Në Ditën Botërore të Autizmit qeveria shqiptare ka vendosur që të dyfishojë pagesën mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi ndryshe, si dhe njohjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për rreth 14 mijë kujdestarët dhe ndihmësit e tyre.

Gjatë aktivitetit “PAK Art në Pedonale”, në Berat, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, theksoi se kjo kategori do të marrë shërbime më të specializuara dhe do të ketë njëherësh kujdes më të posaçëm.

Sot po lançojmë Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara për vitet 2026–2030. Ky nuk është vetëm një angazhim politik, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe një hap i rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian. Po finalizojmë paketën mbështetëse për dyfishimin e pagesës financiare për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, përfshirë fëmijët me spektër autizmi, fëmijët e verbër, tetraparaplegjikë dhe fëmijët me sindromën Down”, deklaroi ministrja.

Qeveria ka ndërmarrë iniciativën së pari për të dyfishuar pagesën mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në 18 vjeç.

Nga ana tjetër, ka njohur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për mbi 14 mijë kujdestarë të cilët ofrojnë kujdes, nuk janë vetëm prindër, janë edhe persona që kanë në kujdes fëmijë apo persona me aftësi të kufizuara, të cilët ia dedikojnë jetën e tyre shërbimit dhe kujdesjes për këta persona.

Qeveria shqiptare duke njohur si detyrim moral edhe për të lehtësuar më shumë përditshmërinë e personave me aftësi të kufizuar, ka marrë iniciativën për të njohur kontributet e sigurimeve për kujdestarët, të cilët shpesh nuk janë vetëm prindër, por edhe persona që kujdesen për fëmijë apo individë me aftësi të kufizuara. Ne kemi një detyrim moral për t’u garantuar atyre një pension dinjitoz, si dhe për t’u ofruar mbështetjen e nevojshme përmes skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore", u shpreh zv. ministrja Albana Koçiu.

Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vuri në dukje rolin kyç të qeverisjes vendore në zbatimin e këtyre politikave, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe koordinim më të fortë mes nivelit qendror dhe atij lokal.

"Është inkurajuese që këto politika janë të fokusuara tek qytetarët dhe tek shtresat më në nevojë. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme që bashkitë të rrisin angazhimin dhe financimet e tyre për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve në nivel lokal", theksoi ai.

Vendimet përkthejnë në praktikë angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke sjellë politika konkrete që mbështesin realisht fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.