Adrian Hoxha, apel për ndihmë çdo personi që ka dijeni se ku ndodhen eshtrat e babait të tij. Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas të zhdukur prej 17 vjetësh ka ofruar një shpërblim për këdo që disponon informacion për çështjen e babait të tij. Në një reagim Adrian Hoxha është shprehur se nuk do të heqë dorë asnjëherë nga zbulimi i së vërtetës për fatin e babait të tij. "Do të kërkojmë deri në anëtarin e fundit të familjes sonë për babanë. Jemi të gatshëm që ti drejtohemi edhe organeve më të larta dhe më kompetente ndërkombëtare. Kemi humbur besimin te drejtësia shqiptare dhe ajo kosovare. Do ta çojmë këtë çështje deri në OKB", është shprehur Adrian Hoxha. Ndërsa ka shtuar se janë disa persona të përfshirë në çështjen e zhdukjes së babait të tij, që kanë tentuar të fshehin të vërtetën. "Sali Berisha, Gazi Dede, Arben Sefgjini nuk kanë qenë të pranishëm kur është dhunuar Remzi Hoxha, por kanë fshehur të vërtetën. Remzi Hoxha i ka mbetur në dorë Ilir Kumbaros nga dhuna. Drejtësia e shpall të pafajshëm Sefgjinin dhe del që vetëm Kumbaro ka bërë këtë krim. Por në të vërtetë janë persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe janë fshehur provat". Me një ton të indinjuar djali i biznesmenit Remzi Hoxha ka shprehur keqardhje me mënyrën sesi po vepron drejtësia. "Ne kemi 17 vjet që kërkojmë të dimë të vërtetën për fatin e Remzi Hoxhës. Ndërsa prokuroria kërkon 13 vjet burg për Ilir Kumbaron. Ne kemi 17 vjet që vuajmë dhe për të kërkohet vetëm 13 vjet. Kjo do të thotë që vetëm Kumbaro qenka fajtor për këtë ngjarje. Ne jemi të gatshëm që të vënë drejtësi me të drejtën kanunore dhe po e ripërsëris. Do t'ia falim gjakun nëse na tregojnë se ku ndodhen eshtrat, në të kundërt do të veprojmë si kanuni, do të kalojmë në vetëgjyqësi", reagimi i Adrian Hoxhës. Ndërkohë që ditën e djeshme pritej që të lexoheshin konkluzionet përfundimtare të avokatëve mbrojtës. Në sallën e gjyqit nuk ka qenë i pranishëm avokati mbrojtës i të pandehurit Avni Koldashi, ndërsa është kërkuar më shumë kohë në dispozicion nga mbrojtësi i Ilir Kumbaros. Mesa duket ky proces do të nisë sërish kalvarin e shtyrjeve të seancave gjyqësore. Në seancën e kaluar gjyqësore prokuroria Elisabeta Ymeraj kërkoi rrëzimin e akuzave për dy të pandehurit Avni Koldashin dhe Arben Sefgjini. Sipas përfaqësues së akuzës këta dy të pandehur nuk kanë marrë pjesë aktive në rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. "Kërkoi pafajësi për dy të pandehurit Koldashi dhe Sefgjini pasi nuk ka prova që të vërtetojnë akuzat e ngritura", fjala e prokurores. Ndërkohë që është kërkuar 13 vjet heqje lirie për ish-shikasin Ilir Kumbaro, tashmë të shpallur në kërkim nga drejtësia britanike. Remzi Hoxha ishte një biznes shqiptaro-maqedonas, i cili u zhduk që në vitin 1995. Ai ndodhej jashtë dyerve të punishtes së tij të duroalumineve, kur disa persona e kanë marë duke e futur në një makinë. Ai është transportuar në fshehtësi të plotë në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Në këtë bazë ishin shoqëruar edhe dy persona të tjerë Zizo Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Sipas prokurorisë të tre personat janë dhunuar dhe torturuar me metoda çnjerëzore nga të pandehurit Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini.
(ad.ti/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)










