Një ‘divorc’ që zgjati vetëm pak ditë. Jasir Asani është rikthyer te klubi iranian i Esteghlal pas prishjes së kontratës, ashtu siç mediat iraniane e kishin paralajmëruar.
Lajmin e konfirmoi vetë përmes rrjeteve sociale duke shkruar se tanimë është “me gjithë zemrën.” Futbollisti shpreson për më shumë suksese krah klubit.
“Të dashur tifozë të Esteghlal,
Nga sot jam këtu me gjithë zemrën time; krah klubit më të madh në Iran dhe tifozëve të tij plot me dashuri e besnikëri. Shpresoj që dorë për dore do të krijojmë ditë fantastike, kujtime që mbeten gjatë dhe të festojmë më shumë suksese për Esteghlal. Mezi pres t’ju takoj”, shkruan Asani.
Më herët u raportua se ndërprerja e bashkëpunimit erdhi si pasojë e mospagimit të detyrimeve financiare nga ana e klubit për sezonin e kaluar.
Ndërkohë situata e krijuar nga lufta në Gjirin Persik ndikoi te aktivizimi i Asanit te Esteghlal duke bërë që mëngjarashi i Kombëtares kuqezi të humbiste ndeshjet.
Me fanellën e Esteghlalit, Asani regjistron 29 paraqitje dhe 13 gola, duke e renditur klubin iranian mes pesë skuadrave për të cilat ka shënuar më shumë gjatë karrierës së tij.

Komente









