Kultura, tradita dhe historia e Selitës në Mirditë u prezantuan përmes një aktiviteti muziko-letrar të titulluar “Dita Kulturore e Selitës”. Ky organizim, që vjen për të katërtin vit radhazi dhe është konceptuar si një festë në vendlindje, e cila është shpopulluar masivisht gjatë viteve të fundit, bëri bashkë banorë, ish-banorë të kësaj zone dhe shumë të ftuar, të cilët u njohën nga afër me potencialin turistik dhe kulturor të Selitës.

“Është shumë e rëndësishme që kjo shkollë të mbetet hapur sepse është si ajo dera që pret bijtë e tyre kurdo që të kthehen” tha Renuar Kola, drejtor i ZVA Mirditë.

“Ne si Bashkia e Mirëditë kemi vendosur si prioritet zhvillimin turistik. Mendoj që kjo ditë është e mirë për promovimin e turizmit. Mirëdita ka një histori, kulturë e bujari me të cilat është njohur historikisht. Mënyra më e mirë për të kthyer mirditorët është promovimi i vlerave tona” tha Gjergj Prenga, nënkryetar i Bashkisë Mirditë.

“Këtu kam dalë për herë të parë në skenën e Klubit të Kulturës, që më dha mundësi të fitoj skenën e Mirëditës dhe më pas të Shqipërisë” tha Luan Rama, ish-banor i Selitës.

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, tha se organizimi i aktiviteteve të tilla është mënyra më e mirë për t’i rikthyer dhe bërë bashkë banorët në Mirditë.

“Prej vitesh, dita e Shna Ndout është kthyer edhe në ditën e Selitës. Kjo ka qenë një nga ëndrrat e mia që festat që kemi bajrak për bajrak që janë një mundësi kthimi në atdhe. Zona është 95% e shpopulluar. Do ta vazhdojmë këtë traditë ku të mblidhemi të gjithë bashkë” tha Dom Gjergj Meta, Ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit.

Dita Kulturore e Selitës përkoi me festën e Shna Ndout, ku në kishën me të njëjtin emër u mbajt edhe mesha e shenjtë, e udhëhequr nga Dom Gjergj Meta, duke i dhënë organizimit një dimension të veçantë shpirtëror.