Naftëtarët e Bankers Petroleum ndodhen sot në ditën e 7-të të grevës së urisë. Shkak për marrjen e këtyre masave drastike janë bërë mosplotësimi i kërkesave të punonjësve nga ana e kompanisë lidhur me rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Në një lidhje direkte për Report Tv në ‘Studio Live’ me Ermal Qorin, nga ambientet e Sektorit hidrokarbur në Marinzë, naftëtarët kanë paralajmëruar përshkallëzimin e grevës në rast se nuk do të ketë negociata me kompaninë. Pavarësisht se ditën e sotme, përfaqësues të Bankers kanë zhvilluar një takim me grevistët, ende nuk ka asnjë vendimmarrje konkrete nga ana e kompanisë.
“Dita e 7 që vazhdon greva dhe greva e përgjithshme që ishte e lajmëruar nga të gjithë punonjësit e Bankers. Në takim pati përfaqësues të kopanisë, supervizorja e burimeve njerëzore, dhe disa menaxherë e konsulentë. Por asnjë shtetas kinez i punësuar në kompani që mundtë kishte detyra të larta vendimmarrje.
Kjo e sotmja u pa si përçapje për ta zhbërë këtë agravimin dhe për të ulur tensionet. Tensionet nuk ulen me lugën bosh. Që nga fillimi jemi një sindikatë nuk kemi ngjyrim politik ajo që ka bërë Baci është më shumë një veprim personal pas asnjë lloj kërkese nga ana jonë. Ka bërë shumë mirë, por nëse do të donte ta bënte më serioze, ai mundtë mblidhte 10 firma apo nga grupi parlamentar, apo 140 nga parlamenti, dhe çështja të kalonte në rend dite në parlament. Ndoshta aty mund të jepej dhe një zgjidhje për ne.
Duke punuar dhe duke ditur për prodhimin e shitjet e kompanisë, kjo kompani ka të ardhura që një punonjës i huaj apo konsulent arrin të marrë rreth 850 mijë dollarë në vit, ka para edhe për ne. Nuk po kërkojmë luks, kërkojmë pagë dinjitoze. Paga mesatare shkon deri në 850 mijë lekë të vjetra neto. Ne kemi kërkuar rritje 18% të fondit të përgjithshëm të pagave dhe kjo rritje të bëhet për punonjësit e fushës”, tha njëri prej grevistëve.
Një tjetër prej naftëtarëve është shprehur se puna e tyre në kompani po plotësohet nga të tjerë të punësuar, të cilët nuk janë ekspertë të fushës dhe se po punojnë me orare të zgjatura. Ndër të tjera, ai tregon se kompania është shprehur se do të mbyllet përfundimisht fusha naftëtare e Patos-Marinzë nëse ata refuzojnë të kthehen në punë.
“Kompania tani po mbahen me një % të vogël të punëtorëve që nuk janë profesionistë të fushës. Po punojnë jashtë kapaciteteve fizike se po plotësojnë turnet tona. Të kalosh në 80-90 orë në javë duhet të priten pasoja, që do të jenë në shëndeti ne atyre njerëzve, dhe atë të procesit dhe se çfarë mund të ndodhi në industrinë e aftës, mund të ketë pasoja dhe në fshatrat vërdallë. Ata na kërcënojnë që do të mbyllin fushën. Menaxherët i thonë njerëzve që do të mbyllet fusha”, tha Dritani.
Njëri prej grevistëve i ka bërë apel Ministrisë së Energjisë, kryeministrit si dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Njerëzore, duke i kërkuar që të hyjnë në negociata me Bankers Petroleum për plotësimin e kushteve, ose greva do të përshkallëzohet dhe se ambiente të tjera do të krijohen për të pritur të tjerë grevistë.
“Familjarët tanë na mbështesin, na marrin shesh herë. Shpresë ka por interesim nga kompania nuk ka. Kemi punuar ka kohë me thërrime, tani na lanë pa ngrënë dhe prap nuk interesohen. Kemi menduar të shtohemi, por nuk kemi ku të rrimë, por nëse zgjat akoma do të ngremë një çadër tjetër.
Apel kam për të gjitha institucionet, sidomos më ministrinë Energjetikës, kryeministrin, AKBN, të interesohen dhe të futen në negociata me kompaninë. Ky nuk është vetëm dëm për ne por dhe për komunitetin se kjo është pasuria e gjithë shqiptarëve, nuk është vetëm e jona e aq më tepër e kinezëve”, tha ai.
Aktualisht “Bankers Petroleum Albania LTD” hetohet nga SPAK, me dyshimin se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm, prej 110 milionë lekësh. Naftëtarët tregojnë se paga mesatare është 60 mijë lekë, ndërsa kërkojnë rritje të pagës me 18% të fondit të përgjithshëm.
Komente







