Rrjeti SafeJournalist ka dënuar aktet e dhunës ndaj disa gazetarëve dhe operatorëve në protestën e sotme në Tiranë.
Ata kanë shprehur solidaritetin me të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur nga këto incidente dhe kanë theksuar se do të vijojnë dokumentimin e incidenteve dhe monitorimin e reagimit të autoriteteve.
Sipas SafeJournalist, mbrojtja e atyre që raportojnë nga protestat është thelbësore për të drejtën e publikut për t’u informuar dhe për llogaridhënien demokratike.
Rrjeti SafeJournalist ka specifikuar edhe rastin e dëmtimit të kamerës së Report Tv, pasi u godit nga një bombol gazi gjatë tubimit, duke kërkuar hetimin e incidentit, mbajtjen përgjegjës të efektivëve të përfshirë dhe kompensimin e dëmit.
Reagimi i Rrjetit SafeJournalist:
Rrjeti SafeJournalists dënon me forcë dhunën e raportuar të policisë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, pengimin e raportimit dhe dëmtimin e pajisjeve të medias gjatë protestës në Tiranë më 28 nëntor. Raportimet për goditjen e të paktën gjashtë punonjësve të medias, të identifikuar me emër, me plumba gome, bombolë gazi lotsjellës ose ujë me presion nga autoboti i policisë, si dhe për dëmtimin e kamerës së një ekipi televiziv, ngrenë shqetësime serioze për përdorimin e forcës dhe efektivitetin e masave ekzistuese për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e lirisë së raportimit gjatë protestave.
Sipas deklaratave të publikuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Lindita Çela, gazetare dhe drejtuese e medias Shteg, është goditur me plumb gome ndërsa filmonte protestën me telefonin e saj celular, megjithëse ishte qartësisht e identifikueshme si gazetare. Elion Deliu, operator i Top Neës, dhe Felix Bilani, fotoreporter i SYRI, gjithashtu raportohet se janë goditur me plumba gome gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Lorin Kadiu, gazetar dhe drejtues i Citizens.al, raportoi se ishte goditur në këmbë me një bombolë gazi lotsjellës të lëshuar nga policia, nga një distancë prej rreth pesë metrash. Ai po fotografonte një qytetar të lënduar dhe mbante kartën e identifikimit të medias dhe kokore me shënimin “PRESS”. Kadiu i tha SJN-së se goditja i shkaktoi gjakderdhje dhe e pengoi të vijonte punën.
Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka, të dy të SYRI TV, u goditën me ujë me presion nga autoboti i policisë ndërsa po raportonin. Të dy ishin të identifikueshëm si punonjës të medias dhe Muka pësoi lëndime të rënda kur u përplasën në trotuar. Bushkolaj raportoi gjithashtu se policia lëshoi një bombolë gazi lotsjellës pranë tyre ndërsa kolegët po i jepnin ndihmën e parë Mukës, duke i detyruar ta zhvendosnin brenda një godine. Kjo dëshmi ngre shqetësime të veçanta për sigurinë e gazetarëve të lënduar dhe të personave që u japin ndihmë.
Në përditësimin e orës 15:15 të datës 28 nëntor 2026, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale raportoi se katër përfaqësues të medias, mes tyre një shtetase e huaj, ishin paraqitur të lënduar në Spitalin Universitar të Traumës dhe se gjendja e tyre shëndetësore ishte e qëndrueshme në atë moment.
Në një tjetër incident të raportuar nga AGSH, kamera e Report TV është thyer pasi raportohet se është goditur nga efektivët e Policisë së Shtetit gjatë një ndërhyrjeje policore. Dëmtimi i pajisjeve të medias pengon gazetarët të dokumentojnë ngjarjet, përfshirë veprimet e policisë, dhe cenon të drejtën e publikut për t’u informuar. Incidenti duhet të hetohet plotësisht, përgjegjësit të mbahen përgjegjës dhe dëmi i shkaktuar të kompensohet.
Këto incidente pasojnë paralajmërimet e përsëritura të SafeJournalists dhe organizatave të tjera për lirinë e medias lidhur me dhunën dhe pengimin e gazetarëve gjatë protestave të udhëhequra nga studentët në Shqipëri. Në apelin tonë të përbashkët me partnerët e Media Freedom Rapid Response, evidentuam të paktën 55 incidente të dokumentuara me mbështetjen e AGSH-së ndërmjet 13 dhe 31 tetorit, shumica e të cilave iu atribuuan efektivëve të Policisë së Shtetit. Përsëritja e sulmeve të raportuara ngre sërish pikëpyetje për komandimin e policisë, mbikëqyrjen operacionale dhe zbatimin e garancive ekzistuese për sigurinë e gazetarëve.
Gazetarët duhet të kenë mundësi të dokumentojnë në mënyrë të sigurt protestat dhe veprimet e policisë. Operacionet policore duhet të marrin parasysh praninë e tyre dhe çdo përdorim i forcës duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Goditja e punonjësve të medias që janë qartësisht të identifikueshëm ndërsa raportojnë kërkon shqyrtim të menjëhershëm, përfshirë verifikimin nëse janë shënjestruar qëllimisht.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme mbrojtëse, të japin udhëzime të qarta operacionale dhe të sigurojnë zbatimin e Udhëzuesit ekzistues për Sigurinë e Gazetarëve. Mbrojtja duhet të garantohet gjatë gjithë operacioneve policore, përfshirë shpërndarjen e protestës, dhe punonjësit e lënduar të medias duhet të kenë mundësi të marrin ndihmë në mënyrë të sigurt.
I bëjmë thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe prokurorive kompetente të kryejnë hetime të shpejta, të pavarura dhe të plota për çdo incident të raportuar. Hetuesit duhet të ruajnë pamjet filmike të disponueshme, dëshmitë, urdhrat operacionalë dhe regjistrat e armëve e municioneve të përdorura, të identifikojnë përgjegjësit dhe të shqyrtojnë çdo dështim në komandim ose mbikëqyrje. Autoritetet duhet të publikojnë informacion konkret për ecurinë e hetimeve dhe masat e marra si për këto incidente, ashtu edhe për rastet e mëparshme.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritetin me të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur nga këto incidente. Do të vijojmë dokumentimin e incidenteve dhe monitorimin e reagimit të autoriteteve. Mbrojtja e atyre që raportojnë nga protestat është thelbësore për të drejtën e publikut për t’u informuar dhe për llogaridhënien demokratike.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 28 nëntor 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias së Malit të Zi
Lajmi kryesor:
Protesta/ Bombola e gazit shkatërron kamerën e Report Tv, uji me presion merr para gazetarin Elkier Bushkolaj dhe operatorin! 7 përfaqësues të medias të lënduar! AGSH kërkon hetim


