Tridhjetë vjet pas vrasjes së të atit, Yitzhak Rabin, Yuval Rabin thyen heshtjen. Ai drejton gishtin nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke e akuzuar se në fakt ka mbrojtur Hamasin dhe se tani është i interesuar vetëm për mbijetesën e tij politike.
Rabin jeton prej 10 vitesh në një fshat të Evropës Qendrore, bashkë me bashkëshorten e tij, Natalie, dhe është larguar nga jeta publike. Ai është gjetur dhe intervistuar nga televizioni izraelit Kanal 12, vetëm pak ditë para përvjetorit të vdekjes së ish-kryeministrit laburist Yitzhak Rabin, i vrarë më 4 nëntor 1995, në fund të një tubimi për paqen në Tel Aviv, nga një ekstremist i djathtë dhe fanatik fetar, Yigal Amir.
Rabin pagoi me jetën për Marrëveshjet e Oslos, të nënshkruara me Yasser Arafatin, që synonin të sillnin paqen dhe bashkëjetesën mes dy popujve.
Kur Yuvalit iu kërkua të shpjegonte si do të kishte reaguar i ati ndaj situatës aktuale që po përjeton Izraeli, ai u përgjigj:
“Do të ishte i tronditur,” – tha ai në këtë intervistë të rrallë.
Yuval kujton klimën e urrejtjes ndaj të atit, e nxitur nga figura të së djathtës, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin aktual të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir.
Kaq e thellë ishte kjo armiqësi, saqë në funeralin e Yitzhak Rabinit, nëna e tij Leah refuzoi t’i shtrëngonte dorën Netanyahut.
Yuvali, megjithatë, e ka takuar kryeministrin aktual dhe përshkrimi që jep për të është i qartë:
“Ky njeri është i ftohtë, nuk ndien, nuk dëgjon. Mendon vetëm për përfitimin që mund të nxjerrë nga çdo situatë,” – thekson ai.
“Është i shtyrë vetëm nga opinioni publik dhe nga dëshira për të mbijetuar politikisht, madje edhe kur bëhet fjalë për procesin gjyqësor ndaj tij.”
I ati, Yitzhak Rabin, kishte zgjedhur të jepte dorëheqjen pasi u zbulua se bashkëshortja e tij, Leah, kishte një llogari bankare në dollarë në një bankë në Shtetet e Bashkuara — gjë që në atë kohë ishte e ndaluar.
“Ai nuk donte ta shihte shtetin e Izraelit në përplasje me Kryeministrin e tij. Sepse asgjë e tillë nuk duhet të ndodhë – dhe këtë po e shohim sot me sytë tanë,” – përfundon Yuval Rabin.
Lajmi kryesor:
Gaza/ Izraeli: Tre trupat e fundit të dorëzuar nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve! Kamioni me ndihma u plaçkit










