Ditëlindja e Kadri Roshit,
sfidat e mjeshtrit të aktrimit

Ditëlindja e Kadri Roshit,<br />sfidat e mjeshtrit të aktrimit
Në një qytet të vogël të Jugut, në Libohovë më 4 janar të vitit 1924 u lind aktori i madh Kadri Roshi. Ndërsa më 6 shkurt të këtij viti mbushen plot 10 vjet nga largimi i tij në botën e përtejme.
 
Kadri Roshi ishte ndër të parët që hodhi themelet e artit të aktrimit pas viteve 30 në Shqipëri. Për vlerat e tij të veçanta dhe unikale të interpretimit Kadri Roshi u vlerësua që në kohën e diktaturës me titullin e madh “Artist i Popullit”.
 
Sigurisht që për figurën e tij artistike janë shkruar qindra artikuj, janë xhiruar dokumentarë. Kujtime, ese, por ditëlindja e tij nga institucionet e kulturës ndodh të harrohet. 

Kadri Roshi vjen nga një familje e arsimuar, por vetë e pati të vështirë shkollimin, për arsye se fatkeqësitë e njëpasnjëshme familjare do ta përballin me sfidat më të vështira që në fëmijëri. Në moshën 2-vjeçare i vdiq nëna dhe pastaj babai. Mbeti përfundimisht jetim në moshën 12-vjeçare.
 
Për të mposhtur mjerimin shkon në Kavajë dhe Durrës ku punon si hamall porti. Çlirimi i vendit në vitin 1944 e gjen në Tiranë ku disa miq e ndihmojnë të gjejë punë si biletaprerës në kinema.
 
Aty lindi ëndrra për t’u bërë aktor, por lidhja e familjes Roshi me artin nuk fillon me Kadriun. Gjyshi i tij, Mukim Roshi, dhe babai, Maksuti, kanë qenë regjisorë dhe aktorë të talentuar. 

Kur u hap Teatri Popullor Kadri Roshi hyri në konkursin për aktor. Prova e parë u mbyll me keqardhjen e dështimit. Ishte pothuajse gagaç, nuk fliste dot rrjedhshëm. Për hir të pasionit ju gjet një punë si sufler në Teatrin Popullor. Shumë shpejt Kadri Roshi shihte dritën e skenës, sepse kishte vlera. Në vitin 1946 iu ofrua një rol te “Revizori” i Gogolit. Me këtë rol triumfoi. 

Më 1947-n, u nis me bursë të plotë nga shteti shqiptar për në Zagreb të Kroacisë për të studiuar. Ndërsa ishte vetëm me 4 klasë shkollë fillore, ai u regjistrua si studenti i parë shqiptar në një shkollë të lartë për aktor!
 
Pasi u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë në 1948-n, i vijoi studimet në Pragë bashkë me kolegun Lazer Filipi. Pas studimeve universitare kthehet në Tiranë i diplomuar si aktor. Roli i parë debutues si profesionist është Osipi i “Revizorit” të Gogolit.
 
Pas këtij roli do të vijonin shumë të tjerë, që i krijoi deri në ditët e fundit të jetës. Megjithatë jeta e Kadri Roshit në profesion nuk ka qenë e lehtë. Në vitet ’70 Kadri Roshin e hoqën nga skena për të punuar në një ofiçinë të automjeteve të ndërtimit si xhenerik.
 
Në ditët e vështira të riedukimit, pasioni i jashtëzakonshëm për teatrin e mbajti gjallë. Kadri Roshi themeloi grupin teatror të ndërmarrjes me aktorë amatorë, duke realizuar disa shfaqje të suksesshme drame dhe estrade, me të cilat fitoi disa çmime.
 
Me këtë trupë ai u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, duke shënuar një ngjarje të rrallë për nga pjesëmarrja e spektatorëve dhe emocionet që përcolli. U kthye me veprën “Koha e komisarëve”, dramatizim i romanit “Komisari Memo” të Dritëro Agollit. Spektatorët shpërthyen në duartrokitje për rikthimin e Kadri Roshit.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre