Për të 57-ën ditë, protestuesit vijojnë grumbullimin përpara kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe refuzuar dokumentin “Besa” që ai prezantoi si kthesë për qeverisjen e mandatit të katërt.

“Rama priste që me rritjen e temperaturave kjo protestë të binte, por kjo është vera e vetmisë së madhe. Ai nuk do ta mbyllë dot verën sepse Revolucioni i Flamingove do të rrëzojë Ramën dhe qeverinë e tij. 57 ditë rezistencë për të bërë të mundur atë që ky kryeministër nuk e bëri për 13 vite sepse është i pabesë”, tha një aktivist.

“Ne ta japim besën që s’do të ikim prej sheshit derisa të të largojmë ty! Ne e mbajmë besën se s’jemi politikanë si puna jote! Jemi shqiptarë që e kemi studiuar historinë tonë! Nuk do të dorëzohemi pa na futur në burg të gjithëve”, tha një protestues.

Ndërkohë pati thirrje edhe për Policinë e Shtetit, pas përplasjeve të disa ditëve më parë në protestën te Kuvendi.

“I bëj thirrje policisë të mos instrumentalizohet se ne jemi këtu edhe për ta, për fëmijët e tyre”, thirri Edison Lika.

Një tjetër protestuese kundërshtoi idenë e shkrirjes së bashkive për reformën e re territoriale.

“Si mund të fshihet Konispoli, si mund të fshihet historia e Çamërisë. Delvina? Qeveria nuk po ndjek interesat e popullit, sepse është bërë arrogante, nuk dëgjon. Hiqni duart nga Konispoli, Delvina dhe Shqipëria. Nuk mund të zbehet roli historik i Delvinës në shtetformim”, tha ajo.

Lajm në përditësim...