TIRANË – Në zonën turistike të Divjakës kanë nisur të zbatohen projektet e para të Qeverisë, nën vëmendjen tashmë të deputetit të ri socialist të zonës, Erion Braçes.

Në një mesazh drejtuar mbështetësve dhe miqve të tij në Fb, Braçe ka raportuar me hollësi ato që është duke u përpjekur të realizojë në Divjakë. “Kemi shfuqizuar një leje peshkimi "monopol" në kënetën e Karavastasë dhe jemi në proces të licensimit të "kooperatives së peshkimit", krijuar nga peshkatarë të zonës dhe bashkia Divjakë,”- shkruan ai.

Dhe më pas, radhit faktet:”Kemi miratuar përfundimisht një projekt të madh, që mundëson ndërtimin e një pedonaleje që lidh qytetin me Parkun Divjakë-Karavasta; kemi marrë përfundimisht një financim prej 20 milionë lekësh të rinj për të ndërhyrë në kanalet e Parkut; kemi sensibilizuar mjaftueshëm për të përfituar një projekt të Qeverisë për të luftuar mushkonjat në të gjithë zonën, nga Tërbufi në Grabian, nga Remasi në Divjakë dhe puna ka nisur në terren; kemi lobuar fort për projektin jetik të një poliklinike rajonale në Divjakë, me fokus sëmundjet e gjakut. Puna është kryer dhe presim financimin e një donatori të huaj për të kompletuar të gjithë projektin.”

E në përfundim, Braçe prezanton edhe projektin e ri për ta kthyer gjimnazin e Divjakës në një qendër komunitare, i cili përfshin rikonstruksionin e plotë të godinës së gjimnazit, ndërtimin e një shkallareje për aktivitetet komunitare e kulturore si dhe ndërtimin e disa fushave sportive.”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)