Dita e 13-të e fushatës/ Kandidatët premtime nga terreni! Filo: Projektet që kemi do zhvillojnë ekonominë! Sharka: Do kthejmë barakat e të persekutuarve në muze

Në ditën e 13-të të fushatës, kandidatët për kryetarë bashkie në disa qytete të vendit vijojnë takimet me banorët. Kandidatët e mazhorancës kërkojnë votën për të administruar qytetet e tyre e për të vijuar me projektet e lëna pezull, ndërsa ata të opozitës prezantojnë edhe programet e tyre.

Nxitja e sipërmarrjes për të rinjtë do të jetë në fokus të kandidatit socialist Benet Beci, nëse fiton bashkinë e Shkodrës më 14 Maj. Ndërsa Bardh Spahia i koalicionit “Berisha-Meta” gjatë takimeve në Parrucë e Xhabije tha se me 14 maj duhet votë ndëshkimi për qeverinë që po varfëron vendin. Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Zef Hila tha se demokratët në Vau Dejës janë të bashkuar, duke garantuar fitoren më 14 Maj. Për kandidaten demokrate Klomentina Drini, Prioritet do të jetë një ndërhyrja në infrastrukturë dhe ndryshimi i imazhit të bashkisë.

Kandidati i Berisha-Meta në bashkinë Elbasan, Luçiano Boçi tha se qytetarët do të kenë pushtet real dhe do të marrin vendime në këshillin bashkiak. Kryebashkiaku Gledian Llatja u garantoi banorëve të katundit të ri në Bradashesh se kjo zonë do të kthehet në një nga destinacionet turistike të Elbasanit.

Gjatë takimit me përfaqësues të shoqërisë civile në Durrës, kandidati i koalicionit opozitar, Igli Cara iu përgjigj deklaratës së kryeministrit për mosbashkëpunimin e bashkitë që do të kenë kryetar nga opozita. Kryebashkiaku Sotiraq Filo premtoi rritje rritje ekonomike për familjet korçare.

I besuari i dyshes Berisha-Meta për Lushnjën, Eduart Sharka u premtoi të persekutuarve në Savër se barakat ku kanë jetuar ndër vite të internuarit nga regjimi komunist, do të kthehen në atraksion turistik. I shoqëruar nga Agron Duka dhe Fatmir Mediu, kandidati i koalicionit Bashkë-Fitojmë për Vlorën, Hysni Sharra, kërkoi votën më 14 maj duke bërë dallimin mes tij dhe kundërshtarëve politikë.

Kandidati socialist për Librazhdin, Mariglen Disha konstatoi mungesë investimesh infrastrukturore në fshatin Prevallë. Ndërsa Nisma Thurje organizoi një takim me banorët e Xhamllikut ku u përqendrua tek nevoja për ndryshimin e klasës politike dhe mirëmenaxhimin e parave të buxhetit të bashkisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:41
Gjiknuri dhe Llatja takim me banorët e Katundit të Ri: Vota për PS ‘çimenton’ binomin qeveri- bashki për të vazhduar projektet e mëdha

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një  bashkëbisedim me banorët e Katundit të Ri në njësinë Bradashesh, ku prezantuan projektet për 4 vitet e ardhshme të zhvillimit të Elbasanit.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik, u shpreh se vota për Gledin dhe PS më 14 maj, është garanci për zhvillimin e qytetit. “Kur votoni për Gledin dhe Partinë Socialiste dhe këshilltarët e Partisë Socialiste keni votuar për një ekip, qoftë për Gledin, për Damianin dhe për të gjithë që këtë mos ta lëmë vetëm, por të jemi një nyje lidhëse mes interesave tuaja dhe interesit të institucioneve shtetërore me të cilat ju keni të bëni. Na jepni të drejtën morale për t’i çuar gjërat deri në fund. Ky është angazhimi im publik dhe unë këtë e dua me votën tuaj për Gledin dhe Partinë Socialiste”, tha ai. 

Gjiknuri nënvizoi se opozita kërkon që ta kthejë Elbasanin në një bunker politik për interesit e saj. Ai theksoi se falë binomit qeveri-bashki, janë një sërë projektesh të mëdha të cilat do të marrin jetë duke sjellë më shumë urbanizim dhe ekonomi për zonën.

“Sa herë e ka marrë partia opozitare e ka kthyer bashkinë e Elbasanit në një bunker politik, ndërprerje komunikimi. Vetëm zbatim i qendrës, i dyshes Berisha – Meta, martesë e re zakone të vjetra. Këtu vihet në rrezik zhvillimi i Elbasanit.  Elbasanit i duhet binomi i komunikimit bashki – qeveri që të funksionojnë gjërat, të ecin të gjithë gjërat e mëdha. Edhe ne pastaj të kemi ndihmë edhe për shumë gjëra të tjera. Prandaj them që vota në 14 maj ‘çimenton’ edhe këtë lloj binomi qeveri – bashki për të vazhduar projektet e mëdha që janë projekte të rëndësishme për Elbasanin, “By Passi”, rehabilitimi i lagjes Kala për ti kthyer identitetin qytetit, qoftë edhe shëtitorja, Auto Motoparku, të gjitha këto po sjellin zhvillim.  Për ujësjellësin e ri me kanalizime janë 15 milion euro që do investohen. Të gjitha këto janë projekte të qeverisë shqiptare”, deklaroi Gjiknuri. 

Duke u ndalur tek alternative përballë, Gjiknuri tha se ai është vetëm një riciklim i dyshes Berisha-Meta. “Nuk duhet të ketë njerëz që të gënjehen nga kjo qasja politike që ka kundërshtari. Kundërshtarin ju e njihni. Lëre çfarë ‘e fryjnë’ në Tiranë se gjoja Luçiano Boçin nuk e njohim. Ju duket sikur flet bukur se atë zanat ka. Nuk është se është marrë ndonjëherë me administrim publik, as është marrë ndonjëherë të zgjidhë probleme komunitare. Duke thënë fjali apo poezi apo proza të bukura në televizor nuk do mund t’u prishë mendjen njerëzve. Ai këtu ka qenë kryetar PD-je, ka pasur të gjithë politikën e kuadrit, të gjithë emërimet ai i bënte. Ka qenë kandidat për kryetar bashkie dhe humbi. E zgjodhi Saliu nënkryetar partie se i duhet bashkia e Elbasanit prandaj ai kandidon për hesap të tij dhe të Ilir Metës. Ky është realiteti. Rekordet e tij janë të tilla që nuk të bindin se ai mund të bëjë ndonjë gjë”, shtoi më tej drejtuesi politik i PS për qarkun e Elbasanit.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se pozicioni strategjik ofron një avantazh të madh për biznesin.

“Elbasani ka një pozicion shumë të mirë qoftë gjeografik, ka rrjet të mirë energjetik, ka lidhje hekurudhore, ë dhe njerëzit kanë preferencë të ndërtojnë ndërmarrje këtu sepse kjo sjell një avantazh të madh për biznesin e tyre. Këtë pozicion ne duhet ta shfrytëzojmë. Hajde të rregullojmë edhe qytetin dhe të krijojmë kushte më të mira dhe për biznesin që të shtohet aktiviteti ekonomik. Këto do të vijnë zinxhir”, u shpreh Gjiknuri. 

Kryebashkiaku Gledian Llatja renditi disa prej projekteve të rëndësishme që po bëhen në bashkëpunim edhe me qeverinë, si për zhvillimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik, ashtu dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës.

“Kemi marrë edhe premtimin e kryeministrit  për by- pass e Elbasanit, ta spostojmë rrugën komplet këtu dhe ta kalojmë matanë Shkumbinit, atje ku e ka vendin normalisht, dhe kjo këtu të kthehet siç ka qenë një rrugë e jona e brendshme. Po bëjmë edhe ndriçimin ashtu siç e kemi nisur, ta mbyllim të gjithë aksin, të bëjmë edhe trotuarin. Kemi qenë gjatë të gjithë kohës në kontakt për të bërë punë të mira, për të zgjidhur problematikat tona infrastrukturore, por edhe për të krijuar bashkërisht vizionin për zhvillimin e Elbasanit dhe sidomos për zhvillimin e zonës industriale. Ne kemi nisur sot Murin e Gjelbër, dhe është i disati vit në fakt që ne  vazhdojmë mbjelljet në të gjithë zonën tonë industriale, por edhe ku ka sipërfaqe të lira buzë lumit Shkumbin, pikërisht për të shtuar sipërfaqet e gjelbra. Nga krahu tjetër vazhdojmë edhe me presionet, me kërkesat e vazhdueshme  ndaj institucioneve shtetërore, por edhe kompanive private për të vazhduar me përmirësimin e sistemeve të tyre të filtrimit të zonës industriale. Nga ana tjetër kemi pasur dhe kemi një zhvillim konstant në zonën industriale edhe përsa i përket edhe bizneseve të reja dhe kryesisht atyre të cilët nuk ndotin”, tha Llatja. 

Kreu i Bashkisë së Elbasanit u shpreh se kjo zonë do të kthehet në një nga destinacionet turistike.

“Ne e kemi bërë Elbasanin pjesë të 100 qyteteve të BE -së për uljen e ndotjes së mjedisit, por edhe për qytetet e zgjuara Smart Sity, është një nga projektet, misionet më të mëdha që ka BE, dhe është një projekt i cili vazhdon deri në 2030.  Shumë shpejt, brenda këtij mandati ne do të fillojmë dhe rikonstruksionin dhe ta bëjmë Ad Cuintum që kemi në Bradashesh, një nga destinacionet kryesore turistike të Via Egnatia,dhe gjithashtu t'i japim edhe vlerën e vet Manastirit të Shijonit dhe ta kthejmë atë në ditën që ka në qershor në një atraksion, në një festë të madhe për t'i dhënë një mundësi më të mirë zhvillimit ekonomik të gjithë Bradasheshit”, u shpreh Llatja.

Ora 14:54
 Kandidatja e PD për Vaun e Dejës: Pas 14 majit, e hapim bashkinë për të gjithë banorët! Prioritet ndërhyrja në infrastrukturë

 

Kandidatja e PD Klomentina Drini vijoi turin e takimeve me qytetarët derë më derë ku ndalesa e radhës ishin lagjja  “Kinoklub”, lagjja “Pallateve dhe lagjja “Kapedani” në Vau Dejës.

Infrastruktura, ekonomia dhe mungesa e investimeve ishin problemet kyesore të banorëve të cilët nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga institucioni bashkisë ndër vite.

Klomentina Drini premtoi që pas 14 majit bashkia do të jetë e hapur për të gjithë banorët dhe ata do të jenë pjesë e vendimarrjes.

Prioritet do të jetë një ndërhyrja në infrastrukturë dhe ndryshimi i imazhit të bashkisë e cila nuk do të jetë më derë e mbyllur për qytetarët.

Banorët premtuan mbështetje për Kandidaten e partisë Demokratike Klomentina Drini për ndryshimin e dëshiruar për Vaun e Dejës.

Ora 14:37
Mediu dhe Duka në Vlorë: Nëse shmangim përballjen sot, humbasim të ardhmen e fëmijëve! Qeverisë duhet t’i themi se s’varemi prej tyre

 

Fatmir Mediu dhe Agron Duka zhvilluan takim me qytetarët në Vlorë, ku i bënë thirrje banorëve që votat t’i çojnë për Hysni Sharrën.

Kreu i Partisë Agrare, Agron Duka tha: “Këtu nis puna se nuk mjafton të jesh prezent në të gjithë bashkitë e vendit por të punojmë derë më derë e bindim njerëzit që jemi alternativë pozitive.”

Ndërsa kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha: “Kjo është ora e vlonjatëve dhe e shqiptarëve të cilët nuk pranojnë poshtërimin, përbuzjen dhe mjerimin. Kjo nuk është thjesht lufta për fitore të një partie politike, por përballja me të keqen për t’i dhënë vlerë Vlorës e Shqipërisë kundër varfërisë, krimit dhe korrupsionit. Nuk është betejë e lehtë, por e vështirë. Nëse shmangim përballjen sot, do humbasim të shkuarën, sakrificën e prindërve tanë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Duhet t’i themi qeverisë se nuk varemi prej tyre, por prej asaj që besojmë. Të trokasim në çdo derë e në çdo zemër të cdo qytetari, të dëgjojmë me vëmendje hallet dhe problemet e njerëzve, t’i trajtojmë me dashuri e dhembshuri. Ju ftoj që më 14 maj, të gjithë të bashkohemi për të bërë të mundur fitoren e Hysni Sharrës”.

Ora 14:14
'14 Maji', kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Vlorën: Premtoj se s'do bëj asnjë projekt madhor pa pyetur qytetarët

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Vlorën, Hysni Sharra thotë se në fokus të tij do të jetë turizmi. Ai është takuar me operatorë turistikë dhe anëtarë të shoqatës ‘Arta’ për të ndarë mendime dhe për të diskutuar për zhvillimin e turizmit në terma afatgjatë. 

Për kandidatin Sharra, në projektin e tij qeverisës prioritet do të jenë: Përgatitja e menaxherëve për hotelerinë, restoracionin dhe turizmin kulturor.  Praktika të kualifikimit on - site të nxënësve dhe studentëve, bashkëpunim me Universitetin dhe shkollën "Tregtare" në formimin e punonjësve të sektorit; Financim pjesërisht të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punonjësit e rinj e të marrë rishtas. Reduktim në minimumin ligjor të të gjitha taksave e tarifave vendoren reduktim 50 % të tarifës së përkohshme të zënies së hapësirës publike.

Sharra theksoi se nuk do të bëjnë asnjë projekt madhor nëse nuk marrin opinionin e qytetarëve.

“Turizmi është në radhë të parë por i pa integruar dhe me probleme e cështje të tjera të zhvillimit të qytetit që janë të lidhura me turizmin sic është mjedisi, bujqësia, infrastruktura, shërbimet. Për fat të keq zhvillojmë turizëm në një periudhë 2 mujore që është mjaft e shkurtër. Qëllimi ynë është që kohëzgjatja të jetë sa më e madhe e të zhvillojmë lloje të tjera si turizmi kulturor, historik, sportiv. Problemi më i madh është siguria ligjore. Premtojmë që në të ardhmen asnjë projekt madhor s’do kryhet pa opinionin e qytetarëve. Ne flasim për turizëm por derdhim ujëra të zeza në det”, tha Sharra.

Sharra theksoi se një vëmendje e veçantë do i kushtohet promovimit brenda e jashtë vendit të bizneseve, organizimit  të panaireve ,promovimit të turizmit kulturor dhe historik.

Ora 13:02
’14 maji’/ Hila në Vaun e Dejes: Nuk do ketë më shanse për abuzime me taksat e qytetarëve! S’bëjmë premtime që nuk realizohen

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Vau i Dejes, Zef Hila ka menduar që fushatën ta zhvillojë në takime me banorët në cdo lagje. Ditën e sotme është ndalur në lagjet Gurragji, Lukaj, Turq, Vjerdhë, Bregu i Gjadrit 1 dhe 2, Kabash-Fushaxhi, Kovaç lart dhe Kovaç poshtë në njësinë administrative të Hajmelit.

Per kandidatin Hila, njësia e Hajmelit është një nga zonat me të rëndësishme të bashkisë Vau Dejës, ndërkohë që garantoi se vëmendja e bashkisë pas 14 Majit do të jetë për qytetarët…

“Nuk do të ketë më shanse që të ketë abuzime me taksat e qytetarëve. Ne do të përpiqemi që të bëjmë më të mirën e mundshme por asnjëherë me premtime që nuk realizohen kurrë. Problemet e Hajmelit më mirë se i dinë banorët e kësaj njësie nuk i di askush. Do jemi në dispozicion të qytetarëve. Më 1 maj duhet të jemi të bashkuar”, tha Hila.

Gjatë takimit me banorët e zonës, ai ka marrë mbështetjen e tyre për një votë masive me 14 Maj ndërkohë që apeli i vetë banorëve ka qenë që të mos bien pre e shitblerjes së votës dhe që bashkia t’i kthehet qytetarëve.

“Nuk mjaftojnë vetëm dëshirat tona, urojmë që e gjithë zona dhe bashkia t’i kthehet qytetarëve. Të mos kemi më padrejtësi që njerëzve t’i hiqet ndihma ekonomike, thjesht për bindjet politike e t’i jepet atyre që nuk kanë asnjë arsye për ta marrë. Lëre pastaj që dikush merr rrogë kot”, thanë banorët.

Ora 12:45
Benet Beci me të rinjtë në Shkodër: Ju jeni prioritet, organizatat nuk janë të mbështetura nga Bashkia

 

Kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit për bashkinë Shkodër Benet Beci mori pjesë në debatin mbi Përballjen e Ofertave Politike të organizuar nga “Intelektualët e Rinj Shpresë” në kuadër të kontratës sociale për qytetarët. Kandidati Beci tha se të rinjtë mbeten të rëndësishëm për vendimmarrjen e tij si kryebashkiak pas 14 majit.

Nxitja e sipërmarrjes për të rinjtë por edhe për gjithë qytetarët e tjerë të Shkodrës është një prioritet tha kandidati Beci.

Kandidati Beci tregoi edhe disa projekte për zhvillimin infrastrukturor.

Në fund të këtij debati kandidati socialist Benet Beci firmosi kontratën sociale me organizatën “Intelektualët e Rinj Shpresë”.

“Ajo që buron nga një Këshill rinor është shumë e rëndësishme. I gjithë koncepti im i punës, hapja dhe bashkëpunimi është elementi i suksesit që unë kam pasur. Unë nuk mendoj se mungojnë mekanizmat. Kemi nevojë për mbështetje, respekti si element human dhe zhvillimor. Ajo që kam vënë re nga organizatat ishte se nuk janë të mbështetura nga Bashkia.

Ora 12:38
Spahia takon qytetarët në Shkodër: 14 majin e kemi të sigurt, çdo gjë në të mirë të komunitetit është në prioritetet tona

 

Në 14 Maj vota e shkodranëve do të jetë për Bardh Spahinë dhe koalicionin Berisha-Meta. Ishte ky mesazhi që qytetarët dhe bizneset e lagjeve Parrucë - Xhabije i dhanë kandidatit Spahia gjatë takimeve me to.

Një nga shqetësimet kryesore që bizneset i shprehen kandidatit Spahia është ulja e fuqisë blerëse pasi rinia më masë po ikin. 14 maji duhet të jetë votë ndëshkimi për qeverinë që po varfëron vendin u shprehen ato.

“Jam i fortë më 14 maj. Për çdo gjë në të mirë të komunitetit e kemi në prioritet tonin. Është situatë e vështirë, ajo plagë sociale siç është emigrim masiv ka lënë një plagë të madhe”- tha Spahia teksa fliste me qytetarët.

Investime, shërbime të përmirësuara dhe politika mbështetëse për biznesin është fokusi i programit të kandidatit Bardh Spahia dhe koalicionit Berisha-Meta.

Ora 11:52
Kandidati i PD-së për Mallakastrën, Kapllanaj: Më 14 maj ndëshkoni këdo që la Bashkinë në harresë

1682589184_dfd.JPG

Kandidati i PD për bashkinë Mallakastër, Agron Kapllanaj e ka paraqitur kandidaturën e tij si të vetmen alternativë për këtë zonë.

Kapllanaj u bën thirrje qytetarëve ta votojnë 14 majin këdo që i ka lënë në harresë.

“Si në njësite administrative në fshatra, por edhe në lagjet e qytetit, situata është e njëjtë.

Bashkia Mallakastër, në 4 vitet e fundit, ka qene inekzistente. Banorët kujtojnë vetëm punët që janë bërë kur pushteti vendor drejtohej nga unë, madje as mirëmbajtja e tyre nuk është bërë dhe po shkojnë drejt shkatërrimit!

E njëjta situatë duket edhe në lagjen "5 Shkurti", ku banorët shprehin shqetësimin për mungesën e vëmendjes.

Ata e dinë që bashkë do t'i rikthehemi punës, prandaj në 14 Maj do të ndëshkojnë këdo që i la në harresë.

Duke më falënderuar për veprat e lëna në këtë lagje, më dhanë premtimin se në 14 Maj do të bëjmë ndryshimin për t’i dhënë frymëmarrje Mallakastrës.”- shkroi ai.

Ora 11:24
‘Vendoret’/ Llatja fushatë duke mbjellë pemë në Elbasan: Qëllimi ynë, një ambient dhe një ajër sa më i pastër

 

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja vijon fushatën e tij të mbjelljes së pemëve me qëllim rritjen e cilësisë së ajrit, jo vetëm në qytet, por sidomos në zonën industrial ku synohet ngritja e “murit të gjelbër”, një hapësirë e gjelbëruar, për të ulur nivelin e ndotjes në këtë zonë.

Në këtë mision të tijin, Llatja ka pasur mbështetjen e vazhdueshme edhe të bizneseve të cilët me përgjegjësinë ndaj mjedisit e kanë përqafuar nismën.

Llatja së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Albchrome Cemil Acar, vijuan pyllëzimin e zonës s ëish kombinatit Metalurgjik ndërsa theksuan rëndësinë e këtij projekti.

“Jemi në zonën fundore të Metalurgjisë, ku po vazhdojmë projektin tonë për Murin e Gjelbër. Kemi pasur një mbështetje të vazhdueshme të bizneseve, sidomos atyre industriale në zonën e Ish Metalurgjikut, për të shtuar sipërfaqet e gjelbërta kryesisht buzë Lumit Shmumbin, por edhe në zonën industriale. Muri i Gjelbërt është një projektet tona të përbashkëta, të pushtetit vendor dhe bizneset sidomos në zonën industriale të Elbasanit. Qëllimi ynë është për të pasur një ambient dhe një ajër sa më të pastër në Elbasan.

Nuk ka më mirë të mbjellësh sot një pemë, dhe ne këtë po bëjmë. Deri tani kemi mbjellë në Elbasan mbi 100 mijë fidanë këtë katër vjeçar dhe parashikojmë një katërfishim të numrit katër vjeçarin e ardhshëm në të gjithë bashkinë e Elbasanit, jo vetëm për zonën industriale, jo vetëm në ato territore ku janë të pashfrytëzueshme, por edhe në zonat me potencial të madh turistik dhe ekonomik” tha Llatja.

Drejtori ekzekutiv i Albchrome u angazhua të mbështesë Bashkinë e Elbasanit në këtë projekt edhe në të ardhmen.

“Fillimisht dua t’ju falenderoj që na bëtë pjesë të këtij organizimi kaq të rëndësishëm në Elbasan.

Mbjellja e pemëve për ne është shumë e rëndësishme, si një kompani që është e përgjegjshme për mjedisin. 

Është përgjegjësia jonë si kompani të bashkëpunojmë dhe të japim kontributin tonë ndaj mjedisit dhe komunitetit. Pikërisht për këtë, ky organizim është shumë i rëndësishëm për ne.  

Të mbjellësh pemë do të thotë të shpëtosh të ardhmen. Ne e konsiderojmë  mbjelljen e pemëve si e ardhmja e fëmijëve tanë.

Nuk mjafton vetëm të mbjellim pemë, duhet më tej t’i mirëmbajmë dhe të kujdesemi për to.

Do të vazhdojmë të kontribuojmë me aktivitete të ngjashme në vijimësi” nënvizoi Cemil Acar.

Ora 11:18
Kandidati i PS për Librazhdin Mariglen Disha: Ndryshimet që janë kërkuar nga banorët në infrastrukturë do të realizohen

Kandidati i PS për Librazhdin Mariglen Disha: Ndryshimet që janë kërkuar nga banorët në infrastrukturë do të realizohen

Kandidati i Partisë Socialiste për Librazhdin, Mariglen Disha ka takuar sot banorët e fshatit Prevallë.Gjatë bisedës me ta, ai diskutoi rreth problematikave me infrastrukturën rrugore, si edhe amortizimi në disa segmente i rrjetit ujësjellës.

Duke informuar banorët e Prevallës, Kandidati Disha u shpreh se prioritet ne mandatin e tij të parë mbeten investimet në infrastrukturën rrugore në fshatra duke vijuar me projektet.

“Unë këtu jam si në shtëpinë time dhe nuk mund të kërkoj vota në shtëpinë time. Ndaj premtoj se ndryshimet që janë kërkuar nga banorët në infrastrukturë do të realizohen dhe ujësjellësi do ta përfundohet, në mënyrë që të bëjmë shpërndarjen në çdo shtëpi” u shpreh Disha.

Gjithashtu në fjalimin  e tij para banorëve, ai premtoi ndërtimin e ambulancës të pajisur me stafin mjekësor dhe pajisjen e njësive administrative me mjetet e punës për ndërtimin dhe rikonstruktimin  e rrrugëvë.

Ora 11:03
Benet Beci në sheshin e Shirokës: I lumtur që banorët po shijojnë projektin që kam qenë iniciator! Do krijoj të tjerë për zhvillimin e Shkodrës

1682586205_64001682585053xbeci540.png

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka folur nga sheshi Shirokës i cili ka qenë dhe iniciatori i këtij projekti kur mbante postin e Drejtorit të FSHZH.

Beci shprehu lumturi për banorët dhe turistët që arrijnë të shijojnë këtë projekt, teksa shtoi se kjo është  shtysë që të vazhdojë të krijojë projekte të tjera për zhvillimin e Shkodrës.

“Sheshi i Shirokës është një nga projektet e mija më të përzemërta, për të cilën kam punuar me shumë dashuri.

Ashtu si e kam thënë edhe kur kemi filluar këtë projekt, është një copëz e mozaikut të zhvillimit të Shkodrës dhe të gjithë rajonit të veriut.

Bashkëpunimi me donatorët të cilët u dakordësuan me vizionin e këtij projekti si dhe arkitektët me famë botërore, e bënë këtë projekt një sukses për të cilin unë ndihem krenar ashtu sikurse besoj edhe ju.

Ishte kënaqësi e madhe për mua kur u njoftova se projekti i sheshit të Shirokës ka marrë një nga çmimet më prestigjoze të arkitekturës në Bashkimin Europian.

Por më shumë kënaqësi për mua është kur shikoj se si banorët dhe turistët këtu në Shirrokë e shijojnë këtë projekt. Kjo për mua është një shtysë që të vazhdojë të krijoj dhe të zbatoj projekte të reja, të rëndësishme, me impakt për zhvillimin e Shkodrës” u shpreh Beci.

 

 

Ora 10:55
Cara me qytetarët e Durrësit: Unë s’bëj premtime që varen nga qeveria, por Rama s’ka të drejtë të bllokojë fondet për qytetin

 

Pasditen e së mërkurës, kandidati për kryetar i Bashkisë së Durrësit të kolaiconit Berisha-Meta, Igli Cara ka qenë protagonist i Forumit Publik “Përballja e Ofertave Politike 2023 – POP 2023”.

Gjatë takimit u diskutua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe banorë të qytetit, mbi problematikat e parashtruara prej tyre, ku Cara ka ofruar zgjidhje konkrete, që përfshihen edhe në programin elektoral të tij "Durrësi 2023-2027". Kandidati i koalicionit Berisha-Meta u është përgjigjur edhe pyetjeve të pjesëmarrësve, midis të cilave ka shprehur edhe qëndrimin mbi deklaratën e Kryeministrit, që nuk do të bashkëpunojë me bashkitë, që pas 14 majit do të drejtohen nga opozitarët. 

“Nuk janë premtime që varen drejtpërdrejt nga qeveria Rama. Nuk fola aspak për grante që do marr nga qeveria. Mendo që Rama nuk ka të drejtë të bllokojë fondet që i takon qytetit të Durrësit. Sepse grantet janë të pakushtëzura. Ky është shteti, që e bën Rama si ti dojë qejfi, këtu jap këtu nuk jap.”- tha Cara.

Në përfundim të takimit u nënshkrua edhe kontrata sociale me drejtuesen ekzekutive të Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile Durrës, Mirjam Reçi, e cila do të zbatohet gjatë mandatit 4-vjeçar 2023-2027.

Ora 10:50
Nisma Thurje takim me banorët e Tiranës: Shqiptarët kanë të njëjtët emra në fletën e votimit edhe pas 30 vitesh

 

Nisma Thurje organizoi një takim me banorët e Tiranës tek zona e Xhamllikut. Këtë takim e drejtuan Endrit Shabani dhe Pano Soko, të cilët janë kandidatët e Nismës Thurje për në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ata u përqëndruan tek nevoja për ndryshimin e klasës politike dhe tek stanjacioni që po i largon të rinjtë nga Tirana.

Në fjalën e tij Endrit Shabani, kryetari i Nismës Thurje theksoi nevojën për ndryshim në qeverisjen e vendit. Ai iu referua kandidatëve të Nismës, të cilët kanë lindur në vitet 90, kur Berisha Meta dhe Rama erdhën për herë të parë në pushtet. “Tridhjetë vjetë  më vonë, në fletën e votimit, shqiptarët kanë të njëjtat emra në fletën e votimit” u shpreh Shabani. Prandaj ai iu bëri thirrje qytetarëvë që në këtë 14 Maj të votojnë KREJT NDRYSHE, nëse duan një Tiranë të ndryshme nga kjo që kemi deri më sot.

Kandidati tjetër i Nismës Thurje, Pano Soko tha se kur të shkojnë në Këshillin Bashkiak do i mbrojnë paratë e buxhetit të Tiranës, njësoj siç i ruajnë paratë e shtëpisë, dhe kujtdo që i shkon në mëndje të vjedhë paratë publike do “t’i priten duart” figurativisht.

Ora 10:28
Kandidati i PS-së për Himarën, Jorgo Goro takim me banorët e Pilurit: Do e kthejmë fshatin në qendrën e turizmit

 

Kandidati i Partisë Socialiste në Himarë, Jorgo Gora , mbështetur edhe nga drejtuesi politik i qarkut Blendi Klosi dhe deputeti Vullnet Sinaj zhvilloi një takim me banorët ne Pilur të Himarës.

Teksa fliste mbi punën që është bërë në Himarë dhe në Pilur këto 4 vite, kryebashkiaku aktual i Himarës premtoi se nëse fiton mandatin edhe për 4 vitet e ardhshme do të vijojë projektin për rrugën e nisur ne bashkinë e Himarës dhe projektet e tjera zhvillimore për zonën.

Mbështetje nuk ka munguar edhe nga banorët, që kanë shprehur besimin, në vijimin e punës se mire te kryer deri tani nga kryebashkiaku Goro.

Teksa foli për projekte dhe punën e bërë deri më tani në Himarë dhe në Pilur, ai tha se transformimi që është bërë do të vijojë edhe më tej për të përmirësuar jetën  e të gjithë banorëve.

“Kemi punuar bashkë për transformimin e Himarës dhe Pilurit për ti dhënë mundësi qytetarëve për të pasur kushte më të mira për të jetuar, punuar dhe për të bërë biznes. Në këto 4 vite jemi mundur ti japim Pilurit një mënyrë tjetër të të jetuarit, duke e kthyer këtë shesh në një vend ku ka shumëllojshmëri aktivitetesh dhe turistë të vazhdueshme” u shpreh ai.

“Ajo që mendojmë është ta kthejmë Pilurin në qendrën e turizmit kulturor dhe natyror dhe gjatë gjithë vitit të ketë turistë. Nuk do të flisja me kaq kompetencë nëse nuk do të kisha mbajtur disa premtimet që kam dhënë dhe nuk do të kisha mbështetjen e qeverisë. Qeveria do projekte dhe unë këto projekte i kam gati, ku një nga projektet më të rëndësishme është rruga e vjetër e fshatit, i jep një mundësi të gjithë banorëve të kenë hyje të re në fshat”.-përfundoi ai.

Ora 10:25
Vendoret/ Boçi u prezanton programin qytetarëve të Elbasanit: Do krijoj 9 kompani me kapital të përbashkët për të hapur më shumë vende të reja pune

 

Kandidati i Koalicionit Berisha-Meta në Elbasan, Luçiano Boçi prezantoi sonte programin e tij. “Kolonat kryesore mbi të cilat mbështetet siguria jonë për të ardhmen janë Demokracia Direkte dhe Zhvillimi Ekonomik” tha Boçi duke sqaruar se bashkia do të krijojë 9 kompani me kapital të përbashkët për të krijuar shumë vende të reja pune.

Duke shpjeguar atë që ai e quajti një risi absolute në Shqipëri, Luçiano Boçi sqaroi se “Protokollet Qytetëse që ai do të firmosë u japin pushtet real qytetarëve”:

“Përmes të drejtës kushtetuese të Peticionit, 1% e banorëve mund  ta detyrojnë Këshillin Bashkiak të mblidhet dhe të diskutojë çdo çështje me interes publik; 5% e banorëve mund të kalojnë në votim të Këshillit Bashkiak çdo Propozim të tyre dhe 25% e banorëve mund të rrëzojnë çdo vendim të Këshillit Bashkiak dhe ta kthejnë atë për rivotim”.

Boçi lajmëroi një firmosje të afërt për një projekt tjetër madhor në Elbasan dhe vuri në pah se është i gatshëm të punojë ngushtë me një bërthamë shumë profesionale ekspertësh që janë sot brenda bashkisë së Elbasanit. Ai po ashtu shtoi se synon të përfshijë shumë të tjerë të lënë në harresë nga politika si dhe me emra të shquar të diasporës që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme.

Boçi shfaqi edhe imazhe nga zgjidhja për kryqëzimin e Cërrikut, Parkun e ri Olimpik, Muzeun e Gjallë të Zejeve, etj – projekte për të cilët Luçiano Boçi ka identifikuar tashmë zgjidhjet e nevojshme për realizimin e tyre pa vonesë.

Ora 09:45
'14 maji'/ Sharka prezanton projektin e tij në Lushnje: Do kthejmë në muze barakat ku të persekutuarit përjetuan vuajtje nga regjimi komunist

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Lushnjes, Eduart Sharka ka zhvilluar takimin e radhës me banorët e lagjes Saver. Sharka i ka premtuar shtresës të së persekutuarve se disa prej barakave ku kanë jetuar vite me radhë të internuarit nga regjimi komunist, do të kthehen në muze për të ruajtur kujtesën dhe kalvarin e vuajtjeve.

“Ndihem i nderuar dhe jam krenar të paraqes para jush projekti tonë. Në përpjekje për të krijuar të mirat publike për cdo komunitet. Duke pasur parasysh që Savra ka të kaluar të hidhur ku ju patët fatin e keq të persekutoheshit nga regjimi, na erdhi ideja që t’i kujtojmë brezave atë që ndodhi e për të mos ardhur kurrë mendimet e diktaturës, t’i kthejmë disa nga barakat ku jeni rritur në muze me qëllimin që të kthehen në atraksion turistik dhe të nxjerrim përfitime për qytetarët e këtij komuniteti”, tha Sharka.

Në këtë takim, Sharka shoqërohej nga presidenti i unionit të të persekutuarve politikë antikomunist, Besim Ndregjoni, sekretari i Unionit Eduard Elezi dhe Simon miraka, ish i persekutuar.

Ora 09:31
Kandidati i PS në Pogradec takohet me artistët: Do i marrim bashkë vendimet për të mirën e qytetit

 

Kandidati  i Partisë Socialiste në Pogradec, Ilir Xhakolli zhvilloi një takim me artistët, të cilët veprojnë në fushën e pikturës, muzikës, letrave etj. Në diskutimin e bërë me ta Xhakolli ka përmendur disa prej projekteve që janë zbatuar në 4 vitet e kaluara në funksion të turizmit dhe artit si Odoeonin e qytetit, sheshin e trëndafilave deri tek program veror 100 ditë në Pogradec.

Xhakolli theksoi se në 4 vitet e ardhshme duhet krijuar një grupim mes artistëve të cilët duhet të japin opinionin dhe mendimin e tyre në lidhje me projektet të cilat bashkia ka ideuar në vazhdimësi. Projekti më kryesor në shërbim të kësaj fushe do të jetë një “Galeri Arti” në natyre, e cila do të nisë nga puna së shpejti dhe do të jetë në krah të Odeonit.

“Çdo zhvillim që do të ketë Pogradeci duhet marrë një vendim në bashkëpunim me ju. Pa u konsultuar me ju nuk do të zhvillojmë një projekt. Nuk është e thënë që idetë e mia t’i përshtaten qytetit ndaj do marrim vendime bashkë me artistët, arkitektët apo të tjerë në fushën e tyre. Jemi duke biseduar me artistët për një galeri arti. Do e diskutojmë vazhdimisht që të dalë një vepër. Pogradeci është ndër qytetet e rrallë që ka shumë artistë ndaj do i bëjnë nder qytetit”, tha Xhakolli.

Gjithashtu në këtë takim është folur edhe për projektin që do të zbatohet së shpejti në rikualifikimin urbane të lagjeve historike “Topleci dhe Naim Frashëri” këto dy lagje krahas investimit dhe elementëve urbanë do të kenë brenda tyre edhe Shtëpitë Muze të Lasgushit e Mitrushit, Fototekën Misto Cici, Muzeun Etnografik dhe Muzeun e Shkollës së dytë Shqipe.

Ora 08:53
'14 maji'/ Kandidati i PS në Korçë takim me banorët: Kemi gati projekte madhore që rrisin ekonominë! Duhet të dalim me sukses që të vijojmë punën

“Mandati i ardhshëm do të jetë një mandati i rritjes ekonomike për të gjithë banorët e Bashkisë së Korçës.” Kështu u shpreh drejtuesi politik i qarkut, Niko Peleshi gjatë takimit me banorë të lagjeve 5 dhe 13 të qytetit. Për Peleshin, ekonomia familjare në mandatin e ardhshëm do të jetë fokusi kryesor, për ta çuar Korçën në një tjetër standard.

“Lagjja 5 dhe Lagjja 13 si gjithë Korça nuk është më një lagje e periferisë. Korça është e bukur gjithandej. Investimi dhe puna duhet të shkojë në çdo familje të qytetit dhe të fshatit. Atë që Korça ka pësuar në gjithë këto vite ne duam ta çojmë në çdo familje. Çdo familje duhet të jetë 180 gradë më mirë se sa ishte më parë. Nesër në krye të këtij mandati do ta themi me plot gojë se është transformuar ekonomia e çdo familjeje. Ky mandatë është një mandatë që do i shohim hajrin asaj që është investuar. Do të kemi një ndryshim dhe një përmirësim në çdo familje jo vetëm falë punës së bashkisë por edhe falë punës së qeverisë qëndrore”, tha Peleshi.

Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë Sotiraq Filo, pas investimeve të realizuara në këto lagje, duke i kompletuar me infrastrukturën e nevojshme, u ndal tek investimet e reja që do të prekin këtë zonë përgjatë mandatit të ardhshëm. Për Filon, rritja ekonomike është në qendër të programit të tij me projekte shumë të rëndësishme që mbështesin këtë nismë. Ndaj edhe për këtë Filo kërkoi mbështetje në zgjedhjet e 14 majit.

“Në rast se më pyesni që ta përkufizoj programin tonë të katër viteve në një fjali ajo është rritja ekonomike në çdo familje në qytet dhe në fshat. Por kjo rritje nuk arrihet me fjalë por me projekte konkrete që do të rrisin të ardhurat në çdo familje dhe do të ulin kostot. Ndaj ne kemi disa projekte madhore. Por rruga e ralizimit të tyre kalon nga vota juaj në 14 maj. Duhet që të dalim me sukses nga këto zgjedhje, të fitojmë pozicionin e kryetarit të bashkisë, por të fitojmë edhe këshillin bashkiak i cili më pas do të mbështesë edhe projektet e bashkisë”, tha Filo.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 28/04/2023 02:13

    Vazhdon gara per Komunalen,Min.e kulture-turizmit dhe ARRSH.Asnje premtim konkret per vende pune,edhe kur premtojne dicka,flasin me pergjithesime,asgje konkrete,si p.sh kemi projekte,plane te medha,do bejme kompani me kapital te perbashket,po se cfare jane keto,asnje shpjegim;disa te tjere kerkojne thjesht voten,kurse ndonje premton muzeume,a thua se keta te fundit do te mbajne me buke shqiptaret!

    Përgjigju
  • Arber: 27/04/2023 13:59

    Jeni bo t gjith nongrada si saliu

    Përgjigju
  • Jona: 27/04/2023 13:54

    ti nuk je i duhuri per bashkin e Durresit. Sepse ti je mashtrues njesoj si nongrada se dhe ti je pjese e atyre

    Përgjigju
  • titi: 27/04/2023 13:38

    fondet jepennpor per projekte qe eshtebper tu dhen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje