Tirana u përfshi nga magjia e muzikës së Ennio Morricones mbrëmjen e të shtunës, në koncertin kushtuar trashëgimisë artistike të një prej kompozitorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore, organizuar në Ditën e Europës.

‘Morricone ishte im atë’, nën drejtimin e të birit, maestros së njohur italian Andrea Morricone, një event që përcolli atmosferë emocionuese, nostalgji për pjesëmarrësit, krerë shteti, diplomatë, njerëz të artit dhe kulturës.

Pak para nisjes së koncertit, kryeministri Rama ndau një moment bashkëbisedimi me ambasadorin italian në Shqipëri, Marco Alberti.

Marco Alberti: “Morricone është një talent italian që ia dhuruam botës, sepse kultura është një nga rrugët më të rëndësishme për të arritur unitetin, përmes diversitetit.”

Edi Rama: “Po, por nëse kohët do të ishin ndryshe, madhështia e Morricones do të ishte financuar 100% nga Italia. Kohët kanë ndryshuar megjithatë”.

Marco Alberti: “Kohët kanë evoluar”.

Edi Rama: “Bashkëpunimi i parë në histori kur financat e vëllezërve tanë dhe të motrës time në Romë janë në minorancë.”

Në skenë Andrea Morricone dirigjoi Orkestrën Simfonike të RTSH-së, duke sjellë për publikun emocionin e veprave ikonike të të atit Ennio Morricone. Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Ambasadën italiane në Tiranë, TKOB dhe Qendrën për Hapje dhe dialog.

Ennio Morricone ka shkruar rreth 400 partitura filmash, përfshirë komedi, romanca dhe thriller. Ai është fitues i tre çmimeve Grammy, tre Golden Globe, gjashtë BAFTA, dhjetë “David di Donatello”, 11 “Nastro d’Argento” dhe çmime të tjera prestigjioze.

Përdorimi krijues i kambanave, kitarave elektrike, harmonikave dhe zhurmës së dallueshme të harpës hebreje nga Morricone kanë ndikuar dhe revolucionarizuar muzikën perëndimore. Morricone ndërroi jetë më 6 korrik 2020 në moshën 91-vjeçare. Muzika e tij vazhdon të jetë e pranishme në koncerte, filma dhe kulturën botërore.