Deputeti demokrat, Flamur Noka, një ditë pas tensioneve në Komisionin e Medias, ka vijuar me akuzat në drejtim të qeverisë Rama, kësaj here nga Komisioni i Sigurisë. Noka tha se qeveria ka kohë deri në datën 28 qershor, pasi më pas Europa do t’ia mbyllë dyert Shqipërisë.

Nuk është padija e Edi Ramës që pengon hapjen e negociatave por dashuria që ka për korrupsionin dhe krimin e organizuar që ka ky, ëndërra e Edi Ramës është të flejë në shtratin e krimit së bashku me qeverinë e tij dhe ta plaçkisë këtë vend pavarësisht se Europa po na largon dhe nuk po na afron në gjirin e saj.

Pas një jave Europa do ia mbyll dyert Shqipërisë dhe do ia përplas në surrat Ramës. Marrëdhënia jonë me ju do të ndryshojë pas kësaj date, nuk do të pranojmë më që Edi Rama të mbajë peng të ardhmen Europiane të këtij vendi.

Flamur Noka, deputet i PD-së

Më tej, deputeti i PD-së tha se mafia s’ka më përfitime nga kanabisi dhe po merret me kullat si burim përfitimi. Noka shtoi se në Shqipëri nuk do të ketë më shqiptarë por refugjatë që do sillen këtu nga vendet islamike.

Mafias i mbaroi ushqimit nga kanabisi i është sulur kullave dhe i dyti është trafiku i qenieve njerëzore, nuk është informacion paniku ai që po themi, 300 skafe nga më modernet në Evropë, flotilje, janë bërë gati 300 skafe të mafies dhe Shqipëria do kthehet në një vend ku mafia do organizojë biznesin e trafikut të qenieve njerëzore. Shqipëria do bëhet vend që do kesh mall të shohësh shqiptarë se do jenë iranianë, pakistanezë, e shqiptarët do jenë pakicë. Po të vika keq që po themi ne se na vjen keq që të vijnë këtu 600 mijë njerëz nga vendet islamike.

Flamur Noka, deputet i PD-së.

Deputeti i PD-së përmendi datën 28 qershor, si datë kyçe për Shqipërinë dhe qeverinë socialiste. Në këtë datë pritet që Bashkimi Europian të japë vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.