Ajo është shembulli i gruas shqiptare që nuk dorëzohet, por punon fort për t’iu dhënë fëmijëve një jetë më të mirë. Ilirjana Xake ëndërronte të bëhej mësuese, por rrethanat e jetës e detyruan të bënte një tjetër zgjedhje: rrobaqepësinë.
“Në Kombinat më njohin si rrobaqepëse Lili. Nuk është se e kam pasur qejf si punë, nuk më pëlqente. Duke pasur tre fëmijë, shumë e re, duhet të punoja.
Nëse nuk do të isha bërë rrobaqepëse, do isha bërë mësuese sepse më pëlqente shumë në rininë time. Para 17 vitesh vendosa të bëj diçka timen. Fillimet nuk kanë qenë të lehta sepse nuk kisha eksperiencë, duheshin financa, duhej ndihmë”, tregon Lili.
Vullneti dhe këmbëngulja e kanë ndihmuar të çajë në këtë profesion.
‘“Vajzat më thonin gjithmonë: -Ti di ta bësh këtë!” Edhe shoqëria ka qenë mbështetëse. Eksperienca të jep besimin. E vendosa që do ta bëj dhe do eci para dhe do bëj gjëra të mëdhaja. Përpiqem të jem korrekte. Kur i nisem diçkaje do e bëj, do e bëj dhe pikë”, shprehet Lili për emisionin “Një nga ne”.
Sot, tri vajzat e saj u bënë mjeke dhe ky është shpërblimi më i madh për sakrificat që ka bërë për to.
“Unë i kam shkolluar vajzat për mjekësi dhe ka qenë goxha e vështirë për ta përballuar, por jo e pamundur. Doja vetëm të shkolloheshin dhe të ishin të zonjat për veten e tyre. Po të punosh jeton mirë, bën një jetë mesatare. Në qoftë se do, mund t’ia dalësh. Zoti ndihmon atë që punon fort!”, përmbyll rrëfimin e saj Lili.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente












