Në Ditën e Drejtësisë, krerët më të lartë të sistemit të jurisprudencës shqiptare janë mbledhur në një aktivitet me temë “Drejtësia në këndvështrimin kushtetues”.  

Reforma në drejtësi dhe miratimi i saj ishte në fokus të diskutimeve, si një reformë që do t'i hapte rrugën anëtarësimit të Shqipëisë në BE.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se është shprehur se ndryshimet e shpeshta në Kushtetutë kanë treguar deri më sot një lloj paqëndrueshmërie, ndaj sipas tij reforma në drejtësi duhet të bëjë dallimin mes dy shekujve të shtetit shqiptar.

 “Është një një privilegj për mua që në vitin e 103 të historisë së shtetit tonë të gjendem në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, detyrë të cilën Ministri i parë i Drejtësisë e promovoi me miratimin e “Kanunit të Zhurisë” dhe pas 103 vjetëve jemi tek reforma e drejtësisë. Refoma tashmë për mua është e mbyllur dhe zbatimi me sukses i çdo reforme kërkon padiskutim dinjitetin kombëtar të shoqërisë dhe vendit ku ajo refomë zbatohet. Ky është kusht i domosdoshëm për të ndërtuar një sistem drejtësie krejt ndryshe nga sa e kemi deri më sot," tha Manjani.

Mesazhi i plotë i Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani në Ditën e Drejtësisë

Në 103 vjetorin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori konfirmoi mbështetjen e komunitetit të gjyqtarëve për miratimin e Reformës në drejtësi. Sipas tij, në kuadër të kësaj reforme, ka nevojë të forcohet pavarësia e sistemit të gjyqësore dhe të luftohet korrupsioni.

"Ne si komunitet i gjyqtarëve jemi të ndërgjegjshëm që duhet të mbështesim këtë reformë, sepse garanton integrimin dhe krijimin e një demokracie funksionale, garanton mbrojtjen e lirive e të drejtave të individëve. Në këtë kuadër, ne mbështesim veçanërisht konsensusin që u arrit dje nga komisioni i reformës dhe shprehim gatishmërinë që në vijim do të tregohemi bashkëpunues për të realizuar kuadrin e plotë ligjor. Me miratimin e kuadrit ligjor është koha për zbatimin e tij, ku ne kemi detyrat tona. Ne angazhohemi që t'i realizojmë ato me përpikmëri në mënyrë që reforma në tërësi të jetë sa më e suksesshme. Ne garantojmë bashkëpunimin dhe me aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë që kontributi ynë i përbashkët që jetë një vlerë e shtuar," tha Zaganjori.

Në aktivitetin “Drejtësia në këndvështrimin kushtetues”, përveç Zaganjorit dhe Manjanit ishin të pranishëm edhe kreu i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, si dhe, në mungesë të Bashkim Dedjes së Gjykatës Kushtetuese, anëtari i kësaj gjykate, Sokol Berberi.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)