Merr pjesë çdo ditë në protesta, por kjo nuk e ka kursyer biznesin e saj nga dhuna. Enxhi Dyrmishi, pronarja e një kafeneje të njohur në Tiranë, ka treguar se vetëm tre minuta kanë mjaftuar që një pjesë e lokalit të saj të shkatërrohej gjatë protestës së 14 tetorit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ajo ka treguar dëmet e shkaktuara në kafene. Xhama të thyer, karrige të përmbysura, frigoriferë të plaçkitur dhe një rrëmujë e madhe janë pamjet që ka ndarë pas dhunës ndaj lokalit.
“3 minuta u desh që të shkatërrohej një pjesë e lokalit tim, ditën e djeshme”, shkruan Dyrmishi duke kujtuar se pas lokalit të dëmtuar qëndron një biznes familjar, një markë 100% shqiptare, me fokus kryesor punësimin e vajzave dhe grave, për një shoqëri më të emancipuar dhe një grua më të fortë.
Biznesi i Dyrmishit është vetëm një nga dhjetëra të tjerë që në këto 72 orë janë sulmuar, plaçkitur e djegur në Tiranë, ndërsa qindra të tjerë kanë mbyllur qepenat gjatë këtyre ditëve të dominuara nga dhuna. Një faturë ekonomike për bizneset e kryeqytetit, që përveç dëmeve materiale po përballen edhe me humbjen e të ardhurave nga ditët pa punë.












Komente
Komento