Në Ditën Botërore të Insulteve, dr.Ermir Roçi, neurolog pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, jep rekomandime mjekësore për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve vaskularo-cerebrale.
Në Shqipëri, 1 në 4 persona pëson goditje në tru, ndaj ndërgjegjësimi, kujdesi dhe ndjekja e rekomandimeve të mjekut është i domosdoshëm.
“Një në katër persona bën një stroke në jetën e tij. Sëmundjet vaskulare renditen në shkallën e parë të vdekshmërisë. Për sa i përket invaliditetit të saj, sëmundjet neorologjike janë të parat. Është bërë një investim shumë i madh sa i përket teknologjisë në trajtimin e strokut. Që kur fillojnë shenjat klinike si mpirja, asimetria e fytyrës, mpirja e duarve, rëndesa e duarve, çrregullimet e të folurit, duhet të reagohet në kohë. Nëse pacienti fillon të ngatërrojë fjalët apo të flasë në mënyrë të pavullnetshme duhet të jetë një alarm. Duhet vepruar shumë shpejt me thirrjen e shërbimeve mjekësore, të mjekut në zonën më të afërt dhe menjëherë trajtimin në spital”, tha Roçi.
“Gabimi që bëhet është që pritet për përmirësim. Në QSUT trajtohen çdo ditë shumë pacientë me strokë. Nëse pacienti vjen në kohë, trajtohet për të kaluar paralizën, në parandalimin e strokut, ku ndikim ka jeta sedentare, diabeti, hipertensioni, stresi, etj”, theksoi ai.
Dr. Roçi u shpreh se të gjithnjë njerëzit duhet të kenë kujdes në trajtimin e sëmundshmërisë për parandalimin e strokës, sepse është shumë më e vështirë më pas nëse stroku ndodh.
29 tetori njihet si Dita Botërore e Insulteve, një ditë ndërgjegjësimi për goditjen në tru, një gjendje serioze shëndetësore që kërkon veprim të shpejtë.
Qëllimi i saj është të informojë qytetarët mbi shkaqet, simptomat dhe mënyrat e parandalimit të strokut, si dhe të nxisë kujdesin për shëndetin e trurit përmes ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik dhe kontrollit të presionit të gjakut. Njohja e hershme e shenjave mund të shpëtojë jetë dhe të zvogëlojë dëmet.
Komente








