vendos zonë ndalim-fluturimi mbi rajonin e Donbasit të Ukrainës

Një zyrtar separatist pro-rus në Donetsk ka thënë se është krijuar një zonë ndalim-fluturimi mbi rajonin e Donbasit. Rajoni, i cili është pjesë e Ukrainës lindore, përbëhet nga Donetsk dhe Luhansk. Ato kontrollohen pjesërisht nga separatistët pro-rusë, të cilët i përcaktojnë rajonet si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut.

Çfarë është një zonë ndalim-fluturimi?

Është folur shumë për zona të ndaluara për fluturime gjatë këtij konflikti, me Ukrainën që i bën thirrje Perëndimit që të vendosë një zonë mbi territorin e saj.

Një zonë e ndaluar fluturimi është një ndalim për të gjithë ose disa lloje të avionëve që fluturojnë nëpër një hapësirë ajrore të caktuar.

Ata që vendosin zonën e ndalim-fluturimit duhet të jenë të gatshëm të rrëzojnë çdo avion që shkel hapësirën.

Lëvizja mund të përdoret për të mbrojtur objektivat në terren, të tilla si civilët që ikin drejt sigurisë.

Ora 08:18
Të ulur në gjunjë dhe duke u lutur, ja sesi i nderojnë ukrainasit ushtarët e tyre të vrarë nga rusët (VIDEO)

 

Të ulur në gjunjë njeri pas tjetrit dhe duke bërë kryqin e lutje, kjo është mënyra sesi ukrainasit nderojnë ushtarët e tyre të vrarë.  

Videoja ku ushtarit i jepet lamtumira e fundit ka emocionuar të gjithë botën, që këto 23 ditë i shohin zhvillimet e luftës pa frymë.

Ora 07:47
Raketat ruse godasin një nga qendrat me të mëdha tregtare në Kharkiv, humb jetën zjarrfikësi, plagoset një tjetër

Një zjarrfikës humbi jetën dhe një tjetër u plagos, pas bombardimeve ruse që goditën një nga qendrat më të mëdha tregtare të Kharkiv. Shërbimet e urgjencës ndërhynë pasi alarmi ra pas zjarrit që shpërtheu pas bastisjeve ruse në qytetin ukrainas me dy pavijone në qendër, ndërsa dy ndërtesa të tjera banimi u dëmtuan pjesërisht. Pas bombardimit, dy zjarrfikësit u plagosën: njëri prej tyre vdiq pak më vonë, ndërsa tjetri u shtrua në spital.

Ora 07:43
Ushtari lë për pak armën dhe merr violinën, luan himnin ukrainas dhe emocionon me performancën e tij në bunker (VIDEO)

 

Asgjë nuk e mposht moralin e ukrainasve. Mijëra njerëz kanë lënë pas realitetin e tyre, zakonet dhe përditshmërinë për të marrë armët dhe për të mbrojtur atdheun. Ashtu si ky ushtari në video, i cili dikur luante në violinë për t'u relaksuar, ndërsa sot për shokët e tij ushtarë në bunker.

Videoja në të cilën violinisti luan himnin kombëtar të Ukrainës është bërë virale.

 

Ora 07:37
Sulme raketash mbi Kiev, vritet aktorja e njohur ukrainase

Një aktore ukrainase, Oksana Shvets, 67 vjeç, e njohur për punën e saj në ekranin e kinemasë dhe të teatrit, u vra në një sulm me raketa ruse në Kiev.

Këtë e ka bërë të ditur teatri vendas, siç raportojnë mediat ndërkombëtare. 

“Gjatë bombardimit të një ndërtese banimi në Kiev, u vra një artiste ukrainase e vlerësuar me çmime, Oksana Shvets”, thuhet në një deklaratë të Teatrit të Rinj në Facebook. 

"Nuk ka falje për armikun që ka ardhur në tokën tonë!", vijon deklarata nga teatri. 

Veterane e skenës dhe ekranit prej dekadash, aktorja ishte vlerësuar me një nga çmimet më të larta artistike në vendin e saj për angazhimin e saj të vazhdueshëm ndaj teatrit.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë 3 shenjat më ziliqare të horoskopit

Cilat janë 3 shenjat më ziliqare të horoskopit