Ditari i Servet Pëllumbit, ja çfarë
fshihet pas imazhit të Fatos Nanos

Ditari i Servet Pëllumbit, ja çfarë<br />fshihet pas imazhit të Fatos Nanos
Në atë kohë Kastrioti, Ylli dhe Sabiti nuk ishin në Kryesinë e PS-së. Fatosi u duk i revoltuar që për këtë më kishte folur Ylli Bufi, që sipas Fatosit ishte “mblesi”, ai që e kishte propozuar dhe koordinuar udhëtimin e Fatosit për në SHBA... 
- Mendova, - vazhdoi ai, - se ti e kishe marrë vesh, unë vetë nuk ua thashë për konspiracion. 
Ngriti tonin: 
- Unë luftova në strofkën e tyre. Më mbajtën mbyllur 72 orë, një terror i vërtetë psikologjik e fizik. Prova me raki, cigare, më dehën... Nuk e bëri të qartë çfarë kërkonin, por la të kuptohej sikur donin ta rekrutonin për ta detyruar që t’i hapte rrugë S. Berishës. Madje “torturuesit” e tij qenkan shprehur: “Berisha një copë budalla është, por ja që atij i besojnë amerikanët
!”, këto e të tjera shënine intrigojnë fort në shtysën për lexime të mëtejshme të librit më të ri të politikanit të njohur Servet Pëllumbi. 

Një libër i ri në formën e ditarit politik, i titulluar “Përvoja ime në Partinë Socialiste” i Servet Pëllumbit vjen për lexuesit nga “Toena” me rastin e 25-vjetorit të krijimit të kësaj Partie. Libri përfshin shënimet e autorit nga viti 1991-1996, vite kur bashkë me kolegët e tij ka qenë në drejtimin e PS-së.
 
Në fokusin e shënimeve, shpesh të përditshme, ka prirje e linja përcaktuese, zhvillime vërtet gjurmëlënëse e me ndikim vendimtar në proceset politike si dhe kontaktet e vetë Servetit me intelektualë, me udhëheqës e njerëz të ditur, por dhe emocionet që ngjall kontakti dhe biseda me njerëz të thjeshtë pa të cilët një politikan apo drejtues në fushën politike do të ishte jo vetëm i varfër, por dhe jo aq i dobishëm.”, pohojnë botuesit.
 
 Vetë Serveti tregon se si në vitin 1991, me zgjedhjen e tij në drejtimin e PS-së, realisht iu desh t’i futej seriozisht politikës dhe të linte mënjanë, përkohësisht, interesat e tij studimore dhe të bëhej njeri i veprimit, pra, politikan që di të bëjë punën e vet.
 
Shënimet e tij nga ditarët janë, gjithashtu, një dëshmi tjetër autentike se Serveti nuk ra pre e një ambicieje makiaveliane për pushtet dhe nuk ka ndarë një pikëpamje të tillë. Tekefundit, kjo e ka ndihmuar, të paktën, në dy rrafshe kryesore; së pari, që të tërhiqej kur ai gjykoi se kjo ishte në interesin e ruajtjes së PS-së nga një përçarje e madhe pas farsës zgjedhore të 26 majit 1996 dhe gjendjes para zgjedhjeve vendore të 20 tetorit 1996 (edhe pse ishte i bindur se rreziku nuk vinte prej tij, por nga prirjet klanore lart në kokën e Partisë, nga joshja, nga piedestalet dhe pazaret e F. Nanos me pushtetin që e kishte burgosur).
 
Në këtë rast Serveti nuk ra pre e “spirales së heshtjesh”, por iu përmbajt maksimës së kodit etik që porosit: “Ruaj dinjitetin personal. Sillu ndaj të tjerëve me respekt. Ji i durueshëm ndaj bindjeve dhe dobësive të të tjerëve. Mëso të humbasësh, të përgjigjesh për humbjet dhe t’i gjesh asaj kompensim të arsyeshëm”.

Së dyti, ruajtja e baraspeshës si njeri i veprimit që çmon edhe “botën e ideve” e ndihmoi, pas largimit nga politika aktive, që të mos e kishte aq të vështirë të kthehej në “zanatin e vjetër”. Madje impulset që vazhdoi t’i jepte politika dhe sidomos intensiteti i punës së mëparshme e ndihmuan që t’i vlerësonte si një faktor përcaktues për angazhimin e tij të mëtejshëm në punën studimore dhe botuese nëpërmjet Institutit të Studimeve Politike e Sociale dhe më pas të Institutit të Sociologjisë.

Shënimet e autorit nga ditarët, të cilat janë përfshirë në këtë përmbledhje (që nuk kanë destinacion kryesor botimin apo pasjen e një libri më shumë!), le të pranojmë që mund të jenë një dëshmi autentike për shkallën e arritjes nga unë të “ligjësisë Veberiane”, si dhe për përpjekjet personale të pakursyera për t’u bërë njeri i veprimit.


Kush është Servet Pëllumbi

Servet Pëllumbi lindi më 14 dhjetor 1936 në Korçë, ku kreu edhe shkollimin e mesëm. Në vitet 1955-1960 ndoqi studimet në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Shën Petërburgut (Rusi) ku edhe u diplomua. Për shumë vite ka shërbyer si pedagog i Filozofisë dhe Sociologjisë teorike në shkollat e larta të vendit, kryesisht në Universitetin e Tiranës. Ka qenë nënkryetar i Partisë Socialiste (1991-1996), deputet në tri legjislatura, si dhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (2002-2005).Është një nga themeluesit e Institutit Shqiptar të Sociologjisë dhe nga viti 2008, drejtor akademik i tij. Mban gradën “Doktor i shkencave”. Servet Pëllumbi është nderuar me Urdhrin “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore të klasit të parë”; me medaljen “Paqe në shekuj”; me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”; me Urdhrin “Për kontribut të shquar për Paqen dhe Stabilitetin në Ballkan dhe në Evropë”, akorduar nga Forumi Politik Ndërkombëtar i Ballkanit etj.


Botime të tjera - Ç’është Feja (1962)- Fjalori i filozofisë (1974,1983)- Formimi i filozofisë marksiste (1981)- Nga materializmi në idealizëm (1987)- Dritëhije të tranzicionit (2000)- Të mendosh ndryshe (2001)- Gjurmime sociologjike (2002)- Sprova në sociologjinë politike (2002)- Edhe politika do moral (2005)- Pluralizmi politik - përvojë dhe sfida (2006)- Bashkëbisedim për politikën (Libri i parë, 2007)- Demokracia dhe zëri i moralit (2008)- Globalistika - refleksione për një epokë (2009)- Filozofia e aktualitetit (2010)- Fjalori filozofik (2011)- Bashkëbisedim për politikën (Libri i dytë, 2011)- Bashkëbisedim për politikën (Libri i tretë, 2012)- Integrimi dhe nacionalizmi (2013)- Etikokracia (2013)- Kultura filozofike dhe misticizmi (2014)- Përmbysja e Komunizmit (2015)- Pluralizmi i dytë (2015)

servet pellumbi

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Vula e PD-së dhe mundësia anti-korrupsion e partive të reja!

Vula e PD-së dhe mundësia anti-korrupsion e partive të reja!