Sot më 6 dhjetor, në të gjitha Mitropolitë e Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Durrësin, Korçën, Gjirokastrën, Fierin, Beratin, Elbasanin, si dhe në kishat që mbajnë emrin e Shën Nikollës në mbarë vendin, u kremtua me solemnitet Dita e Shën Nikollës.
Dita e Shën Nikollës, u kremtua edhe në Kavajë emrin e të cilit mban edhe kisha në këtë qytet. Forlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë imzot Joani drejtoi Liturgjinë Hyjnore në të cilën morën pjesë qindra besimtarë.
Në fjalën e tij plot urtësi Fortlumturia e tij theksoi mësime nga jeta dhe shembulli i shenjtorit si rregulli i besimit, butësia, përulësia dhe dashuria për të pambrojturin.
Shën Nikolla, i njohur si peshkopi i Mirës së Likisë, ka jetuar në shekullin e IV-të. Ai njihet për bamirësitë e tij, shpesh të dhëna fshehurazi, një cilësi që frymëzoi legjendën e Santa Klaus.
Shën Nikolla është i njohur si mbrojtës i fëmijëve, marinarëve, jetimëve dhe të varfërve. Emri “Nikolla” ka kuptimin “Fitorja e popullit”.
Kjo ditë kremtohet me përkushtim çdo vit si një traditë e rëndësishme në kalendarin fetar dhe kulturor të Shqipërisë.
Besimtarët e krishterë në Lezhë kremtuan festën e "Shën Kollit", pajtorit të kësaj dioqeze. Proçesioni fetar u mbajt në katedralen e qytetit e cila mban të njëjtin emër dhe u udhëhoq nga ipeshkvi Monsinjor Otavio Vitale.
Ipeshkvi i dioqezës, Vitale thotë se shembulli i humanizmit "Shën Kollit", duhet të na udhëheqë edhe në ditët e sotme për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
"Shën Kolli" festohet nga besimtarët katolik çdo pesë dhjetor në mbrëmje ku me këtë rast është traditë të flijohet një gjel dhe të ndizet qiriu i Shën Kollit para darkës familjare.
Komente









