24 botë të ndryshme u sollën përmes notave muzikore nën interpretimin e violinistit Tedi Papavrami në koncertin “24 kapriçiot” nga Nicolo Paganini.
Artisti u kthye në vendlindje në një periudhë që përkoi edhe me ditëlindjen e tij të 55-të e kur krahas dekorimit me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës” disa ditë më parë, i dhuroi publikut shqiptar një koncert premierë mjaft të veçantë. Ndërsa publiku ia “shpërbleu” duke mbushur plot sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për dy net radhazi.
“Është gjë e rrallë në fakt që ishte koncerti kaq i frekuentuar, ‘soldout’, sepse nuk është një program i lehtë, violinë solo. Organizuesit e koncerteve kudo në botë e kanë pak gjithmonë frikë, sepse kanë frikë se nuk mbushin sallën. Tani sigurisht në Shqipëri lidhet dhe me historinë time, me faktin që njerëzit më njohin e më ndjekin dhe mbase kanë një lloj besimi në atë që i propozoj unë. Edhe fakti që në Shqipëri nuk është luajtur kurrë ky repertor, që është jashtëzakonisht i vështirë, po ishte shumë emocionuese që salla ishte plot, që publiku ishte kaq i përqendruar.”, tha violinisti pas shfaqjes për “Report TV”.
Një nga veprat më sfiduese të repertorit botëror për violinë solo, të kompozuar mes viteve 1802 dhe 1817, “24 Kapriçiot” konsiderohen kulmi i virtuozitetit romantik, duke ndërthurur teknika të vështira si ricochet, pizzicato me dorën e majtë, oktavat dhe decimat, një repertor që rrallëherë interpretohet i plotë.
“Është një program i vështirë, jo vetëm për atë që luan, por dhe për atë që dëgjon, se nuk janë vepra të lehta. Janë shpesh herë të ngatërruara. Po ndieja që ishin të futur në botën, se është si 24 botë të vogla në fakt që ndryshojnë krejt nga njëra-tjetra edhe çdo herë është një operacion i ri, domethënë të futesh në një univers të ri. Kështu që isha shumë i emocionuar dhe shumë i lumtur.”, u shpreh Papavrami.
Praninë e të rinjve në sallë, Papavrami e sheh si një shenjë shprese për të ardhmen e artit. Sipas tij, ndërsa muzika klasike po përballet me krizë audience në Evropë, në Shqipëri po vërehet një energji e re dhe entuziazëm i sinqertë.
“Më bëhet shumë qejfi që ka patur dhe të rinj që vijnë, se dhe kjo është shumë e rrallë në Evropë. Kemi vetëm një publik 80 vjeçar që është është e frikshme në fakt për të ardhmen e artit. Po këtu është e kundërta, kështu që sa më mirë. Kjo është gjëja më e bukur, se në fakt arti është në krizë kudo dhe nëqoftë se ka vende si Shqipëria që ripërtërihet, ndërkohë që në Evropë, ku është tradita më e madhe, po shkon drejt rrallimit. Ky është vërtetë lajm shumë i bukur për Shqipërinë dhe për muzikën në përgjithësi. Mbase e ardhmja do të jetë në Shqipëri.”, vijoi artisti.
Në mesazhin e tij për të rinjtë që studiojnë muzikë, artisti theksoi rëndësinë e durimit dhe pasionit, duke e krahasuar disiplinën artistike me stërvitjen sportive.
“Është është një kënaqësi që është e bazuar në realitet. Unë gjithmonë them është pak si sporti. Kur bën njeriu stërvitje nuk ka kënaqësi. Ka njëherë në radhë të parë vuajtje. Dhe nëqoftë se vazhdon, puna vetë bëhet kënaqësi dhe duhet që puna të bëhet kënaqësi. Kur bëhet puna kënaqësi çdo gjë vjen. Sadisfaksioni i suksesit vjen automatikisht. Po njeriu atë ku kalon më tepër kohë është puna. Janë disa orë në ditë, katër pesë orë në ditë në vetmi. Kur këto bëhen në kënaqësi atëherë çdo që është e fituar.”, përfundoi violinisti.
Tedi Papavrami ka luajtur në violinë që në moshë shumë të vogël, nën udhëheqjen e të atit, Robert Papavrami.
Që në fëmijëri ai u dallua për talentin e tij muzikor. Në moshën 8-vjeçare interpretoi veprën “Airs Bohémiens” të Pablo de Sarasate me Filarmoninë e Tiranës, ndërsa tri vite më vonë interpretoi koncertin e parë për violinë të Niçolò Paganini. Në vitin 1982 fitoi bursë nga qeveria franceze për të studiuar në Konservatorin e Parisit.
Gjatë karrierës së tij, Tedi Papavrami ka fituar disa çmime ndërkombëtare, përfshirë çmimin “George Enescu” në vitin 1992 dhe çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Violinës “Pablo Sarasate” në vitin 1993. Ai ka performuar në shumë vende të botës dhe me orkestra të njohura evropiane.
Përveç muzikës, Papavrami është angazhuar edhe në përkthimin në frëngjisht të veprave të Ismail Kadare. Ai vazhdon të mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës klasike shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Komente











