E qetë dhe pa trazira është mbyllur dita e 6-të e protestës në Tiranë. Thirrjes për t'u mbledhur në orën 18:00 ditën e sotme i janë përgjigjur vetëm disa qytetarë, të cilët janë mbledhur në sheshin 'Skëndërbej' dhe më pas kanë marshuar dhe janë mbledhur para Kryeministrisë. Protestuesit janë shfaqur të qetë dhe se ajo që vihet re, pavarësisht numrit të vogël të tyre, nuk ka prezencë të miturish si në protestat e tjera. Në protestë nuk ka pasur tensione apo plasje të kapsollave, veprime që kanë shoqëruar protesta e 5 ditëve të kaluara. Sot kanë qenë prezentë edhe anëtare të lëvizjes 'Vetëvendosja' në Tiranë, të cilët kërkojnë largimin e Ardi Veliut. Protestuesit tashmë nuk po kërkojnë më drejtësi për vrasjen e Klodjan Rashës, por shprehen se kanë dalë sipas tyre për dhunën e ushtruar nga policia për të miturit dhe hedhjen e gazit lotsjellës dhe largimin e Ardi Veliut.

Policia ka qenë edhe sot në gatishmëri duke rrethuar institucionet kryesore dhe në shesh por nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje apo thirrje të tyre që protestuesit të shpërndaheshin. "Poshtë diktatura" apo "nuk ka drejtësi pa drejtësi", "Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese" kanë qenë disa nga parullat që ata mbanin në dorë, ndërsa në fund protestës janë rimbledhur sërish në qendër ku kanë qëndruar për disa minuta dhe më pas janë shpërndarë.

Protesta nisën në emër të vrasjes së Klodjan Rashës nga një efektiv gjatë orës policore, por më pas ajo precipitoi në dhunë, shkatërrim dhe djegie të sinjalistikën rrugore e koshave të mbeturinave, ndërsa nga policia është hedhur edhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve. Dhuna e përdorur sidomos nga të miturit është cilësuar nga qeveria si e nxitur dhe e organizuar nga PD dhe LSI me qëllimin për të krijuar kaos dhe rrëmujë. Gjatë ditës së djeshme në protestë iu shfaqën hapur përfaqësues të PD dhe LSI, si Floida Kërpaçi dhe Përparim Spahiu. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:57
Protestuesit rivendosen në qendër, qëndrojnë të qetë dhe në grumbuj

Protestuesit qëndrojnë vetëm 20 minuta te Kryeministria dhe shkojnë sërish në qendër. Ata qëndrojnë në grumbull, të qetë dhe pa bërë thirrje apo shkaktuar tensione të ndryshme. Ndërkohë që pranë ministrive ka efektivë të shumtë policie që qëndrojnë në gatishmëri.

Ora 19:29
Dita e 6-të e protestës/ Një numër i ulët personash mblidhet përpara Kryeministrisë

1607970472_PROTESSTA.jpg

Në ditën e 6-të të protestave të organizuara për shkak të vrasjes së Klodjan Rashës vihet re një numër i ulët i tyre.

Aktualisht ata janë mbledhur përpara Kryeministrisë pasditen e sotme.

Ora 19:25
Në protestë përfaqësues të 'Vetëvendosjes'! Bojken Abazi: Të largohet dhe arrestohet Ardi Veliu, manipuloi vrasjen e  Klodjan Rashës         

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Tiranë, Bojken Abazi ishte i pranishëm në protestë ku shprehet për Report Tv se në vend është vendosur një shtet policor dhe protesta po zhvillohet pikërisht për këtë arsye dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre.

Abazi kërkon dorëheqjen e Ardi velitu duke e cilësuar si kryepolicin e shtetit policor, ndërsa shkon deri në kërkimin për arrestimin e tij, pasi ka manipuluar provat për vrasjen e Klodjan Rashës.

"Këto protesta po zhvillohen kundër dhunës dhe pushtetit policor. Pamë që dha dorëheqjen ministri i Brendshëm, ndërsa kryepolici i shtetit policor, Ardi Veliu vijon të drejtojë policinë dhe kërkesa jonë është që të shkarkohet Veliu dhe kjo do të qetësonte disi gjendjen. Gjithashtu ne kërkojmë dhe arrestimin e tij, pasi ai është përpjekur për të manipulojë provat për vrasjen e Klodjan Rashës", tha Abazi

Ora 19:24
'Poshtë diktatura' dhe 'Pa drejtësi nuk ka drejtësi', protestuesit mblidhen para Kryeministrisë

Protestuesit  janë mbledhur para Kryeministrisë duke bllokuar rrugën, ku automjetet janë ende në lëvizje dhe qarkullimi i tyre nuk është bllokuar nga policia. Thirrjet e tyre në protestë janë "Poshtë diktatura" dhe "Pa drejtësi nuk ka drejtësi"

Ora 19:17
Protestuesit i drejtohen Kryeministrisë, nisin marshim paqësor dhe 'të heshtur'

Në marshimin paqësor të  protestuesve, që duhet theksuar se janë të vogël në numër, ka nisur nga sheshi "Skëndërbej' drejt Kryeministrisë, ndërsa gjatë marshimit nuk ka as thirrje dhe as plasje të kapsollave apo të bërtitura. Protestuesit ecin të qetë dhe në heshtje. Në këtë protestë vihet re nuk ka të mitur.