Gjuha shqipe përballet me një sërë sfidash dhe problemesh në ditët e sotme, por për rregullimin e tyre duhet të ndërmerren veprime shtetërore dhe të rregulluara me ligj. Kjo është ajo çfarë u shpreh mes të tjerash në tryezën “Gjuha shqipe përballë sfidave të globalizmit” organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
“Gjuhësia është e pafuqishme të rregullojë ato probleme për të cilat ankohemi e do të ankohemi sepse këtu, si në çdo fushë tjetër që kërkohet rend e disiplinë duhet një pushtet legjislativ dhe një ekzekutiv. Përfytyroni përshembull të ketë kod të bukur të qarkullimit rrugor e të mos ketë kush ta mbikqyrë zbatimin e tij: polici rrugore etj. Për gjuhën nuk do të kërkojmë polici gjuhësore, por dikush të bëhet merak, që të dijë të ruajë dinjitetin e gjuhës. Administrata shtetërore shqiptare nuk e ka këtë vetëdije akoma për të ruajtur dinjitetin e gjuhës shqipe.”, - thotë prof.dr.Emil Lafe.
Ndërkohë që përsëriti kërkesën e bërë gjatë Kuvendit të Gjuhës Shqipe në nëntor të vitit që lamë, profesor Lafe theksoi se sipas tij, sot, problemet kryesore të shqipes kanë të bëjnë me leksikun në përgjithësi dhe terminologjinë në veçanti.

“Jam i mendimit që Ministritë e Arsimit të të dy shteteve shqiptare të krijojnë një komision të përbashkët për terminologjinë e lëndëve shkollore. Komisioni të organizojë punën për të vërejtur dhe mbledhur dallimet terminologjike në librat e lëndëve shkollore midis Shqipërisë dhe Kosovës me qëllim që të rrafshohen dallimet që janë.”, - vijon gjuhëtari.
Ai propozon më tej krijimin e një komisioni të përbashkët për të njëjtat qëllime në fushën e arsimit të lartë.
“Terminologjia e gjuhës shqipe nuk është e njehsuar. Nëse nuk njehsojmë terminologjinë nuk mund të themi që kemi një gjuhë letrare kombëtare të njehsuar. Kjo e bën pastaj të dyshimtë si do ta pasqyrojmë në fjalorin e madh të shqipes dhe në fjalorë të tjerë të shqipes, cilin term do të vemë, a do të lemë një gjë mënjanë apo jo.”, - vëren Lafe.
Ndërkohë për prof. dr. Anila Omarin, sot është shqetësuese çështja e mësimdhënies së Gjuhës Shqipe.
“Çështja e mësimdhënies së gjuhës nuk është efikase. Ky dështim vjen nga një sistem i tërë arsimor, teksti, trajtimi i mësuesit. Duhen reforma që të sjellin rezultat, se janë bërë më shumë eksperimente te nxënësit.”, - thotë Omari.
Ajo vëren se që na Kongresi i Manastirit e deri sot, shqipja ka ndryshuar shumë, por sot po ndryshon edhe me ritme më të shpejta, si pasojë e globalizmit. Sipas saj nuk mund të ketë “polici gjuhësore”, por duhet ndërgjegjësim në lidhje me ruajtjen e Gjuhës Shqipe. Ndërkohë, ajo ka folur edhe për vjetërsinë e shqipes dhe ndryshimet e pësuara brenda saj.
“Gjuha, sa është vazhdiëmsi është edhe risi, se është akt krijimi i vazhdueshëm. Gjuha ndryshon. Asnjë gjuhë nuk bën përjashtim. Lidhur me shqipen mund të themi që ka pësuar evolucion, ruan disa tipare të trashëguara nga periudha indoevropiane, por në shumë aspekte të tjera ka ndryshuar shumë: si në sitemin e lakimit, zgjedhimit, mbaresat foljore etj. Dhe ka ndryshuar edhe për shkaqe historike, gjatë shtegtimit indoevropian, sidomos gjatë dyndjeve të popujve, në shekujt IV-XI, pra koha e vonë latine, para dyndjeve sllave.”, - nënvizon Omari.
Mes gjuhëtarëve dhe studiuesve në panel u fol edhe për autoktoninë e popullit shqiptar në trojet aktuale dhe faktet gjuhësore që e mbështesin atë nga prof.dr. Mimoza Kore. Prof. Xhevat Lloshi foli në lidhje me ndërgjegjësimin për vlerat e gjuhës shqipe, ndërsa me fjalën e tyre ishin të pranishëm edhe Prof.Dr. Mimoza Gjokutaj, Prof.Dr. Linda Meniku (Gjuha shqipe në diasporë), Prof.Dr.Ymer Çiraku dhe Prof.asoc. Anila Mullahi.
B.G/G.M./Shqiptarja.com
Komente

