Në fjalën e tij në Konferencën Aziatike të Lidershipit, kryeministri Edi Rama vuri në dukje ndryshimin mes Koresë së Jugut e të Veriut, duke thënë se gjatë regjimit komunist, Shqipëria ngjante shumë me këtë të fundit. Më tej, ai tha se vendi ka bërë një rrugë të gjatë përparimi dhe sot aspiron të jetë pjesë e BE.

“Përgjatë një kapitulli të dhimbshëm të historisë së saj, Shqipëria ishte “Koreja e Veriut të Europës” e megjithatë sot ajo po ecën në një tjetër rrugë. Një rrugë jo e lehtë, e papërsosur natyrisht, por thelbësisht ndryshe. Një rrugë ndërtimi institucionesh, modernizimi demokratik, një rrugë drejt Bashkimit Europian. Ne, në rrugëtimin tonë po tregojmë se institucionet demokratike mund të ndërtohen edhe kur historia thotë se është e pamundur dhe se një vend dikur kufizuar nga izolimi mund të përkufizohet nga aspirata. Kjo është vetëm një prej arsyeve pse për mua është kaq kuptimplotë të jem këtu në Seul. Edhe pse gjeografikisht larg, vende si imi e ndjejnë kaq afër Korenë e Veriut përmes kujtesës se madhështia nuk ju rezervohet vetëm atyre që lindin me fat”, tha Rama.

Rama solli ndërmend edhe vizitën e tij të parë në Korenë e Jugut më shumë se dy dekada më parë, në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

Ajo çfarë pashë atë kohë ishte tashmë e jashtëzakonshme, por ajo çfarë shoh sot që kthehem pas gjithë këtyre viteve është diçka thellësisht prekëse. Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi, por e vetme, historia nuk e vendos dot fatin. Ndoshta, nuk ka asnjë vend tjetër, ku kjo e vërtetë ilustrohet në mënyrë kaq mahnitëse sa në këtë në këtë gadishull. I njëjti popull, e njëjta kulturë, po ajo histori, e megjithatë ndarë nga sisteme rrënjësisht të ndryshme. E këto janë dëshmia më e kthjellët në tokë se fatet e kombeve nuk marrin formë thjesht nga aty ku zënë fill, por nga zgjedhjet që bëjmë gjatë rrugës”, tha Rama.

Në vijim të vizitës në Korenë e Jugut, kryeministri Rama do të jetë i ftuar i veçantë në panelin me temë “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku do të trajtojë sfidat e reja globale nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, strategjitë e vendeve të vogla përballë ndryshimeve gjeopolitike, si edhe rolin e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital në qeverisje. 

Axhenda e vizitës përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri. Në kuadër të vizitës, Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një dialog ekskluziv me liderët e rajonit Azi-Paqësor (APAC).