Ka nisur takimi i presidentit Bajram Begaj me krerët e komuniteteve fetare.

Ndërkohë, në një deklaratë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë thirrje për më shumë dialog mes qytetarëve dhe institucioneve për të zgjidhur problemet. Gjithashtu cilëson se dhuna është e pajustifikueshme, përtej së drejtës së protestës.

Deklarata e plotë:

Apel për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar.

Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon. E ardhmja e Shqipërisë është në duart e brezave që po rrisim sot, ndaj kemi detyrimin t’u lëmë një vend ku drejtësia frymëzon shpresë dhe bashkëjetesa bëhet vlerë e trashëguar. Shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë

Këshilli Ndërfetar rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.

Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.

Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.

Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.

Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Protestat, Kryepiskopi Joan: Shqipëria është e të gjithëve, të merren vendimet e duhura

1792320227_kisha.jpg

Shqipëria është e të gjithëve dhe në këtë situatë është e domosdoshme të merren vendimet e duhura. Ka qenë ky mesazhi i Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare, në lidhje me protestat e dhunshme në Tiranë. Në meshën e mbajtur sot, nga Katedralja Ngjallja në Tiranë, Kryepeshkopi tha s vendimet duhet të jenë të urta dhe të pjekura.

“Lutemi që Perëndia t'i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu, janë pjesë e saj dhe  të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t'i dëgjojë. Shqipëria është e të gjithëve”, tha Kryepiskopi.