Presidenti Nishani zhvilloi paraprakisht një takim me Presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviç në selinë e Komunës, të cilit i shprehu mirënjohjen në emër të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë për kujdesin e vazhdueshëm që tregon ndaj pakicës shqiptare si dhe për kontributin e vyer të dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në drejtim të forcimit të miqësisë dhe marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Edhe ne e provojmë bashkëjetesën dhe Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe mik i Shqipërisë.”–theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit shqiptar pasi vuri në dukje se Parlamenti shqiptar ishte i pari që ratifikoi marrëveshjen e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, theksoi se: “Anëtarësimi juaj në aleancën politiko-ushtarake të Atlantikut të Veriut jo vetëm u shërben dhe rrit sigurinë e qytetarëve tuaj, por është një kontribut në të mirë të sigurisë së mbarë rajonit tonë, sepse rrit sigurinë dhe zgjeron hapësirën e lirisë në Ballkan duke qenë se kemi nevojë të garantojmë sa më shumë paqen dhe stabilitetin për vendet dhe popujt tanë. Qytetarët malazezë do të kuptojnë rëndësinë e të qenit në një aleancë politiko-ushtarake që i siguron paqen dhe stabilitetin.”
Nga ana e tij Presidenti Vujanoviç, pasi uroi Ditën e Ulqinit dhe vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë një model i përkryer i marrëdhënieve të mira fqinjësore, shprehu besimin se ato do të forcohen edhe më tej, sidomos bashkëpunimi ekonomik në fushat e turizmit, të energjisë, transportit detar, etj.
Presidenti Vujanoviç falënderoi Presidentin Nishani për ndihmën e çmuar dhe mbështetjen për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, pasi ndihma e fqinjëve vlerësohet së tepërmi duke qenë se ata mund të dëshmojnë më së miri për zhvillimin e vendit të tij, duke shtuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut hap mundësi të reja bashkëpunimi, sidomos po të kihet parasysh fakti që i gjithë bregdeti i vendeve tona i përket totalisht hapësirës së Aleancës.
Të mikpritur nga Kryetari komunal Loro Ndrekiqi dhe Kryetari i Komunës Nazif Cungu, të dy Presidentët morën pjesë dhe përshëndetën veprimtarinë festive që u mbajt në Qendrën e Kulturës me rastin e Ditës së Ulqinit, gjatë së cilët kënduan dhe luajtën mjeshtërisht disa artistë të shquar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia.
Në përfundim, Presidenti Nishani dha edhe këtë mesazh para mediave të pranishme duke u shprehur: “Ishte kënaqësi, por edhe privilegj të isha sot i ftuar në Ditën e Ulqinit. I falënderoj autoritetet vendore, Kryetarin Cungu dhe të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit, të cilët më adresuan një ftesë për të qenë së bashku me ta në këtë ditë feste dhe gëzimi. Ishte një kënaqësi edhe më e veçantë pjesëmarrja në këtë festë e Presidentit Vujanoviç. Gjej rastin edhe njëherë të uroj të gjithë qytetarët: Gëzuar Ditën e Ulqinit! Gëzuar këtë festë! Ditë më të mbara e më të mira për të gjithë qytetarët e Ulqinit dhe të Malit të Zi! Njëkohësisht i shpreha Presidentit Vujanoviç vlerësimet e mia më të mira për respektin që autoritetet, shteti i Malit të Zi u adreson shqiptarëve në Malin e Zi. Jam i bindur gjithashtu se shqiptarët e Malit të Zi, si deri më tani, do të vazhdojnë të jenë kontribues të rëndësishëm të shtetit e vendit të tyre dhe duke e adresuar Malin e Zi në të gjitha proceset e integrimit euro-atlantik. Njëkohësisht gjej rastin të falënderoj shqiptarët në Mal të Zi për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme që vazhdojnë të bëjnë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë dhe identitetit të tyre kombëtar.”
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)