Një 29-vjeçar dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Kryekuq të Divjakës, duke rrezikuar përhapjen e flakëve drejt pyllit të Parkut Kombëtar të Divjakës. I riu është kapur nga policia pranë vatrës së zjarrit dhe është shoqëruar në komisariat.

Ngjarja u regjistrua sot, rreth orës 13:25 kur shërbimet e Policisë morën njoftim për zjarrin që po përhapej në zonë.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve. Si pasojë, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe shkurre.

Pranë vatrës së zjarrit u kap shtetasi A. M., 29 vjeç, banues në Divjakë, i dyshuar si autor i zjarrvënies.

Ai është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Divjakë, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për rastin.