SARANDE - Një 67-vjeçar në fshatin Nivicë të Sarandës ka gjetur vdekjen si pasojë e një zjarri të ndezur nga ai vetë, për të djegur disa mbeturina në një plantacion me ullinj në këtë fshat.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme ndërsa mësohet se viktima është Gaqe Dani.

Burime të Shqiptarja.com në Sarandë bënë të ditur se 67-vjeçari ka dashur të digjte një grumbull mbeturinash poshtë ullinjve. Flakët kanë përparuar dhe për pak minuta kanë përfshirë plantacionin.

I gjendur mes zjarrit Gaqe Dani nuk mundi të shpëtojë. Forcat zjarrfikëse që mbërritën në vendgjarje lokalizuan pas dy orë përpjekjesh flakët. Veç viktimës, zjarri në Nivicë shkaktoi dhe dëme te konsiderueshme duke djegur dhjetëra rrënjë ullinj.

(pn/shqiptarja.com)