Dita e 14-të e fushatës! Kandidatët për kryetarë bashkie takime me banorët! Sako: Do nis punën nga zona e Durrësit të ri! Cara premton vëmendje për taksat vendore

Në ditën e 14-të të fushatës, kandidatët për kryetarë bashkie në disa qytete të vendit vijojnë takimet me banorët. Kandidatët e mazhorancës kërkojnë votën për të administruar qytetet e tyre e për të vijuar me projektet e lëna pezull, ndërsa ata të opozitës prezantojnë edhe programet e tyre.

Kryebashkiakja socialiste Emiriana Sako në takimin me gratë dhe vajzat e zonës së Durrësit të Ri, foli për projektet e reja që do të marrin hov 4-vjeçarin e ardhshëm.

“Punën do ta filloj nga kjo zonë. Në mandatin që vjen ne do të investojmë më shumë në zonën e Durrësit të Ri. Jemi duke mbyllur rrugën “Azem Hajdari”, jemi duke mbyllur rrugën “Vala e Detit”, të cilat janë akse të rëndësishme. Do të ndërtojmë një qendër shëndetësore dhe një kopësht”, tha Sako.

Nga ana tjetër, në takimin me përfaqësues të biznesit, kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Igli Cara premtoi vëmendje të veçantë për taksat vendore.

Socialisti Jorgo Goro u premtoi banorëve të Kudhësit ujin e pijshëm dhe ujësjellës të ri, me vizionin e kthimit të fshatit në zonë turistike.   

Kandidati i koalicionit opozitar Pashk Gjoni hodhi akuza për tjetërsim votash ndaj kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu.

Në Kuçovë kandidati i PS, Kreshnik Hajdari kërkoi votën e qytetarëve për të vazhduar investimet në zonat problematike me ujin dhe infrastrukturën.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo prezantoi një project të ri si një mundësi që do të sjellë shumë të ardhura për Vithkuqin dhe të gjithë bashkinë e Korçës.

Në Kukës Admir Sinamati i koalicionit Berisha-Meta u kërkoi qytetarëve të mos votojnë socialistët, duke hedhur akuza mbi drejtuesin politik të PS atje, Pandeli Majko.

Ndërsa kandidati i PS, Safet Gjici tha se në 4 vite kanë investuar 100 milionë euro dhe shtoi se 'non grata-t' premtojnë gjëra të parealizueshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:09
Gara për bashkinë e Tiranës, Përnaska takim me të moshuarit: 5 politikat që do ndikojnë në përmirësimin e jetës për këtë pjesë të popullatës

1682705863_pernaska.jpg

Kandidatja për Bashkinë e Tiranës Lajla Pernaska zhvilloi një takim me të moshuarit, ku diskutoi më shumë rreth pikave të programit të saj për Tiranën Sociale. Ajo u shpreh se duhet të ketë një vëmendje më të shtuar për këtë pjesë të popullsisë. 

“Sipas statistikave deri në vitin 2030 ne do të kemi 30 të moshuar për 100 banorë. Një shifër që tregon se kjo popullatë gjithmonë e në rritje duhet të ketë një vëmendje të shtuar.” 

Ajo prezantoi edhe pesë politika të cilat do të ndikojnë më së shumti në përmirësimin e jetesës së kësaj shtrese të popullsisë. 

Politikat e prezantuara:

-Ngritja e një modeli standart bashkëkohor për qendrat rezidenciale 

-Ngritja e një programi me shërbime multidisiplinare për të gjithë këtë grupmoshë që janë në banesat e tyre, por që kanë nevojë për monitorim 

- Të bëhet organizimi i qendrave komunitare për këtë grup-moshë, të modelit “Shtëpia e dytë”, me iniciativa të bashkëpunimit Bashki-Biznes- Shoqëri civile-Donatorë.

- Përgatitja e kritereve për qendra ditore dhe residenciale.

- Kartë transporti falas, për grupmoshën mbi 65 vjeç.

Ora 19:33
Gara për Elbasanin/ Gjiknuri-Llatja: Më 14 maj shtrojmë rrugën e zhvillimit të Elbasanit! Opozita po përgatit alibinë e humbjes së radhës

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e lagjes “Beqir Dardha” dhe lagjes “Çlirimi” me të cilët ndanë vizionin për 4 vitet e ardhshme . Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut deklaroi se PS dhe kandidati socialist kanë treguar se kanë qëndruar pranë nevojave të qytetarëve.

“Në fakt në 14 maj ne kemi mundësi jo thjesht të rikonfirmojmë Gledin, që jam i sigurtë që ne do ta bëjmë por të shtrojmë rrugën tonë të sigurtë drejt të ardhmes dhe zhvillimit të Elbasanit. 14 maji nuk është thjesht votë për Gledin po është votë për gjithë ekipin politik të Partisë Socialiste që jam i bindur ka qenë një ekip që u ka ndenjur në krah njerëzve dhe së bashku dorë për dore me Elbasanin ne do të shkojmë nga e ardhmja, do të ecim vetëm përpara. Në këto zgjedhje Gledi nuk është vetëm. Se kundërshtarët tanë duan ta portretizojnë këtë garë sikur është një garë thjesht individësh. Vjen ai kundërshtari këtu në Elbasan dhe thotë: s’ka problem se unë e kam garën thjesht me Gledin”, tha ai.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe kandidatin përballë, i dërguar i dyshes Berisha-Meta. Gjiknuri u shpreh se lista e këshillit bashkiak të opozitës është e mbushur me eksponentë të Partisë së Ilir Metës. “Vjen ai kundërshtari këtu në Elbasan dhe thotë s’ka problem se unë e kam garën thjesht me Gledin. Nuk u vjen mirë të përfaqësojnë ata dy mjeshtrat e Tiranës, martesën e re Berisha-Meta. Kur vjen këtu ka frikë ta thotë. Kur del në televizor thotë ta çlirojmë Elbasanin nga zgjedhja e Rilindjes, domethënë do çlirojë Elbasanin nga zgjedhja e djemve dhe vajzave tuaj, a thua se janë pushtues këta. Këta janë djem dhe vajzat tuaj. Në vetvete Luçiano ata përfaqëson, Berishën dhe Metën këtu, madje më shumë Metën. Shihni listën e këshillit bashkiak, të gjithë eksponentë të Partisë së Ilir Metës, ka frikë ta thotë ai”, deklaroi ai.

Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri tha se opozita po përgatitet të përgatisë alibinë e radhës për humbjen e sigurt që i pret më 14 maj.

“Mos hidhni votën dëm për këta lloj gënjeshtarësh. Fushatën e kundërshtarit në Elbasan unë e kam përshkruar në tre cikle. Keni dëshmitarë dhe I keni dëgjuar të gjithë. Para disa muajsh thanë Glediani s’do jetë kandidat e kemi mbyllur këtë. Pak më vonë tha: Është mbyllur Elbasani, është shitur, Edi Rama do t’ia lërë Elbasanin PD-së, Luçiano Boçit. Pastaj e panë që ne dolëm në fushatë, filluam të komunikojmë me njerëz, filloi faza e dytë mashtrimi publik dhe personal. A nuk keni takuar njerëz që ju ka thënë do të fus në punë? S’ka mundësi të fusë në punë ai se s’ka mundësi të fitojë. Filloi faza e mashtrimit publik . Filluan me programe bombastike. Doli pa pikë turpi në mes të Elbasanit, mori një të huaj që fliste anglisht dhe tha do hapim 3 mijë vende pune me një investitor të madh. U futëm në internet, investitori nuk figuron fare. Ngaqë i ka zënë paniku dhe të gjitha të dhënat e kanë që nuk do fitojnë dot, do fillojnë akuzat, do na vjedhin, do fillojë presioni. Javën tjetër do të fillojnë akuzat publike do na vjedhin, do na vjedhin. Kjo është thjesht alibie e humbjes”, deklaroi ai.

Gjiknuri theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkisë për të çuar përpara punët dhe projektet e mëdha strategjike për zhvillimin e Elbasanit.

“Këtu votohen dy modele qeverisje, dy modele politike. Kushdo të shkojë mbrapa me Saliun dhe me Ilirin le ta çojë votën dëm tek Luluçi. Kush do të ecë përpara, ndryshimi i Elbasanit po bëhet i prekshëm. Bashkia do mirëadministrojë taksat, do bëjë investime nëpër lagje siç ka bërë dhe këtu dhe vende të tjera, por projektet e mëdha janë me mbështetjen e qeverisë shqiptare siç po bëhet shëtitorja buzë Shkumbinit, siç po bëhet Automotoparku, siç do rehabilitohet lagjja e Kalasë, 15 mln euro të tjera investime në ujësjellës-kanalizime tani, e shumë e shumë vepra të tjera të cilat bëhen me mbështetjen e qeverisë Rama. Prandaj binomi bashki-qeveri është shumë i rëndësishëm dhe vota në 14 maj është votë edhe për vazhdimin e kësaj mbështetje”, deklaroi numri dy i socialistëve.

Gjiknuri nënvizoi se vota më 14 maj, është dhe konfirmim për politikat sociale të ndërmarra nga qeveria ‘Rama” si rritja e pagave dhe e pensioneve.

“Vota e 14 majit, është edhe një mesazh për politikat e filluara të qeverisë të PS dhe të Edi Ramës. Ne por risim rrogat me qëllim që të rinjtë dhe të rejat të kenë mundësi të punojnë ë këtë administratë, rritja e rrogave në administratë shtetërore do të çojë dhe në rritjen e rrogave në sektorin privat. Do të rritet mirëqenie e qytetarëve. Kjo është një rrugë e sigurt drejt progresit shikoni me pensionistët janë dhënë 16 mijë lekë të reja vetë muajt e fundit. Po përgatitet prapë një shpërblim për pensionistët brenda vitit për të adresuar nevojat e tyre. Rritja e fondit të pagave dhe kontributit të sigurimeve shoqërore, do të çojë dhe në rritjen e pensioneve, vota më 14 maj për Gledin është dhe votë për këtë të politikë të nisur për të çuar në adresimin e problemeve më të gjëra të kësaj popullatës”, nënvizoi .

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u shpreh se investimet nuk do të ndalen, por do të vijojnë në çdo cep të Elbasanit.

“Ju kam pasur në krahë këto 4 vite, ju kam në krahë sot, do ju kem në krahë edhe 4 vite të tjera për të bërë punë të mira për Elbasanin, për të mbaruar të gjitha rrugicat që kemi edhe në “B. Dardha” edhe në “Q. Stafa”, edhe matanë tek “Çlirimi”, në të gjithë rajonin 2, në të gjithë rajonin 1, në të gjithë Elbasanin, për të zgjidhur problemet e infrastrukturës që ne kemi në lagjet tona. Jemi në një shesh të rikonstruktuar totalisht, ashtu siç po bëjmë të gjitha sheshet e tjera në Elbasan, sheshet e pallateve. Këtu mbrapa kemi pallatet e bëra me fasada të reja, kështu do t’i bëjmë të gjitha pallatet e Elbasanit. Ne po ndërhyjmë dhe do ndërhyjmë në çdo cep të Elbasanit, me një qëllim, të përmirësojmë cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë kudo që ata banojnë, në qendër të qytetit, në periferi apo në fshat e zonat tona rurale”, tha ai.

Ai renditi dhe shumë prej investimeve të rëndësishme që do të bëhen në Elbasan, të cilat do të gjenerojnë vende të reja pune dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Ne po e bëjmë Elbasanin një qytet ku të gjithë ne duam të jetojmë, ku fëmijët tanë ta kenë të ardhmen e sigurtë në Elbasan, me kopshte, me çerdhe, me shkolla, me infrastrukturë të zhvilluar. Po ndërtojmë Automoto Parkun, po bëjmë bypassin e Elbasanit, po zhvillojmë Korridorin 8, po bëjmë shkolla, po bëjmë kopshte, po bëjmë çerdhe, po rrisim punësimin. Ne do e zhvillojmë dhe do japim një qëndrueshmëri ekonomike Elbasanit. Ne po zhvillojmë turizmin, po investojmë në Gjinar, po investojmë në Funar, po investojmë në Tregan, po investojmë në Kala. Ne mbështesim ekonominë, ne mbështesim shtresat në nevojë, bashkia e Elbasanit është bashkia më sociale sepse edhe politikat i ka të tilla”, u shpreh Llatja.

Ora 14:14
Safet Gjici takim me banorët: Kemi investuar 100 milionë euro! Kandidatët e 'non gratë-s' nuk i takon askush, premtojnë gjëra të parealizueshme

1682684795_safetgjici.JPG

Kandidati i PS Safet Gjici, në takim me banorë të fshatit Pakisht, tha se gjatë këtyre 4 viteve janë bërë shumë punë, por që ka akoma edhe shumë të tjera, për të investuar në infrastrukturë rrugore, kanalizim, ujësjelljes, turizëm.

Gjici ndërkohe tha se banorët e Pakisht dhe të gjithë Kukësit nuk duhet të mashtrohen nga ato kandidatë që nuk kanë vizion për drejtimin e Kukësit. Në 4 vite ai tha se në Kukës kanë ardhur 100 milion euro. Përgiigje kjo për kundërshtarin i cili një ditë më parë tha se Kukësi s’ka parë investime as nga qeveria dhe fondet e huaja.

“Kemi filluar investimet nga qendra e dalim në njësi administrative. Ne jemi njerëz të punës. Kemi ardhur për të punuar. 20 vite e ka pasur pushtetin lokal krahu tjetër nuk bën asgjë. Paraardhësi im nuk e pa një herë këtë zonë. Kujt t’ia japim votën? Një njeriu që del e thotë jam professor e me grada, pa grada e non grata, kandidat i LSI vjen për të marrë vota. Deri tani kemi investuar 100 milionë euro në Kukës e do vijnë deri këtu te ju në mandatin e dytë. Kuksianët s'duhet të vuajnë më për kërksat bazike si ujë, drita e rrugë”, tha Gjici.

Përfaqësuesi i qeverisë, prefekti Ali Hallaci, kërkoi që me 14 Maj të votohet Safet Gjici.  Ndërkohë që banorët shprehën mbështetjen me votë  për kandidatin Safet Gjici.

Safet Gjici ishte edhe në fshatin Orgjost ku tha se kundërshtari i tij, po premton gjëra të pareazliueshme, pasi kandidatët e non-gratës nuk i takon dot askush, çka do të thotë që edhe investimet do të priten.

Gjici tha se në kontratën e tij me banorët e Orgjostit, do të bëj asfaltimin e rrugës Orgjost.  Ndërkohe ai tha se banorët e Orgjostit e Pakishtit e kudo ku jetojnë pranë kufirit me Kosovën e Shqipërinë lëvizin lirisht.  Më 14 Maj, banorët e Orgjostit thanë se do votojnë për të ecur përpara me Safet Gjicin.

Ora 13:10
Bejko në Sauk, akuza Veliajt: Mungojnë rrugët dhe kanalizimet, Tirana për ju është vetëm qendra dhe blloku, pjesa tjetër në harresë

Kandidati i partisë Demokratike për bashkinë Tiranë Roland Bejko, ka zhvilluar një takim me banorë në zonën e Saukut. Një nga shqetësimet kryesore të banorëve lidhet me mungesën e asfaltimit të rrugëve si edhe rruga “Dhimo Dhima”, e mbushur me gropa dhe e lënë në harresë. Banorët u ankuan se nuk kanë patur asnjë shërbim nga bashkia, madje edhe kanalizimet e ujërave të zeza i kanë kryer vetë.

Bejko u angazhua se me zgjedhjen në krye të Bashkisë do te shtrohen të gjitha rrugët jashtë zonës urbane me projektin 250 km rrugë të reja për gjithë zonat e harruara.

 “Erjon Veliaj po e përdor buxhetin për koncerte, për qendrën. Periferinë e kanë harruar fare.

Qëllimi jonë me fitimin e bashkisë së Tiranës është që të jetë qytet unik. Mos të jetë qytet vetëm brënda Unazës së vogël dhe pjesa tjetër ti lëne në lirë dhe të jetojnë si t’ju vijë për mbarë. Këto politika tek ne nuk do të gjejnë vend, këtu qendron ndryshimi mes neve dhe atyre. Prova është fjala që japim ne.  Ne do ta integrojmë qytetit. Ju jeni 5 km larg qytetit dhe jetoni sikur të jeni në një zonë të largët rurale.

Të jesh në qytet dhe vetëm pak km larg të kesh enklava të tilla kjo është papërgjegjshmëri e kryetarit të bashkisë dhe stafit të vet. Te them që në 4 vitet do ti bëj rrugët menjëherë është papërgjegjshmëri, kërkon kohën e vet. Por duhen të merren me rradhë, dhe rrugët brënda qyteteve duhet rregulluar. Jo vetëm janë të ngushta, por nuk kalon dot. Por në këto kushte që janë të pashtruara janë edhe më problem. Duket sikur je në fshati, jo sikur je në qytet”.- tha Bejko/

Ora 11:33
Kandidati i çiftit Berisha-Meta për Kukësin: Mos u gënjeni nga të majtët që e kanë lënë vendin në harresë

 

Kandidati çiftit Berisha-Meta për Kukësin, Admir Sinamati ka zhvilluar një deklaratë me banorët e Kukësit.

“Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Kukës, Pandeli Majko në kohën kur ishte kryeministër i Shqipërisë, Kukësit i ka larguar plotë 12 milion dollarë investime të donacioneve, para të cilat i dërgoi në rrethet e tjera të vendit.

12 milion dollarë investime po bëheshin  nga dashamirësia e Presidentit të SHBA-së Bill Klinton si shenjë solidariteti me gjestin e madhe human që bënë banorët e Kukësit në përballimin e eksodit masivë të Kosovës në 1999”- tha ai.

Kjo ishte deklarata e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Kukësit Admir Sinamati në takimin e zhvilluar me banorët e lagjes Nr.4 dhe 6 të qytetit.

Më tej, Sinamati u bëri thirrje qytetarëve kuksianë mos të gënjehen nga mimika e personave publik të krahut të majtë, që historikisht e kanë braktisur dhe lënë në harresë Kukësin.

Ora 11:27
Kryebashkiakja Sako me gra dhe vajza të Durrësit të Ri: Ja projektet e reja që kemi për këtë zonë

 

Kryebashkiakja Emiriana Sako, njëkohësisht edhe kandidate e Partisë Socialiste për bashkinë e Durrësit, në takimin me gra dhe vajza të Durrësit të Ri ka garantuar ato se zona ku ata jetojnë ka vëmendjen maksimale dhe projektet që janë bërë dhe ato që do zhvillohen do ta bëjë atë një zonë që nuk ka asnjë ndryshim nga pjesa tjetër e qytetit. Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej nga deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu, e cila duke prezantuar kryebashkiaken Emiriana Sako tha se: “ju e njihni dhe unë nuk kam cfarë them më shumë për Anin, se për të flet puna vetë. Ju jeni dëshmitarë të transformimit që ka pësuar qyteti dhe çfarë është në gjendje të bëjë ajo për të gjithë ne”.

Nga ana e saj, kryetarja Emiriana Sako ëshët shprehur se: “në këto 3 vjet kemi mbyllur një mandat të vështirë, pasi fillimisht Durrësi u godit nga tërmeti dhe më pas pandemia. Gjithsesi, ne ia dolëm që nëpërmjet programit të rindërtimit të ndërtojmë nga e para 744 shtëpi të vogla dhe apartamente, së bashku edhe me 19 godina të reja arsimore”.

Kryebashkiakja Sako shtoi se që në vitin 2021 janë prezantuar projekte mjaft të rëndësishme, jo vetëm për Durrësin, por edhe më gjerë, sic është ai marinës së portit. “Ky projekt do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm ekonomik për të gjithë vendin tonë, madje edhe për rajonin e Ballkanit”, - tha kandidatja e PS Emiriana Sako. Në këtë kontekst Sako iu ka bërë thirrje grave dhe vajzave që kërkojnë mundësi të reja punësimi që të bëhen pjesë e kërkesave gjithnjë e në rritje të sektorit privat, pasi po hapen variante të shumta punësimi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Kryebashkiakja Sako ka theksuar duke iu referuar zonës ku është zhvilluar takimi se: “të jeni të bindur se unë nuk bëj dallim se nga vijnë banorët që jetojnë këtu, qofshin nga veriu apo jugu i vendit, për mua janë të gjithë njëlloj, jeni komunitet që shërben si vlerë e shtuar për qytetin tonë, prandaj vullneti dhe dëshira ime është që t’ju shërbej njësoj të gjithë banorëve të Durrësit”.

Gjatë këtij viti në këtë zonë janë ndërtuar tre rrugë të reja, ndërkohë që janë duke u mbyllur rrugët “Azem Hajdari” dhe “Vala e detit”. Bashkia ka projekte për rikonstruksionin e rrugëve të tjera në këtë zonë, për të cilat kryebashkiakja Sako tha se i kemi planifikuar me pistë bicikletash dhe ndriçim, ndërkohë që në pjesë të rëndësishme të punës është planifikuar edhe për pastrimin e kanalizimeve të zonës. Një projekt tjetër është edhe ai për rikonstruksionin e shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, ndërtimin e një qendre të re shëndetësore dhe një kopsht i ri për fëmijët.

Edhe për projektet sociale bashkia ka menduar që nëpërmjet programit të kredive të buta, të ndihmohen familjet e varfra dhe çiftet e reja për strehim, duke u bërë pjesë e programit për të përfituar strehim social në pallatet që pritet të ndërtohen.

Ora 10:50
Cara takim me përfaqësuesit e biznesit në Durrës: Klima e sipërmarrjes ka ardhur në përkeqësim, por jo për shkaqet që u thuhen

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Igli Cara ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit që operojnë në Durrës. I konceptuar në formën e një dëgjese publike, ku pjesëmarrësit e vunë theksin te problematikat, me të cilat përballen, kryesisht gjatë sezonit turistik, ku nga më kryesoret mbetet mungesa e fuqisë punëtore.

Gjatë fjalës së tij Cara ka vlerësuar punën dhe rolin e çdo subjekti tregtar në Durrës, pavarësisht klimës së rënduar për të bërë biznes. Në të njëjtën kohë, ai është ndalur te pikat konkrete të parashikuara në programin e tij elektoral "Durrësi 2023-2027" për këto kategori. Vëmendje të veçantë do të kenë taksat dhe tarifat vendore ka bërë me dije kandidati opozitar. Për më tepër ato duhet të rikthehen në njësitë nga të cilat përfitohen në mënyrë indirekte.

“Klima e biznesit ka ardhur në përkeqësim dhe kjo s’ka lidhje me covid, as me luftën në Ukrainë. Duhet të punojmë në ato shërbimë të cilat Bahskia nuk i ofron. Taksat duhet të rikthehn në një sitë nga t cilët përfitohen në mënyrë indirekte.”- tha Cara.

Shpërndarja e buxhetit në njësitë administrative në përputhje me kontributin; përditësimi i regjistrit të biznesit; rishikimi i tarifave të pastrimit, mjedisit, ndriçimit, gjelbërimit; taksa 0 për startup, bizneset rinore dhe të teknologjisë janë vetëm disa nga pikat në programin elektoral të kandidatit për kryebashkiak, Igli Cara, që synojnë t'i vijnë në ndihmë biznesit gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm.

Ora 10:45
Kandidati i PS në Kuçovë: Do vijojmë investimet në fshatra! Qendra e qytetit ishte plot me mbetje, ne e kthyem në vendin e preferuar të banorëve

 

Kandidati i PS për bashkinë Kuçovë, Kreshnik Hajdari ka zhvilluar takim me banorët e Perondisë, të cilëve i thotë se kanë investuar në ujin e pijshëm kur e gjithë bashkia kishte probleme.

Një tjetër investim thotë se është infrastruktura arsimore pasi kanë kryer rikonstruktimin e shkollave, kopshteve por shton se kanë mangësi në disa godina.

“Një tjetër investim thotë se është kthimi i qendrës së Kuçovës në një qendër rekreative me kënde  sportive ku siç e dini ishte një ambient me mbetje nga periudha komunizmit me hekur , sot kthyer në një nga ambientet me të bukura preferuar për qytetarët. Një tjetër investim është i Lumasit ku 7 fshatra do të furnizohen me ujë të pijshëm. Sigurisht që bashkia ka shumë fshatra të cilat të gjitha duan vëmendje por me financat tona kemi arritur këto investime por do të kemi në qëndër vëmendjes edhe ato zona që kanë probleme në infrastrukturë, ujë, shkolla apo të tjera”, tha Hajdari.

Ora 10:32
Filo me banorët e Korçës: Pista e skive në Vithkuq, mundësi për zhvillimin e turizmit

1682670808_34409526816433180560979684023584630104285626n.jpg

Zhvillimi i turizmit dhe krijimi i strategjive të reja mbetet në fokus të Bashkisë Korçë edhe në programin e mandatit të ardhshëm. Gjatë një takimi me banorët e fshatit Vithkuq, kryetari i Bashkisë Korçë Sotiraq Filo njëherazi kandidat për zgjedhjet vendore të 14 majit, theksoi se Vithkuqi i ka potencialet e duhura për t’u shndëruar në qendrën e turizmit për qarkun Korçë. Filo prezantoi projektin e pistës së skive, si një mundësi që do të sjellë shumë të ardhura dhe ekonomi jo vetëm për Vithkuqin por për të gjithë bashkinë.

“Jemi duke punuar për ndërtimin e një strukture dimërore, për një pistë të madhe skish, që duam ta bëjmë në Bashkinë e Korçës dhe zona më e përshtatshme është ajo e Sherës, mbi Panarit. Javës që vjen do të nënshkruajmë një marrëveshje me TAP-in për të krijuar masterplanin dhe projektin ndërkohë që kanë filluar kontaktet edhe me investitorë potencialë. Nëse realizohet ky projekt, e ardhmja jo vetëm e Vithkuqit por e gjithë zonës do të jetë e ndryshme. Është një projekt që sjell ekonomi dhe do të krijojë një strukturë turistike për gjithë sezonin dimëror.”- tha Sotiraq Filo.

Ora 10:01
Mediu në Lezhë: Duhet të dimë të flasim me qytetarët, të dëgjojmë hallet e tyre që s'duhet të na duken të tepërta

 

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte në Lezhë për të mbështetur kandidatin e opozitës Pashk Gjoni. Në takimin që patën, Mediu thotë se duhet të dimë si të flasim me shqiptarët jo thjesht për problemet e krimit apo korrupsionit. Mediu sugjeron që të dëgjohen hallet e qytetarëve,

“Është shumë e rëndësishme ne të kuptojmë që kjo vlerë që na është dhënë t`a vendosim në shërbim të jetës sonë. Prandaj ka dhe një gjë që mund `ta kurojë mirë shoqërinë shqiptare, përveçse duhet të flasim fort për problemet, për krimin, për korrupsionin, e rëndësishme është të dimë si të flasim me shqiptarët. Të flasim me ta duke i dëgjuar dhe jo vetëm duke ju thënë, të dëgjojmë hallet dhe problemet që ata kanë, të flasim me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës, me respekt për njëri-tjetrin, se mësimi më i madh i Zotit është; jo vetëm të duam Zotin, por të duam dhe të respektojme njëri-tjetrin.

Pa dashur dhe pa respektuar njëri-tjetrin, ne nuk mund të arrijmë asnjë lloj suksesi. Ne, të gjithë duhet të kemi guximin për të qëndruar, përndryshe, ne, fëmijët tanë, do të futen në qerfull të errësirës, në një rrugë të gjatë, e cila do të jetë e dhimbshme dhe e mundimshme, për ne si prind, por dhe për ata. Ne kemi sot një takim me fatin dhe ky takim me fatin është 14 maji.

Prandaj ju bëj thirrje ju, të gjithë të bashkojmë, të flasim me çdo lezhian, të trokasim në çdo derë, por në radhë të parë të trokasim në zemrat e njerëzve, të degjojmë me vërejtje problemet dhe hallet e njerëzve, mos të na duken si të tepërta, t`i japim kuptim dhe vlerë jetës së çdo qytetari, sidomos atyre që janë në nevojë, sepse duke i dhënë kuptim dhe vlerë problemeve dhe halleve që ata kanë, duke i dëgjuar me vëmendje dhe duke i dhënë zgjidhje, ne i kemi dhënë kuptim dhe vlerë edhe jetës sonë”, tha Mediu.

Ora 09:57
Kandidati i PS për bashkinë Himarë: Do keni ujësjellës të ri për ujë të pijshëm! Banorët të marrin iniciativa për shërbimin turistik

 

Kandidati i PS për kryetar bashkie në Himarë, Jorgo Goro premton se do të ketë ujësjellës të ri për banorët e fshatit Kudhës. Gjatë një bashkëbisedimi me banorët, tha se janë realizuar investime të rëndësishme duke nisur nga infrastruktura e rrugës së fshatit por edhe ndërhyrja të tjera. Qëllimi i kësaj zone mbetet me prioritet turzimin cka ka në fokus Bashkia Himarë.

“Ne njihemi bashkë, kemi kaq kohë që punojmë në Bashki dhe falë njohjes së problemeve shumë kërkesa tuaja janë realizuar dhe unë mendoj që edhe ato probleme të vogla që mund të kemi do t’i realizojmë. Shumë shpejt do bëhet lidhja e ujit të pijshëm nga Kuçi dhe ujin që përdorni tani, mund ta përdorni për vaditje. Do të keni një ujësjellës të ri. Kudhësi është vend turistik për të ardhmen e fëmijëve tani. Tani i ka të gjitha mundësitë, rruga u bë, uji po bëhet, sheshi po bëhet, shtëpitë janë restauruar. I vetmi problem është iniciativa e banorëve për të bërë ndërmarrje në shërbimin turistik”, tha Goro.

Duke i uruar suksese kandidatit Goro për të vijuar punët dhe investimet e nisura, banorët kanë vlerësuar punët e kryera deri më tani, por edhe çfarë do të kryhet në katër e vitet e ardhshme, ndërsa kanë theksuar faktin se kandidati rival nuk ka se çfarë të premtojë duke parë se deri më tani edhe fshati Kudhës ka marrë investime të rëndësishme dhe do të vijojë të jetë pjesë e rëndësishme e projekteve, edhe në katër vitet e ardhshme.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Berati: 04/05/2023 18:35

    Kreshnik Hajdarin e Kucoves e dinim ne burg per vjedhjet akoma kandidon ky hajduti ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë