TIRANË – Në ditën e nderimit të Dëshmorëve të Atdheut, 5 majin, Kryeministri Berisha zhvilloi vizita në 3 familje dëshmorësh; në familjen e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari, në familjen e Heroit të Popullit Jordan Misja, si dhe dëshmorit më të fundit të Atdheut, kapiten Feti Voglit.

"Në historinë e vendit Azem Hajdari, në udhëheqjen e lëvizjes studentore, që do të gjunjëzonte në dhjetor të vitit 1990 diktaturën më të egër dhe më të shëmtuar që kohërat kishin njohur ndonjëherë, do të mbetet frymëzim i përjetshëm për shqiptarët në përpjekjet e tyre për konsolidimin e demokracisë",u shpreh kryeministri pas vizitës në familjen Hajdari.

Ndërsa gjatë vizitës në familjen e Heroit të Popullit Jordan Misja, Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve të tij mirënjohjen për sakrificën e madhe dhe veprën e tij të pavdekshme për lirinë e kombit.
“Unë ndaj sot me ju nderimin e madh, respektin e thellë dhe mirënjohjen për Jordanin dhe të gjithë ata që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë që kishin, në mënyrë që sot të jemi të lirë, kombi të jetë i lirë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha bëri një vizitë edhe në familjen e kapiten Feti Voglit, Dëshmor i Atdheut, i cili humbi jetën vetëm pak kohë më parë në Afganistan.
Kryeministri vlerësoi rënien heroike të kapiten Voglit në krye të detyrës së tij dhe i përcolli familjarëve vlerësimet dhe ngushëllimet e të gjithë bashkëluftëtarëve dhe komandantëve të të gjitha niveleve, me të cilët kapiten Vogli kishte bashkëpunuar në misionin e tij, vlerësime të cilat Kryeministri i kishte marrë gjatë vizitës së tij të fundit në Afganistan.

(aq/shqiptarja.com)