TIRANE- Dita në nderim te aktit heroik të heronjve dhe dëshmorëve të kombit tonë, u kujtua sot jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjitha rrethet e vendit, ku përfaqësues të forcave politike, pushtetit lokal, familjarë dhe qytetarë të ndryshëm vendosën kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve të qyteteve.

Kështu, në qytetin e Durrësit, paraditen e sotme, homazhe u zhvilluan në Mauzoleumin e Dëshmorëve, ku në respekt të veprës së tyre, kryebashkiaku Vangjush Dako, prefekti Genc Alizoti, si dhe përfaqësues të politikës shqiptare, vendosën kurora me lule në Mauzoleun me pllakat përkujtimore të të rënëve për liri.

Edhe në qytetin e Fierit, kjo ditë i bashkoi përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik, drejtuesit e institucioneve vendore, qytetarë, veteranë dhe familjarë të të rënëve të Luftës, për të nderuar së bashku kujtimin e dëshmorëve të Atdheut.
Ndryshe nga herët e tjera, homazhet sot u zhvilluan në një ceremoni të përbashkët përkujtimore, ku kryetari i grupit të deputetëve të PS-së, Gramos Ruçi, kërkoi të shmangë deklaratat politike dhe politizimin e situatës, gjatë kësaj ceremonie.
Në ditën e dëshmorëve, edhe qindra banorë të qytetit të Kukësit, familjarë, nxënës shkollash, përfaqësues të partive politike dhe të Pushtetit Vendor, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Varrezave të Dëshmorëve të qytetit.
"Jemi këtu sot për të nderuar veprën e të gjithë atyre që dhanë jetën për Pavarësinë dhe lirinë e popullit tonë. Përkujtimi i tyre këtë vit përkon edhe me festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë”, u shpreh prefekti i Kukësit, Elez Maçi.
Homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve zhvilluan sot edhe nga drejtues të Pushtetit Vendor, përfaqësues të forcave politike, familjarë të të rënëve në luftë, si dhe qytetarë të shumtë në qytetin e Gjirokastrës.

Të parët që nderuan dëshmorët e këtij qyteti ishin veteranët e luftës, të cilët vendosën kurora me lule pranë lapidarit “Ushtari i Panjohur”, ku në heshtje të plotë dhe larg fjalimeve politike, pjesëmarrësit kanë parakaluar përpara Varrezave të të rënëve.
Veprimtari përkujtimore u organizuan sot në qytetin e Pogradecit, kushtuar 45-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), pseudonimi i tij letrar.

Në aktivitetin e organizuar në këtë ditë, folën për vlerat dhe kontributin e shkrimtarit , zv/ministri i Arsimit, Ardian Tane, Aurel Plasari dhe Ardian Civici, ndërsa një koncert me pjesë nga krijimtaria e veprave të Kutelit, u dha nga Qendra Kulturore e Fëmijëve.

Edhe aktori i shquar i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, interpretoi për të pranishmit "Poemthin kosovar", të Kutelit.
Ndërsa në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit dhe në Monumentin e Brigadës së XV-të Sulmuese në Pogradec, u zhvilluan homazhe dhe u vendosën kurora me lule nga veteranët , familjarët, qytetarë dhe përfaqësues të pushtetit lokal e politikanë.
Si zakonisht edhe këtë vit, në ditën e 5 Majit, autoritetet lokale, drejtues të institucioneve, politikanë, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë në qytetin e Shkodrës zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, për të vijuar më pas me vizita në disa prej familjeve të të rënëve në Luftë.

Në këtë ditë përkujtimore, edhe shoqata e Veteranëve të qytetit verior, kujtoi veprën e dëshmorëve të qytetit, pas një tubimi të organizuar më parë në Shtëpinë e Oficerëve , ku folën për kontributin që dëshmorët dhe veteranët e Luftës kanë dhënë për këtë qytet.
(atsh/ sg/shqiptarja.com)