TIRANE- Hetimet e prokurorisë së Tiranës për të zbuluar personat që kanë nxjerë në publik ditarin personal të diktatorit Enver Hoxha, kanë vijuar me pyetjen e dy punonjësve të restaurimit të dokumentacionit pranë Arkivit Qëndror të Shtetit. Dy pononjëset emrat e të cilave nuk bëhen të ditura nga burimet e prokurorisë janë marrë në pyetje disa ditë më parë, ku kanë treguar se ato kanë punuar në fondin arkivor të diktatorit Hoxha. Sipas dëshmisë së dy specialisteve të restaurimit të shkrimeve me urdhër të drejtoreshës Nevila Nika, kanë restauruar disa nga dorëshkrimet si letra dhe parrulla politike të Enver Hoxhës. Ato kanë shtuar se pas restaurimit të dokumentacionit, materialet sërisht janë lënë në fondin e Enver Hoxhës, materiale të cilat janë dorëzuar nga familja e diktatorit në vitin 1988. Në dëshminë e tyre, dy punonjëset kanë pohuar se disa dorëshkrime që janë botuar edhe në librin e gazetarit të njohur Blendi Fevziu, ndodhen edhe në arkivin qëndror. Por ato kanë sqaruar se në arkiv në dijeninë e tyre nuk ka pasur asnjëherë një ditar të mirëfilltë të diktatorit Hoxha, duke rëzuar kështu pretendimet e gruas së Enverit, Nexhmije Hoxhës për një nxjerje të qëllimshme të ditarit nga ana e drejtuesve të Arkivit Qëndror.

DËSHMITË E SPECIALISTEVE
Kanë qënë dy specialiste të restaurimit të dokumentacioneve që pak ditë më parë janë paraqitur në prokurorinë e Tiranës ku kanë dhënë shpjegime lidhur me zhdukjen e ditarit personal të Enver Hoxhës nga Arkivi Qëndror. Dy specialistet kanë treguar në prokurori se për gati një muaj kishin punuar për të bërë restaurimin e disa parrullave politike dhe letra personale të diktatorit Hoxha, por pas restaurimit sërisht dokumentat janë vënë në fondin e titulluar “Enver Hoxha”. Gjatë dëshmisë së tyre, specialistet kanë pranuar se kohët e fundit kanë lexuar në librin biografik “Enver Hoxha” disa nga dokumentat e restauruara, por që në fakt ato janë vetëm një numër shumë i vogël dhe jo një ditar i plotë, siç dhe është botuar në këtë libër. Ajo që kanë këmbëngulur dy specialistet në dëshminë e tyre është se asnjë dokument i restauruar por dhe që ndodhet në fondin “Enven Hoxha”, nuk kanë dalë jashtë arkivit. Të pyetur nëse ka mundësi të dalë një dokument jashtë arkivit, ato janë shprehur se një dokument mund të dalë vetëm në formën e fotokopjuar dhe me kërkesë nga personi që shfaq interes për të. Kërkesa duhet të miratohet nga drejtoresha e cila shoqëron dhe dokumentin me vulat konkrete.

PYETJA E ILIR HOXHËS
Lidhur me hetimet e kësaj ngjarje prokuroria ka marrë disa kohë më parë dhe dëshminë e kallëzuesit Ilir Hoxha, ndërkohë që pritet të marë dhe deklarimet e nënës së tij Nexhmijes. Hoxha është paraqitur në prokurorinë e Tiranës, ku ka treguar se ditarin personal të Enver Hoxhës e kishte parë të botuar në librin e Blendi Fevziut. Nisur nga kjo situatë ai ka dyshuar se drejtues të arkivit qëndror kanë nxjerë dokumentat sekrete dhe personale të Enverit, dhe për pasojë së bashku me familjen kanë vendosur të bëjnë kallëzim penal. Mirëpo në dëshminë e tij, Ilir Hoxha nuk ka përcaktuar emrat që ai dyshon se kanë nxjerë dokumentacionit. Ai ja ka lënë në dorë hetimeve të prokurorisë për të zbuluar autorët e nxjerjes në publik të ditarit personal të Enver Hoxhës.
Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)