Djathtistët në Serbi me fushatë kundër paktit të Ohrit

Djathtistët në Serbi me fushatë kundër paktit të Ohrit

Boshko Obradoviç dhe Millosh Jovanoviç

Që nga fillimi i vitit, partitë e djathta dhe politikanët në Serbi kanë investuar të paktën 7.000 euro në reklama në Facebook kundër planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një analizë e Radios Evropa e Lirë tregoi se janë paguar gjithsej 48 reklama kundër këtij plani.

Reklamat me pagesë kundër planit evropian u shfaqën midis 8.1 dhe 9.4 milionë herë në Facebook dhe Instagram, kryesisht për audiencën mashkullore.

Reklamat u publikuan në faqet në Facebook të lëvizjes së djathtë Dveri, liderit të kësaj lëvizje Boshko Obradoviq, liderit të Partisë së Re Demokratike të Serbisë (Novi DSS) Milosh Jovanoviq, Lëvizjes për Rivendosjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS), si dhe faqen e POKS Beçej, e cila është degë e POKS-it.

Dveri, POKS dhe Novi DSS janë tri nga katër partitë parlamentare që organizuan protesta në mars, ku kërkuan refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Reklamat me pagesë në rrjetet sociale ndodhin në momentin kur është duke u pranuar Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën partitë e djathta e kundërshtuan – si në rrjetet sociale ashtu edhe në rrugë.

Marrëveshja u pranua për herë të parë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të shkurtit në Bruksel, dhe për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes u pajtuan më 18 mars në Ohër.

Shuma e saktë nuk dihet, pasi Meta, kompania amë e rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram, tregon vetëm rangun në të cilin është shuma e shpenzuar.

Bojan Perkov, studiues në fondacionin joqeveritar të Beogradit, SHARE, i cili merret me monitorimin e të drejtave digjitale të qytetarëve në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, duke pasur parasysh se këto janë shifra tentative, mund të shtrohet pyetja se sa transparente janë në fakt pagesat e reklamave që bëhen në Facebook.

Megjithatë, ai thekson se kushdo që dëshiron të paguajë reklamat politike përmes platformës Meta, duhet të regjistrohet në atë sistem dhe t'i nënshtrohet një lloj verifikimi.

“Te disa aktorë politikë, parti e kështu me radhë, mund të shihet emri i politikanit konkret ose emri i partisë politike që sponsorizon reklamat, gjë që konfirmon disi që reklama ka kaluar në sistem dhe është verifikuar, d.m.th. është miratuar nga Meta dhe i sistemit i tij”, shpjegon Perkov.

Nga kompania Meta thonë për Radion Evropa e Lirë se reklamat e partive të djathta që mohojnë ekzistencën e Kosovës si shtet nuk i shkelin udhëzimet e tyre.

Politika e Metës nuk lejon asnjë përmbajtje që synon një person ose grup njerëzish. Këtu përfshihen deklarata që mohojnë ekzistencën e racës, përkatësisë etnike ose të origjinës kombëtare.

Siç sqarojnë më tej, përmbajtjet që synojnë institucionet apo shtetet lejohen, për sa kohë që nuk përcaktohet se mund të ketë dëmtim fizik.

Kjo kompani e paraqet Kosovën si shtet të pavarur në raportet e Qendrës së saj të Transparencës.

POKS është faqja që ka investuar shumën më të madhe në reklama që kundërshtojnë planin evropian - nga 5.600 deri në 8.674 euro, brenda dy faqeve të saj në Facebook.

Kjo lëvizje opozitare ka 109 mijë ndjekës në profilin e saj kryesor, por reklamat me pagesë kanë pasur nga 3.8 deri në 4.5 milionë shikime.

Studiuesi Bojan Perkov thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë shpesh vendosin të reklamojnë në rrjetet sociale për shkak të numrit të madh të përdoruesve të tyre.

Sipas faqes së internetit Statista, në korrik të vitit 2021, kishte 4.2 milionë përdorues të Facebook-ut në Serbi, që ishte 61 për qind e popullsisë në atë kohë.

Shfaqja e reklamave nga partitë e djathta në përgjithësi nuk u fokusua ekskluzivisht në Facebook, por përfshinte edhe Instagramin, një tjetër rrjet social brenda kompanisë Meta.

"E njëjta kompani, d.m.th Meta, i menaxhon ato sisteme dhe në këtë mënyrë sigurohen mekanizma të caktuar kontrolli përmes atij sistemi të unifikuar reklamimi. Supozimi im është se ata i kanë zgjedhur ato rrjete sociale thjesht sepse ka shumë përdorues të të dyja rrjeteve sociale", thotë Perkov.

Partitë politike që paguanin reklamat nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it për rëndësinë e reklamimit në rrjetet sociale deri në publikimin e tekstit.

Disa nga reklamat që kundërshtonin planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bënin thirrje për protesta që u mbajtën në Beograd, por edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Në faqet e Facebook-ut të partisë së djathtë Zavetnici (Të betuarit), e cila gjithashtu mori pjesë në organizimin e protestave gjatë muajit mars, nuk u gjet asnjë reklamë me pagesë.

As Partia Popullore dhe as lideri i saj, Vuk Jeremiq, nuk paguanin për reklama në Facebook. Ata, gjithashtu, kundërshtojnë planin evropian dhe Jeremiq mori pjesë në një protestë të partive të krahut të djathtë në Beograd më 17 mars.

Reklamat me pagesë nuk u gjetën në faqen e grupit joformal të djathtë “Narodna patrola” (“Patrulla Popullore”), i cili organizoi një protestë më 15 shkurt, ku kërkoi nga autoritetet në Serbi ta ndërpresin dialogun me Kosovën.

Bojan Perkov thotë se është një “pyetje e madhe” nëse reklamat me pagesë në Facebook dhe Instagram kanë ndikuar në rritjen e numrit të njerëzve në protestat e krahut të djathtë.

"Ato sigurisht përdorin çdo formë komunikimi që kanë në dispozicion, duke pasur parasysh situatën në të ashtuquajturat media tradicionale ose kryesore dhe se këto janë parti kryesisht opozitare. Siç mund ta shohim, fonde investohen edhe për të arritur një qëllim të caktuar – të cilin e bëjnë të gjithë aktorët politikë”, thekson Perkov.

Edhe pse reklamat në rrjetet sociale dhe faqet e partive politike janë më aktive gjatë fushatës parazgjedhore, Perkov thotë se vetë fushata politike në Serbi është konstante, pavarësisht nëse zgjedhjet do të mbahen së shpejti apo jo.

“Ju vazhdimisht keni një lloj komunikimi politik, veçanërisht në rrjetet sociale dhe platformat që ndiqen nga një numër i madh njerëzish dhe informohen për ngjarje të ndryshme”, thotë ai.

Perkov shton se partitë e djathta kanë një “luftë të vazhdueshme për ruajtjen e Kosovës” në programet e tyre politike.

“Kështu është e qartë pse u përpoqën ta shfrytëzonin këtë moment. Mund të supozojmë se ka ndonjë lidhje, pse e përdorën atë moment për reklamim më masiv dhe për të investuar disa burime për të shprehur pakënaqësinë apo kundërshtimin ndaj atij plani”, përfundon Perkov.

REL-i ka analizuar edhe reklamat me pagesë të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, të kryesuar nga Aleksandar Vuçiq, i cili mbështeti planin evropian.

Në faqen e saj zyrtare në Facebook, ajo parti nuk ka pasur reklama me pagesë që nga fillimi i prillit 2022, kur filloi heshtja parazgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare, presidenciale dhe lokale, në të cilat SNS-ja fitoi./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alb: 30/03/2023 17:22

    Te marrin shemull politika trathtare shqiptare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë