Presidenti i grupit koreano-jugor SK, Chey Tae-won, është urdhëruar nga një gjykatë në Seul t’i paguajë ish-bashkëshortes së tij, Roh Soh-yeong, 944 miliardë won, rreth 640 milionë dollarë, në atë që konsiderohet divorci më i kushtueshëm i vendosur ndonjëherë në Korenë e Jugut.
Vendimi është kapitulli i fundit i një beteje ligjore që zgjati gati një dekadë dhe që në Korenë e Jugut është quajtur “divorci i shekullit”.
Chey, 65 vjeç, drejton grupin SK, konglomeratin e dytë më të madh industrial në vend pas Samsung. Grupi kontrollon edhe SK Hynix, një nga furnizuesit kryesorë të memories HBM që përdoren në sistemet e inteligjencës artificiale të Nvidia. Ish-bashkëshortja e tij, Roh Soh-yeong, është vajza e Roh Tae-woo, presidentit të parë të Koresë së Jugut të zgjedhur në mënyrë demokratike pas përfundimit të regjimit ushtarak.
Kriza mes çiftit nisi në vitin 2015, kur vetë Chey pranoi publikisht se kishte një lidhje jashtëmartesore, nga e cila kishte lindur edhe një vajzë. Dy vjet më vonë ai kërkoi zyrtarisht divorcin, ndërsa ndarja e pasurisë u kthye në një proces të gjatë gjyqësor me disa vendime, apelime dhe ndërhyrje të Gjykatës Supreme.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë të Seulit është më i ulët se ai i vitit 2024, kur Roh Soh-yeong iu njohën 1.380 miliardë won, por ai vendim u anulua pjesërisht nga Gjykata Supreme. Megjithatë, edhe shuma e re prej 944 miliardë won mbetet kompensimi më i madh financiar i dhënë ndonjëherë në një divorc në Korenë e Jugut. Avokatët e Chey kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë mundësinë e një ankimi tjetër.
Një nga çështjet që ndiqej me vëmendje nga tregjet ishte nëse Chey do të detyrohej të shiste aksionet me të cilat kontrollon grupin SK. Gjykata vendosi që ai mund ta mbajë pjesëmarrjen në holdingun SK Inc. dhe ta paguajë të gjithë shumën me para në dorë. Sipas analistëve, kjo shmang ndryshime në drejtimin e kompanisë, edhe pse mund ta detyrojë biznesmenin të marrë hua me garanci aksionet ose të shesë asete që nuk konsiderohen strategjike për të siguruar likuiditetin e nevojshëm.
Rritja e vlerës së SK Hynix në vitet e fundit ka luajtur rol edhe në këtë çështje. Kompania është bërë një nga përfitueset kryesore të bumit të inteligjencës artificiale falë furnizimit me memorie HBM për Nvidia, ndërsa rritja e vlerës së grupit ka shtuar edhe pasurinë e Chey Tae-won./CorrieredellaSera
Komente







