“Luksi” i të vegjëlve në ditën e parë të shkollës, rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin e nj familje shqiptare. Kjo pasi, në çantën e tyre nuk ka më vetëm libra, por edhe shumë mjete të tjera ndihmëse, të cilat fëmijët e sotëm i duan patjetër.
ÇANTAT E “LUKSIT”
Është kthyer në aksesorin më të rëndësishëm të të vegjëlve në ditën e parë të shkollës. Sigurisht çanta zgjidhet në mënyrë të tillë, që të mund ta përdori së paku për dy apo tri vitet e ardhshme. Por vajzat dhe djemtë kanë modën e tyre edhe për këtë aksesor, që nuk e ngatërrojnë kurrë. Për vajzat dominojnë ngjyrat rozë dhe sigurisht me personazhet më të njohura për ta, dhe për djemtë janë blu apo të zeza. Çmimet janë të kripura.
Ata të thjeshtat mund t’i gjesh me një çmim minimal prej 1.500 lekësh të reja, ndërsa ata më cilësoret mund të shkojnë deri në 4.000 lekë. Sigurisht po flasim për çmimet e tregut dhe të supermarketeve, pasi në dyqane çmimet e tyre janë disa herë më të larta. Të shtrenjtat janë kryesisht me rrota, që mund të tërhiqen si valixhe dhe nuk mungon asnjëherë anash tyre një xhep ku të vegjlit tashmë mbajnë një minitermus me ujë që e kanë gjithmonë me vete, i cili kushton mesatarisht 350 lekë të reja.
PËRPARËSJA E ZEZË
Një tjetër aksesor shumë i rëndësishëm, sidomos për të vegjlit e klasës së parë, është përparësja e zezë. Sigurisht ajo ka pësuar disa ndryshime, dhe nuk është më aq serioze sa dikur, por këto modifikime kanë edhe një kosto ekstra. Nëse kërkon në treg një përparëse të zezë mund ta gjesh nga 1.000 lekë të reja e deri në 2.500 lekë të reja, kjo në varësi të cilësisë së qepjes.
Jaka e bardhë e përparëses shitet më vete dhe për atë duhet të paguash rreth 250 lekë të reja, kur është e thjeshtë, ndërsa ata që janë me punime tantele, shkojnë deri në 700 lekë të reja. Por tashmë përparësja e zezë, nuk është më edhe aq e zezë. Sipër saj, vajzat veshin një minipërparëse të bardhë, që i jep një tjetër imazh përparëses klasike të zezë. Por edhe ajo kushton rreth 1200 lekë. Pra vetëm për përparësen, nëse marrim çmimin më të lirë një familje duhet të shpenzojë mesatarisht 2500 lekë të reja.
MJETET NDIHMËSE
“Thesari” i vërtetë qëndron në aksesorët që mbushin çantën e të vegjëlve. Kështu përveç Abetares dhe Matematikës, që sigurisht nuk mungojnë, në çantën e të vegjëlve, do të gjesh patjetër edhe fletoret e punës për këto dy libra. Në të nuk mungojnë as një fletore shkrimi dhe një tjetër matematike. Por këto janë vetëm gjërat bazë, pasi “luksi” i vërtetë duket kur fëmijët fillojnë e nxjerrin nga çanta e tyre mjetet ndihmëse.
Le ta nisin me portofolin që mban lapsat. Ai më i thjeshti kushton 200 lekë të reja, por në varësi të madhësisë dhe cilësisë, kushton edhe 500 lekë të reja. Ka edhe nga ata që kushtojnë 1.500 lekë të reja dhe kanë brenda një set lapsash, gomë dhe prefëse lapsash. Të vegjlit kanë patjetër, në portofolin e tyre të mjeteve, edhe gomën, një evidentues që shënon poshtë fjalët më të rëndësishme, plastelinë me të cilën ata të punojnë gjatë orëve të lira, fletore vizatimi, etiketa që i vendosin mbi libra dhe fletore, lapustila, lapsa me ngjyra, korrektor për të korrigjuar germën apo fjalën që shkruajnë gabim, e shumë e shumë gjëra të tjera.
Në total, klasa e parë, duhet të harxhojë rreth 6700 lekë të reja, nëse i shtojmë mjeteve të çantës edhe çmimin prej 1075 lekësh që u kushtojnë librat, shkon diku tek 8 mijë lekë të reja. Sigurisht bëhet fjalë për çmimet më minimale, pasi mesatare e kalojnë 10 mijë lekëshin. Duke mos harruar edhe buqetën me lule për ditën e parë të shkollës, ndërsa shpenzimet për në 9-vjeçare dhe në gjimnaz rriten, pasi shtohet numri i mjeteve që përdorin apo edhe librave apo fletoreve të punës, librave të ushtrimeve, librave të testeve që nxënësit tashmë i blejnë të gatshëm. Shifra që shkojnë deri në 20 mijë lekë shpenzime për çdo fëmijë.
KLASA I
Një fëmijë që futet në klasën e parë i kushton minimalisht buxhetit të familjes rreth 8 mijë lekë të reja, për të siguruar mjetet më bazë
KLASA IX
Një nxënës i klasës së nëntë, i kushton një familje, dita e parë e shkollës, rreth 15 mijë lekë të reja, pasi shtohen edhe librat ndihmës që blejnë
KLASA XII
Një maturant i vitit të fundit, i kushton familjes, rreth 17 mijë lekë të reja, pasi shumë shtrenjtë blejnë librat që i përgatisin për maturën shtetërore
ÇFARË BLIHET PËR DITËN E PARË TË SHKOLLËS
Përparëse e zezë 2500 lekë
Çantë 1500 lekë
Termus për ujin 300 lekë
Portofol i thjeshtë 200 lekë/copa
Portofol me set 500 lekë/copa
Set vizoresh 100 lekë/copa
Evidentues 80 lekë/copa
Fletore 20-90 lekë/copë
Fletore vizatimi 50-260 lekë/copë
Etiketa me personazhe 20-80 lekë/copë
Lapustila 70 lekë/copë
Plastelinë 200 lekë/copë
Paletë me bojëra 320 lekë/copë
Set vizoresh 80 lekë/copë
Ngjitës 30 lekë/copë
Gomë 15 lekë/copë
Korrektorë 200 lekë/copë
Kompas 80 lekë/copë
Lapsa 50 lekë/copa
Raporter 40 lekë/cope
Totali 6700 lekë
(Në foto: Mjetet që duhet të blerë familja për nxënësit t klasës së parë
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.09.2013
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)