Çiftelia, vallet popullore dhe veshjet tradicionale po tërheqin vëmendjen e të rinjve lezhjan. Prej 12 vitesh, rapsodi Llesh Prenga po ua transmeton dashurinë për folklorin 106 nxënësve në Lezhë dhe Shënkoll, të cilët janë pjesë e aktiviteteve kulturore brenda dhe jashtë vendit.

“Fillimisht e kam filluar kursin me 5 nxënës. Në Tirana morëm çmimin e parë dhe trofeun si grup edhe aty m’u bë zemra mal për të krijuar një grup fëmijësh. Sot kam 106 nxënës që u jap mësim për çiftelinë dhe vallet të shtunë dhe të diel sepse janë në shkollë gjatë javës. Folklori është baza e identitetit tonë kombëtar.”, thotë instrumentisti lezhjan ndërsa tregon iniciativën që do të ndërmarrë pas festave të fundvitit pë lahutën.

“Pas Vitit të Ri do fus dhe lahutën sepse ka dalë jashtë funksioni në zonën tonë. Nuk kemi lahutarë fëmijë, kanë mbetur vetëm dy pleq. Djali im i bie lahutës dhe kam biseduar me të që të përgatis të paktën 3-4 fëmijë që t’i bien këtij instrumenti. Kam një vërejtje për artistët e vjetër që nuk e kanë marrë mundimin për t’i mësuar lahutën, bilbilin etj një fëmije.”, shton rapsodi.

Kujtojmë se pak ditë më parë, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës është shpallur zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, duke u përfshirë në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.

Rapsodi i njohur ka një thirrje edhe për Ministrinë e Arsimit, me shpresën se mendimi i tij do të merret në konsideratë.

“Folklori duhet të futet në lëndën e muzikës sepse është totalisht janë lëndëve mësimore.”, thotë Llesh Prenga.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.