Në memorialin “Nëna Shqipëri” në Tiranë kanë nisur homazhet në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.
Kryeministri Rama, presidenti Begaj vendosën kurorat e tyre me lule pranë memorialit te Varrezat e Dëshmorëve për të përkujtuar veprën sublime të të rënëve të atdheut.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën më 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri më 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisën përpjekjet e para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave.
Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar. Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve. U ndërtuan varreza dëshmorësh në çdo qendër rrethi. Shqipëria, përpos 26 të tillave që ishin në qendrat e rretheve, pati dy të tjera, krejt të veçanta e që u përkisnin dy fshatrave martire, Kuçit të Kurveleshit dhe Pezës së Tiranës. Ndërsa në këtë të fundit përuleshin e nderonin gjithë udhëheqja e partisë dhe shtetit, si në 5 maj, ashtu dhe në 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës, në Kuç, si rregull shkonin nxënësit e shkollës së fshatit dhe familjet e dëshmorëve.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar çdo vit.
Lajm në përditësim...
5 Maji, “Dita e Dëshmorëve”, është përkujtuar edhe në Vlorë me homazhe në varrezat e dëshmorëve të qytetit.
Përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror, qytetarë si dhe familjarë të dëshmorëve kanë nderuar ata që dhanë jetën për liri, duke vendosur kurora me lule, në një ceremoni që përsëritet çdo vit.
Kjo ditë, përveçse një moment nderimi për sakrificën e dëshmorëve të atdheut, u shoqërua edhe me thirrje për më shumë reflektim nga politika.
Përtej fjalëve dhe premtimeve, nevojitet më shumë angazhim konkret nga të gjitha krahët politikë për të vlerësuar dhe mbështetur realisht figurën dhe trashëgiminë e dëshmorëve, të cilët shpesh kujtohen vetëm në data të shënuara.
Në qytetin e Beratit është mbajtur ceremonia e homazhit të dëshmorëve të atdheut. Në ceremoni ishin të pranishëm drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, veteranë e pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve.
Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora pranë memorialit kushtuar dëshmorëve dhe në varret ku prehen të rënët e luftës dhe 7 efektivët e Policisë së Beratit, të vrarë në krye të detyrës.
Dita e Dëshmorëve të Kombit u përkujtua edhe në qytetin e Lushnjës.
Veteran të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues lokal vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve, në nderim të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Nga qelia e paraburgimit, ish-presidenti Ilir Meta ka nderuar Dëshmorët e Atdheut. Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, ai shkruan se 5 Maji është ditë kujtese, mirënjohjeje e reflektimi.
Kryetari i Partisë së Lirisë thotë se vepra e tyre është thirrje për vigjilencë e gatishmëri në mbrojtje të lirisë që edhe sot kërcënohet nga “uzurpatorët” që “i kanë shpallur luftë familjes e kombit.”
“Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!
5 Maji është jo vetëm një ditë kujtese dhe nderimi, por edhe mirënjohje e reflektimi për sakrificën më sublime të Qemal Stafës dhe mijëra Dëshmorëve, të rinj e të reja, që dhanë jetën për Lirinë e Atdheut.
Vepra e tyre mbetet dritë udhërrëfyese, një thirrje e përhershme për të qëndruar gjithmonë vigjilentë dhe të gatshëm për çdo sakrificë në mbrojtje të Lirisë, të kërcënuar sot nga kuislingët dhe uzurpatorët "modernë", që interesin kombëtar e trajtojnë si gjë pa vlerë, që i kanë shpallur luftë familjes dhe kombit, me politikat e tyre të shpopullimit dhe shkombëtarizimit.
Kujtimi i Dëshmorëve është një kushtrim për të shumëfishuar përpjekjet tona për mbrojtjen e Lirisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë përmes mbrojtjes së vlerave tona më të mirat kombëtare, shoqërore dhe të familjes”, përmbyll Meta.
Komente










