Në një kënd plot ngjyra, në sallonin e shtëpisë së saj, 28-vjeçarja Kristëll Stafa shndërron xhaketat e zakonshme në vepra arti. Edhe pse ka përfunduar studimet për Drejtësi, pasionin për pikturën e ka kthyer në mënyrë jetese.
“Pasioni për pikturën ka nisur qëkur isha e vogël”, tregon ajo.
“Gjatë studimeve për Drejtësi iu riktheva dhe që prej asaj dite nuk e kam ndërprerë më. Doja të sillja diçka të veçantë në Shqipëri. Kur dilja për të blerë veshje më dukeshin shumë bazike, ndaj fillova të krijoja gjëra për stilin tim, të cilat kishin kërkesa dhe nga të tjerët. Kam 7 vite që merrem, është pasion i madh”, thotë mes të tjerash.
Në rrugëtimin e saj ka bashkëpunuar me shumë emra të njohur të muzikës shqiptare.
“Portretet kërkohen shumë, një dhuratë shumë e bukur që mund t'ia bësh dikujt që e ke përzemër. Kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me shumë persona të famshëm siç janë Dafina, Mozzik, MC Kresha, Lyrical Son, Tayna etj. Kam pasur porosi në vende të ndryshme të Europës, gjithashtu dhe në Amerikë.”, tregon Kristëll.
Është punë që i jep kënaqësi dhe të ardhura, por e ardhmja nuk dihet se çfarë suprizash do i sjellë.
“Mendoj se në të ardhmen mund të ushtroj dhe profesionin si juriste, por për momentin ndihem e plotësuar me pjesën e pikturës”, thotë e reja teksa shton se muralet janë një tjetër fushë ku po eksperimenton prej 5 vitesh.
Rikthehet në Elbasan për të realizuar një murale dhe për një projekt që pritet ta lançojë shumë shpejt.
“Shpesh për shkak të punës më duhet të lëviz në rrethe të ndryshme. Sot ishte një ditë komplet ndryshe. Më rikthen në vendlindjen time, në qytetin e Elbasanit, të cilin e vizitoj shpesh sepse kam familjarët e mi. Mendoj se Tirana më ofron më shumë mundësi lidhur me punën time, kështu që kam vendosur të jetoj atje.”, përfundon Kristëll.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente












