TIRANE- Zbehet pista e hetimit në lidhje me një vetëlargim të mundshëm të 10-vjeçarit Julian Çela, i biri i n/drejtorit të Antiterrorit në SHISH Skënder Çela.

Të afërm të tij kanë konfirmuar dje se edhe më parë Juliani është larguar nga shtëpia por vec për një ose dy ditë ndërsa kësaj here përveç elementit të gjatë të "moskthimit" duket se ka dhe një detaj tjetër domethënës. Në shtëpinë e Julianit nuk mungon asnjë rrobë e tij. Ai ka ikur me rrobat e trupit, fakt ky që shton dyshimet se është larguar pa vullnetin e tij.

Autoritetet po hetojnë edhe pistën e një rrëmbimi nga persona të interesuar dhe që lidhet me detyrën e Skënder Çelës, babait të Julianit. Ai është nëndrejtor në Drejtorinë e Antiterrorit në SHISH dhe mbulon Sektorin Kundër Krimit të Organizuar. Por e kaluara e 10-vjeçarit dhe rrethanat e fundit kur ai është parë nga disa njerëz kanë ngritur dhe dy pista të tjera. Pista e dytë autoritetet policore janë informuar se 10-vjeçari edhe më parë ishte larguar disa herë nga shtëpia por megjithatë asnjëherë largimet e tij nuk kanë zgjatur kaq shumë. Kjo është një tjetër mundësi që hetuesit e kuotojnë, që Julian Çela të jetë larguar me vullnetin e tij, sikundër ka bërë edhe më parë.

Pista e tretë lidhet me një të ri 16-vjeçar të quajtur G.Prendi i cili dyshohej në ditët e para nga familja dhe hetuesit si personi që e kishte thirrur i fundit Julianin gjatë kohës që ai ishte në internet-kafe. Madje deri pasditen e së mërkurës policia i dinte "të zhdukur" që të dy, por të mërkurën 16-vjeçari G.Prendi u gjet dhe u mor në pyetje. Ai ka patur disa precedentë të lehtë penalë kryesisht për vjedhje. Por gjatë marrjes në pyetje ai mohoi kategorikisht të kishte shok Julianin duke thënë se thjesht e njihte atë. Me më tepër forcë G.Prendi ka mohuar faktin se mund të kishte qenë personi që e thirri i fundit kur Juliani ishte në internet.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)