Pasi shprehu me një fjali ngushëllimet e tij për tragjedinë në Durrës, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë shfrytëzoi kohën e tij në foltoren e kuvendit, për të sulmuar kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar se po e çon vendin drejt një regjimi autoritar që përdor drejtësinë për goditjen e kundërshtarëve politikë. Në apelin e tij, Blushi i bëri thirrje Ministrit të Drejtësisë të respektojë  rekomandimin e Avokatit të Popullit për kushtet skandaloze, sipas tij, në burg të Ilir Metës. 

"Dua të denoncoj faktin se si vendi ynë çdo ditë po rrëshqet me shpejtësi drejt një regjimi autoritar që flet për integrimin në BE nga mëngjesi në darkë, por që është damkosur me rezolutën e 8-të si një vend autokratik që nuk respekton as liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Sot, Shqipëria është i vetmi narko shtet në BE. Kemi 2 raporte, një të Avokatit të Popullit dhe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit që u tregon të gjithëve sa i respekton kjo qeveri këto të drejta. Kanë kaluar mbi 20 muaj kur Edi Rama rrëmbeu në mënyrë mafioze Ilir Metën që edhe sot vazhdon të jetë i burgosur politik pa asnjë fakt dhe provë penale. Është po kjo qeveri, që me qëllim nuk respekton as rekomandimet e institucionit kushtetues të Avokatit të Popullit. Për ata që flasin për Reformën në Drejtësi, i ftoj të lexojnë Rezolutën e 8-të IDU, për Shqipërinë, se si denoncohet fakti që drejtësia e kapur nga Edi Rama po përdoret sot si kamzhik, si pistoletë, në duart e Edi Ramës për të goditur kundërshtarët politikë. Dua të përsëris thirrjen time drejtuar Ministrit të Drejtësisë: respekto rekomandimin e Avokatit të Popullit, respekto rekomandimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Trajtimi çnjerëzor i Metës në paraburgim, mohimi i së drejtave të tij, kur edhe Putini ua njeh kundërshtarëve politikë, tregon që jo vetëm çeta që rrëmbeu Metën, por edhe prokurori, gardiani i burgut është një dhe vetëm një: Edi Rama” tha Tedi Blushi.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ 1 minutë heshtje për 2 të miturit që u vranë në Durrës, Braçe: Është vrasje, të ndryshohet Kodi Rrugor! Zhupa: Kemi dështuar të gjithë